Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Po, i dashur lexues, lumturia shkon dhe vjen, ndërsa ti duhet të gjesh hapësirën që të jesh gjithmonë falënderues. Edhe në momentet kur tragjedia të godet, prap falëndero që gjithçka kaloi. Sepse kjo është jeta!

Çfarë e karakterizoi të dielën në Kosovë dhe çfarë nënkuptimi kishin ngjarjet për mua?

Qeverisje***

Në një video-sqarim të dielën mbrëma, Kryeministri Albin Kurti zgjodhi të hapë një diskutim që do të jetë relevant gjatë gjithë javës që vjen, pasi edhe këtë herë përfshiu pushtetin 20-vjeçar, duke i bërë bashkëfajtorë. Ai foli për doracakun mbi edukimin seksual, duke e quajtur propagandë dhe asgjë më shumë, si dhe “përpilim i vitit 2016, kur ministër i Arsimit ishte Arsim Bajrami dhe që kaloi në kohën kur ministre e Arsimit ishte Hykmete Bajrami.”

E zëmë se është propagandë dhe se ka marrë dhenë për shkak të parafushatës. Meqenëse qenka e tillë, pse thoni se do të rishikohet përmbajtja? Pse keni nxjerrë vendim për largimin e doracakëve? Pse merren vendime për propagandë? Ndoshta më fytyrëbardhë do të dilnit nëse do ta pranonit që ka ndodhur një lëshim dhe se jemi falënderues që ra në sy me kohë, pa i bartur pastaj pasojat, nëse veçse do të hynin në përdorim!

Skandale***

Si ndodhi që grantin nga Ministria e Bujqësisë prej 100 mijë eurosh e merr një kompani e regjistruar disa ditë para shpalljes dhe të refuzohet projekti i Fahrije Hotit për një kompani si “Krusha”, që dihet çfarë pune bën? E si ndodh që ministri Faton Peci del me një deklaratë se “nuk mundemi as me ujë e as me plumb me m’ndal”? Kush paska tentuar ndonjëherë të të ndalojë me plumb, zoti ministër, që të bie ndër mend një fjali e tillë? Cili sukses i bujqësisë qenka aq i madh sa që të tjerët paskan zili?

Kulturë***

Është mbajtur koncerti i Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Pallatin e Kulturës në Gjakovë më 15 nëntorë. Koncerti u hap me uverturën “William Tell” për të vazhduar me “Stabat Mater” të Rossinit. Nën drejtimin e Hajrullah Sylës dhe me solistët: sopranon Besa Llugiqi, mezzosopranon Albane Carrère, tenorin Ismet Vejseli dhe basin Andrei Yvan, publiku i Gjakovës mirëpriti me ovacione njërën prej veprave më të njohura të literaturës sakrale. Nëntori do të sjellë edhe shumë surpriza të tjera. Koncerti u organizua në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”, që ka për qëllim prezantimin e institucionit më të lartë muzikor jashtë kryeqendrës.

Mbaje në mend***

Edhe diçka: mos e klasifiko veten si të dështuar, kur e ardhmja jote e ndritur është e vonuar nga rrethana që nuk janë në dorën tënde. Vazhdo të bësh atë që po bën!💘