Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
14 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Shumica e njerëzve e dinë se cilat probleme ekzistojnë në shoqëri. Por e njëjta shumicë nuk e di si mund të zgjidhen ato probleme. Më e keqja është se ajo shumicë nuk ka vullnet as t’i dëgjojë ata që dinë si zgjidhen problemet. I vjen më lehtë të shkojë pas atyre që i shumëzojnë problemet. I takon natyrës njerëzore të sillet kështu.
***
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Para se me kalu tek problemet që rrjedhin nga politika, le ta festojmë ndoshta një detaj që na shpie drejt fitores.
Mbrëmë në natën e parë të Eurovisionit, “Shkodra elektronike” me “Zjerm” e ka kthyer Shqipërinë në finalen e garës evropiane të këngës. Dyshja nga Shkodra ja ka dalë që të dytit me radhë të shpallen finaliste pas votimeve që janë bërë me të përfunduar gjysmëfinalja e parë e garës, që sivjet po mbahet në Bazel të Zvicrës.
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca kanë shkëlqyer në skenë, me fuqinë e tyre pasi përmendën 36-të herë fjalën “Shndrit”.
***
Po bre po… prap dështoi konstituimi i Kuvendit, madje nuk e di pse duhet ta përdorim fjalinë “prap dështoi”, a mund ta gjejmë një shprehje tjetër? Diçka si “s’ja nin askujt për konstituim”, kam fillu të mendoj që nëse nuk ka paracaktim deri kur mund të vazhdoj propozimi i Albulena Haxhiut ose nëse nuk zgjedhet si ngërç, do të na zë 2026-ta me po të njëjtin propozim.
Po ta kishte partia e parë (LVV) të drejtën e zgjedhjes së kryetares së Kuvendit pa marrëveshje, pa shumicën e votave (61) vetëm do ta ulte në karrige. Por i duhen edhe vota të partive të tjera. Ato nuk mund t’u mirren me zor. As me mashtrim. Pra po kërkohet zgjidhje me sprovën që nuk ofron zgjidhje (marrjen e votave me zor). Sipas tij, heqja dorë nga sprovat e gabueshme – eliminimi i gabimeve ofron zgjidhjen dhe krijon hapësirë për probleme të reja (p.sh zgjedhjen e qeverisë).
Tash me ftesën e presidentes për të enjten me tentim që t’i jepet zgjidhje këtij ngërçi, përfaqësues të partive politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani. Por shprehën pikëpamje të ndryshme nëse brenda Presidencës do të mund të gjendet zgjidhje.
Deputetja Mimoza Kusari – Lila tregoi se Albin Kurti, do të marrë pjesë në takim, por nuk shprehu pritje për marrëveshje në institucionin më të lartë të shtetit.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shprehu pritjen se në takim Vetëvendosja të reflektoj për situatën në Kuvend.
Hykmete Bajrami e LDK-së, tha se nëse në takimin e organizuar nga presidentja kundërshtohet propozimi i LDK-së për Qeveri tranzicionale të spektrit të gjerë, atëherë i takon Vetëvendosjes të ofrojë alternativa të reja.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk është i njoftuar me formatin e takimit dhe bëri të ditur se në të mund të japë ide për ta tejkaluar ngërçin politik.
***
Tym i zi shkoi dje në lagjën Marigona, kur Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hedhur tymues para një hoteli ku u pati paralajmëruar që Trendofilova të mbante konferencë për media por e cila më pas u anulua shkaku i protestës.
Vendimi është pritur me brohoritjen e protestuesve teksa udhëheqësi i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka theksuar se Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë, pasi që “sjellë lajme të këqija”
Në dhjetor të 2024-ës, Trendafilova, gjyqtare nga Bullgaria, është rizgjedhur si kryetare e Speciales edhe për katër vjet të tjerë.
***
Jeta nuk ka nevojë të jetë perfekte për të qenë e mrekullueshme. E mrekullueshme është ajo jetë ku gjejmë forcë të vazhdojmë, dashuri për të ndarë dhe shpresë për të ëndërruar pavarësisht të metave, papërsosmërive apo rrëmujës që e shoqëron. Sepse jeta, edhe kur nuk është e përkryer, mund të jetë thellësisht e bukur!