Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Janar, 2025

Nëse marrëdhëniet e nënë-vajzë janë si filmat, cila është ajo mes nënës tuaj dhe ju?
E lexova në një trend në TikTok: “Askush nuk di si t’i shtypë plagët ashtu si gruaja që të dha jetë, sepse ajo i instaloi vetë plagët e tua.”

Duke u rritur, mund ta imagjinoni raportin me nënën tuaj si një dyshe pjesërisht Lorelai dhe Rory Gilmore (nëse e keni parë serialin Gilmore Girls), pak a shumë si një dyshe “partnerë në krim”. Në mendjen tuaj, jeni të pandara, duke përfunduar fjalitë e njëra-tjetrës me kafe dhe duke ndarë shakatë që askush tjetër përveç jush nuk i di.

… Ah, jeta (nuk është asnjëherë ashtu siç e imagjinojmë): fjalë të pathëna që peshojnë më shumë se ato që thuhen (që i mbajmë vetëm për vete) dhe një pyetje e fshehtë që rri lirshëm në kokën e vajzës: “Pse gjithmonë ka diçka që nuk shkon mirë mes nesh?”

Marrëdhëniet nënë-bijë, në thelb, janë një rrëmujë – por një rrëmujë e bukur, e ndërlikuar, rraskapitëse dhe plot emocione luhatëse. Ama, brenda kaosit qëndron një shans për një raport të shkëlqyer, vetëm nëse ekziston dëshira për të kapërcyer zhurmën (si ajo mes Annës dhe Tess-it në Freaky Friday).

Kur në skenar nuk duhet të zërë vend “përsosmëria”

Fillimisht, të vendosim pak rend: nuk ka gjë më të bukur në botë se një marrëdhënie e përsosur nënë-bijë. Por e vërteta është se nënat dhe vajzat krijojnë një lidhje të ndërlikuar mes dashurisë dhe pritshmërive. Një nënë e sheh shpesh vajzën e saj si një kopje të vetvetes, ndërsa vajza e sheh nënën e saj si një reflektim të asaj që mund të bëhet. Kur këto këndvështrime përplasen, është si të hedhësh benzinë në zjarr. Zjarr ama zjarr emocionesh.

Por e vërteta qëndron këtu: shpesh presim përsosmëri nga njerëzit, edhe pse e dimë që askush nuk është perfekt.

Plot twist-i i historisë:

Edhe ju, edhe nëna juaj, jeni njerëz që gaboni – sado që ajo mundohet t’ju bindë se duhet të mendoni ndryshe.

Lundrimi në fushën e minuar

Çfarë bëni kur dinamika juaj nënë-bijë ndihet më shumë si një dramë e HBO-së? Ju filloni duke rishkruar skenarin. E di, nuk është aspak e lehtë. Së pari ju filloni duke i vizatuar disa kufij (ku provoni të jeni të sjellshme):
“Mami, të dua, por nuk mund të flas për jetën time të dashurisë/karrierën/garderobën që zgjedh.”

Më pas, mësoni të deshifroni kritikat e saj, të cilat nganjëherë nuk janë të menduara aq thellë sa tingëllojnë në atë moment.

Ndonjëherë fjalia e nënave “je duke bërë gabim” përkthehet me: “Unë të dua, prandaj frikësohem nga çdo gjë tjetër që të rrethon.”

Mbase të gjitha duet duhet ta lënë pas fantazinë e përkryerjes. Vajzat nuk do të ndjekin ëndrrat që nëna juaj kishte dikur si vajzë e re. Dashuria e pakushtëzuar duhet të përkthehet me të qenit pranë tyre kur kanë nevojë, jo me kontroll të tepruar.

Në fund të fundit, a nuk është akti më njerëzor të qenit pranë tyre?

Dashuria?

Shumica e nënave dhe vajzave duan të njëjtën gjë: të ndihen të kuptuara, të dashura dhe të respektuara. Pjesa e ndërlikuar është të mësoni si t’ia jepni atë njëra-tjetrës pa e humbur veten gjatë procesit.

Ndoshta historia me nënën tuaj nuk do të ketë shumë mirëkuptime. Por ajo mund të jetë një roman i mbushur me personazhe komplekse, kthesa të papritura dhe momente të rralla ku shkriheni së qeshuri me zë të lartë.

Sepse, mes gjithë dramës që mund të ketë një raport nënë-vajzë, është diçka që askush nuk mund të hyjë mes jush.

Ky raport qëndron tek mesazhet që shkruajnë nënat:
“Buka është gati!”, “Kur kthehesh në shtëpi?”, “Më merr diçka për të ngrënë rrugës?”, “A të zuri shiu?”, “A e zure autobusin?”

Sa më herët që vajzat e kuptojnë se edhe nëna e tyre për herë të parë në këtë jetë ka qenë nënë, aq më mirë.

Është e çrregullt, është e bukur dhe është unike – e juaja.