Live Stories from Prishtina

LIVE

April 16, 2024

Opinion: E. RR

Kimete Bekteshi, Hyrije Broqi-Hyseni, Maria Clara Urdangaray, Liridona Ademaj, Erona Cokli dhe Gjyljeta Ukelli janë disa nga gratë që u vranë që nga fillimi i vitit 2023 e deri tani!

Dy të ndjerat Erona Cokli dhe Gjyljeta Ukelli u vranë në më pak se një javë në mes, njëra nga i dyshuari ish-burri dhe kjo e fundit nga i dyshuari burri i saj, i cili ishte shpallur paraprakisht edhe fajtor për veprën penale “dhunë në familje”. Pikërisht këtu qëndron edhe shqetësimi se si kanë dështuar institucionet publike me i vënë re shenjat paralajmëruese ku rrjedhimisht pasojnë reagimet paraprake. Ky është dështimi më i thellë për të mbrojtur gratë.

Unë (si grua) nuk po ndjej siguri.

Duke i posedu të gjitha mekanizmat shtetëror, shteti bëhet i barabartë me qytetarët duke shënuar statusa, ne (qytetarët) protestojmë deri në rastin tjetër të tmerrshëm. Është e domosdoshme që këto ngjarje të akteve brutale të ndalojnë.

E deri në ndërmarrjen e hapave të radhës, kërkojmë falje nga çdo grua që epiteti grua ju bën të përjetoni dyfish vështirësi, e që frikën për të jetuar nuk ua hoqëm kurrë. Por mbi të gjitha na falni që mbështetjen nuk e gjetët askund.

Për kujtimin e çdo gruaje të vrarë deri më sot në Kosovë, nesër më 17 prill në territorin e Republikës së Kosovës u shpall ditë zie.

Fatkeqësisht pas akteve të tilla makabre, ku gratë po vriten dhe dhunohen çdo ditë nga burrat e tyre, me qindra burra të tjerë po i përkrahin ata me komentet e tyre në rrjete sociale. Çdo person i cili shpreh dhunë dhe gjuhë të urrejtjes me komentet e tyre duhet të intervistohet nga policia dhe të mos i lejohet të shprehet në mënyrë banale për vrasjen e një gruaje. A është brendësia juaj aq e prishur kur e bëni një koment të tillë?

A është kriminalizuar shoqëria jonë?

Pse pas çdo rrëfimi të një gruaje për dhunën e përjetuar, për ngacmim seksual e për vrasje, gjëja e parë që shoqërisë tonë i kujtohet është pyetja “çka ke bo për me të; ngacmu, vra e dhunu?”

Prap pas çdo rasti të vrasjes kemi një kriminel, një viktimë, një fëmijë jetim dhe krejt instancat më të larta shtetërore, kur komentojnë ta do mendja që nuk e dinë situatën reale në vend. Sikur nuk e dinë se cilat janë kapacitetet e policisë së Kosovës, gjykatave, prokurorisë dhe qendrave për punë sociale.

Vehbi Mujku, ekspert i Zhvillimit të Politikave Sociale, duke folur për pasivitetin e institucioneve tona në një intervistë për mediumin Klan Kosova, e komentoi kështu sistemin e mbrojtjes sociale.

“Sistemi i mbrojtjes sociale ka dështu në Kosovë. Ngjason me një lloj xhungle kur vie puna tek rastet e dhunës: Qendra për punë sociale i përgjigjet komunës, ministria në këtë rast vetëm bën politika dhe në fund thonë që i bënë komuna. Policia i ankohet ministrisë së punëve të brendshme. Ministria e drejtësisë e ka marrë primatin që ministrja është koordinatore nacionale (ne po bëjmë politika por institucionet tjera nuk dinë). Gjykata është e pavarur… pra askush me askënd. Nuk ka një vijë ku dikush i përgjigjet dikujt deri në fund. E kemi një agjensi për barazi gjinore në kuadër të zyres së kryeministrit e cila duhet ta analizojë çdo të dhënë dhe çdo raport që është publikuar deri sot nga organe e organizata të ndryshme që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të tregojë “KJO ËSHTË GJENDJA”. Jo çdo gjë me përfundu me një status në facebook, jo me një minut heshtje, jo me një ditë zie”.

Pse janë shtuar rastet e vrasjeve?

Mbi 45 përqind e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë fizike vitin e kaluar 2023. (Sipas statistikave nga Rrjeti i grave dhe OSBESE-Adelina Berisha). “Mirëmbajtja e pushtetit të burrave” shprehet me dhunën ndaj gruas. Burrat nuk po dojnë me i ndërru perceptimet për gratë. Mentaliteti dhe mendësia e shoqërisë tonë na ka lënë këtu ku jemi.

Në një artikull të UN WOMEN.ORG, ku flitet për faktet që duhet t’i dini rreth femicidit thuhet edhe kjo: Gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa të vriten nga njerëzit më të afërt.

Nga viti 1999 sot janë bër 99 vrasje të grave në Kosovë. Ngushllime Kosovë!