Dje n’Kosovë / © Denik Zeneli
5 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues,
Dita, ditës po e kuptoj se nuk është pozitiviteti ai që na mbanë gjallë çdo ditë, por pranimi. Pranimi që jo çdo ditë është e mirë. Që do të gabosh, do të dështosh, do të ngatërrohesh. Pranimi që jo çdo gjë do të bjerë në vendin e duhur dhe se kjo është krejt normale.
***
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
E 11-ta. Po. Po e lexoni mirë. Seanca konstituive e re do të mbahet sot, e hënë me fillim nga ora 10:00, për të 11-tën herë.
Ndërsa mumri i tentativave për ta (mos)konstituuar Kuvendin e Kosovës u bë dyshifror, Vetëvendosje ende nuk po jep sinjale të tërheqjes nga përpjekjet për ta rikandiduar Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni – pavarësisht se ajo nuk po arrinë të sigurojë votat e nevojshme.
Në përpjekjen e fundit, kjo parti propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, me deputetin Hekuran Murati si anëtar. Kërkesa hasi në rezistencë nga opozita. Kryetari i seancës, Avni Dehari, iu drejtua PDK-së për të nominuar një përfaqësues në komision, por kjo nxiti një reagim të ashpër nga lideri i saj, Memli Krasniqi.
***
Volejbollistët e Ferizajt e kanë fituar titullin e kampionit. Ferizaj në finale të playoff-it mposhti Dritën me rezultat 3:1.
Në finalen e katërt të zhvilluar të dielën, Ferizaj mposhti Dritën 3:2 në sete. Për Ferizajn është titulli i dytë në histori. Ka edhe dy Kupa të fituara. Dy herë e ka fituar edhe Kupën e Federatës.
Ditë më parë, titullin e fituan edhe volejbollistet e klubit Fer Volley të Ferizajt. Ndërkohë, Kupën e fituan volejbollistet e Ferizajt.
***
Në vetëm 4 muaj, Trusti Pensional i Kosovës ka humbur mbi 103 milionë euro. Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, thotë se kjo s’është vetëm faj i menaxhimit të brendshëm, por ndikohet nga zhvillimet globale, sidomos politikat ekonomike të SHBA-së.
Pse ndodhin rënie të tilla?
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) i investon paratë e qytetarëve në tregjet financiare ndërkombëtare, për t’i shtuar ato me kalimin e kohës. Rëniet si kjo ndodhin kur:
Tregjet botërore bien – kur ka kriza ekonomike, luftëra, ose paqëndrueshmëri politike në botë, investimet humbasin vlerë.
Normat e interesit rriten – veçanërisht kur SHBA rrit normat e interesit, kjo ndikon në vlerën e aksioneve dhe obligacioneve ku Trusti ka investuar.
***
Inflacioni i lartë – ulë fuqinë blerëse dhe shkakton pasiguri në treg.
Njerëzit nuk janë shtëpi më i dashuri im, nuk janë vende ku mund të qëndrosh gjatë, të vendosësh shpirtin tënd dhe të ndihesh i sigurt përgjithmonë. Ata nuk janë mure që të mbrojnë, as dritare që ndriçojnë gjithmonë. Njerëzit janë si lumenj gjithmonë në rrjedhje, gjithmonë në ndryshim. Ata mbartin brenda tyre gjithçka që u dhuron: dashuri, kujtime, besim… por rrjedha i çon tutje.