Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Maj, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, të besosh në versione të pamundura të vetes mund të jetë e vetmja mënyrë për t’i bërë realitet ato.

Andaj, për ta përballuar si duhet realitetin, le t’i hedhim një sy asaj çka të definoi, më definoi dhe na definoi këto ditë në Kosovë. (Po ashtu, nëse ke pyetje, sugjerime apo komente, të lutem na shkruaj në [email protected]. Do ta kisha nderin të lexoja çkado që do të ndash me ne)

Edhe nga 100 euro prej pakos për përballimin e inflacionit 2.0.

Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po jep nga 100 euro ndihmë të njëhershme për pensionistë, fëmijë, studentë dhe punëtorë të sektorit privat. Kjo po prezantohet si paketë për t’i ndihmuar njerëzit ta përballojnë rritjen e çmimeve.

Për qytetarët, kjo do të thotë pak lehtësim financiar afatshkurtër, sidomos për familjet me të ardhura më të ulëta.

Po ashtu, lehonave do t’u rriten shtesat nga 325 në 500 euro në muaj prej korrikut, që është ndihmë më e madhe për nënat e reja.

Mjetet do të ndahen javën që vjen për pensionistët dhe studentët, ndërsa punëtorët e sektorit privat duhet të aplikojnë për t’i marrë.

Ata që janë kundër qeverisë Kurti do ta quajnë “blerje votash”. Ata që janë pro do të thonë: “S’e ka bërë askush më herët, po na i çel sytë nganjëherë me këto 100 euro”.

Po! 100 euro mund edhe t’i harxhosh për një ditë me çmimet e tregut të sotëm, por në të njëjtën kohë 100 euro as nuk “t’i jep kërkush fal, as hua, e as nuk ka me t’i gjetë”.

Gjejeni tash një mes ju vetë, kudo që mendoni se qëndroni.

A duhet kjo lëvizje me na largu fokusin prej pjesëve tjera ku nuk po bëhet asgjë nga institucionet aktuale? Jo, aspak!

***

Në Vushtrri ka ndodhur një rast i rëndë në vendin e punës: një punëtor 31-vjeçar ka vdekur pasi ka rënë nga një ndërtesë në ndërtim.

Policia dhe inspektorët po hetojnë nëse ka pasur mungesë sigurie në punë. Një person është ndaluar për 48 orë.

Një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është mungesa e sigurisë së punëtorëve në vendin e punës. Vetëm këtë vit kanë vdekur 11 persona në vendet e punës. Shumë kompani dyshohen se nuk po i respektojnë masat mbrojtëse. Pse, more vëlla, nuk ndëshkohen? Pse nuk mbyllen vendet që nuk i kanë masat mbrojtëse, përmes të cilave ruhet dhe respektohet edhe punëtori, edhe vendi i punës, edhe shteti?

Kush e kompenson humbjen e viktimës? Edhe sa jetë duhet të humbin për të njëjtat arsye?

***

Një raport i Bankës Botërore tregon se gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë mendojnë më pozitivisht për punën e tyre sesa qytetarët.

Raporti gjithashtu evidenton se një e treta e gjyqtarëve të anketuar kanë deklaruar se besojnë që ka korrupsion në gjyqësor, perceptim ky i ndarë edhe nga 72 për qind e avokatëve dhe qytetarëve të përfshirë në anketë.

Derisa 96 për qind e gjyqtarëve vlerësojnë se puna e gjyqësorit është cilësore, këtë mendim e ndajnë vetëm 62 për qind e qytetarëve.

E në kontrast me vlerësimin e gjyqtarëve për punën e tyre, vetë ata  apo 34 për qind e tyre kanë shprehur bindjen se ka korrupsion në sistemin gjyqësor.

***

Kuptimi i kësaj që jetojmë e që quhet jetë është të gjejmë dhuratën tonë ndërsa qëllimi është ta ndajmë atë. Ndoshta shumë gjëra që kemi janë dhuratat që tjertë i kanë gjetur në këtë jetë dhe i kanë ndarë për ne!