Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Shkurt, 2025

Ne jetojmë me disa zhurma që vetëm kur ndalen e vëmë re se sa shumë na kanë penguar.

Zhvillimi i teknologjisë ka bërë që të rrethohemi me pajisje që i përshtaten nevojave njerëzore, si frigoriferi, ventilatori, stufa elektrike, laptopi etj.

Të gjitha këto pajisje prodhojnë zhurma që nënvetëdija jonë i ka pranuar. Si rezultat, për t’u përshtatur me kushtet, ne jetojmë me to. Ato njihen si white noises apo zhurma të bardha.

Por a jeni të familjarizuar me temën e “ndotjes akustike” dhe çfarë pasojash shkakton ajo?

Ndotja akustike është çdo lloj ndotjeje e shkaktuar nga zhurma, e cila arrin një nivel mbi 85 decibel (dB). Kjo mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin e njeriut dhe rrit mundësinë e dëmtimit të dëgjimit.

Sipas shifrave të publikuara nga Agjencia Europiane, rreth 113 milionë persona vuajnë nga ndotja akustike që vjen si pasojë e trafikut rrugor. Në pjesën më të madhe të vendeve europiane, më shumë se gjysma e popullsisë urbane është e ekspozuar ndaj niveleve të zhurmës rrugore të barabarta ose më të larta se 55 decibel.

Në Kosovë, ndotja akustike rregullohet nga Ligji Nr. 02/L-102, i cili, referuar standardeve të BE-së, përcakton se norma e lejuar e zhurmës gjatë ditës është 55 decibel, ndërsa gjatë natës 35 decibel.

Po sa respektohet kjo? Pak ose aspak!

Prishtina Biennale, në kuadër të një projekti për vetëdijësimin ndaj ndotjes akustike, ka realizuar disa podcaste, ku personalitete nga fusha të ndryshme kanë shprehur mendimet e tyre mbi këtë çështje. Ata kanë folur për mënyrën se si e perceptojnë ndotjen akustike, ku e hasin atë në përditshmëri dhe nëse mendojnë se ka rregullore të mjaftueshme për ta kontrolluar atë.

Ja disa prej thënieve më domethënëse të tyre për ndotjen akustike:

Engjëll Berisha JR.
(Koordinator i Galerisë Kombëtare të Kosovës)
“Kurrë s’është e mirë, po edhe pa të s’bën.”

Hana Zeqa
(Dizajnere e modës, CEO – Fight or Flight)
“Më duhej të rritesha pak më shumë për t’u bërë e vetëdijshme për nevojën për qetësi, për faktin që ndikon në përqendrim.”

Azra Krasniqi
(Eksperte e sektorit të energjetikës në Kosovë)
“Për mua, ndotje akustike është tingulli, zëri i padëshiruar… të cilin e kemi të pranishëm nga momenti kur zgjohemi deri kur shkojmë në gjumë.”

Kujtim Fazliu (bar-man)
“Barman-ët, pra njerëzit që e bëjnë këtë punë, mësohen me zhurmën dhe puna i mëson t’i lexojnë buzët e klientave.”

Fitim Namani (sound engineer- radio)
“Boria e veturave është tingull, por kur bëhen disa vetura që përnjëherë lëshojnë borinë e tyre atëherë ato shndërrohen në zhurmë akustike.”