Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Rrallo dhimbjen tënde që të përjetosh lumturinë.
Mos harro, sot ke bërë mjaftueshëm. Ji i sjellshëm me veten, lëri të gjitha shqetësimet dhe beso që e nesërmja është një fillim i ri. Ti je mjaftueshëm, ashtu siç je.

***

Gjithçka filloi me ekzekutimin e himneve kombëtare. Hijeshi sallës së Kuvendit i jepnin ngjyrat e dy shteteve e më së shumti, siç do të thonin patriotët, ngjyrat e kombit.

Ani pse nga fundi u shndërrua në një skenë ku mezi prisje të dëgjoje tjetrin se si do t’ia kthente tjetrit me fjalim, qëllimi në thelb ishte një mbledhje e përbashkët mes shqiptarëve, ku prapë gjysma mungonte, sepse jemi miliona nëpër botë e të tkurrur në vendin tonë.

130 deputetë, përfshirë kryeministrat dhe presidenten e Kosovës.

Fjalime të bukura dhe të ndjera, si dhe kunja e ngacmime. “Ne kështu e ju ashtu” – sikur ngjasonte me këtë kontekst ky grumbullim.
Deputetët ngjasonin si në një takim me kushërinjtë që nuk janë parë kaherë, ndërsa kryeministrat si “motrat që ende kanë mllefin e herës së kaluar për rrobat që nuk mund t’i ndanin”.

Për Kryeministrin Rama: e do dhe respekton ish-presidentin Thaçi – këtë e kemi mësuar. Po fakti që e përmendi dje në mbledhje, a duhet të jetë për të njëjtat arsye, besoj?

Sido që të jetë… një moment i rëndësishëm gjatë takimit ishte nënshkrimi i marrëveshjes për organizimin e “Lojërave Mesdhetare 2030”. Sipas kësaj marrëveshjeje, Prishtina do të jetë mikpritëse e këtij eventi, ndërsa Durrësi do të presë disiplinat ujore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin sportiv mes dy vendeve.

Kjo ishte seanca e dytë e përbashkët midis dy parlamenteve, pas asaj të mbajtur më 27 nëntor 2022 në Tiranë, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë. Takimi i fundit synonte të bënte një bilanc të zbatimit të marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare dhe të diskutonte mënyrat për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

***

Një rrugë më e vjetër se pavarësia e Kosovës u përurua dje në Stanovc, që të dërgon në Mitrovicë – “magjistralja Prishtinë-Mitrovicë”.

Pse kjo nguti kur ende rruga është duke u punuar dhe nuk ka mbaruar? Kush ka pritur deri tash mund të presë ende… Sepse për qëndrueshmëri dhe cilësi kemi mësuar si ndodh. E përgjigjet e Kryeministrit dinë të jenë përherë arsyetuese dhe me vënien e fajit ndaj tjetërkujt.

***

Juan Cruz është një artist dhe edukator nga Palencia, Spanjë (1970), i cili ka punuar në shumë institucione të ndryshme si specialist dhe gjeneralist. Ai ka studiuar Pikturë dhe Historinë e Artit Modern në Chelsea College of Art, duke u diplomuar në vitin 1993. Puna e tij artistike shpesh ka përmbajtje personale dhe është ekspozuar në formate të ndryshme, përfshirë video, instalacione dhe performanca.

Ekspozitat e tij janë mbajtur në galeri të ndryshme si Matt’s Gallery (Londër), Witte de With (Roterdam), dhe të tjera.
Në vitin 1999, fitoi Çmimin Paul Hamlyn për Artistë. Këtë herë, ai hapi dje ekspozitën e tij në Paper Gallery me emrin “1.876,94”. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 25 shkurt 2025.

***

Diçka që kam mësuar për njerëzit:
Nëse ata marrin më shumë sesa japin, përfundimisht do të të lënë bosh.