Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Diskutimi për të mirën është më i dobishëm se heshtja, ndërsa heshtja është, megjithatë, më e mirë se diskutimi për të keqen! Burimi i miqësisë duhet të jetë dashuria, e kurrsesi frika, aq më pak interesi.

***

Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Ani pse fushata po vazhdon qytet më qytet, kjo nuk do të thotë që problemet e tjera ndalen dhe nuk kërkohet zgjidhje për to.

Përderisa përfaqësues të ndryshëm të partive politike po shpalosin programet e tyre në debate televizive, ku mbeten ato pas fushatës dhe pas zgjedhjeve?

A keni dëgjuar edhe ju premtime që kanë mbetur vetëm premtime?

Të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, kanë konfirmuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për këtë çështje. Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, tha se kërkesat e Kosovës lidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë te shkresa për arkivat.

Sipas deklaratës së publikuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2023, thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë theksuar nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

***

Dje, në rrjetet sociale janë publikuar foto dhe video të fletëvotimeve teksa plotësohen dhe futen në zarfe për procesin e votimit me postë nga diaspora, që ka nisur të enjten. Në prokurori thanë se po merren me rastin. Ato janë shpërndarë në platformën sociale TikTok.

Sa është i besueshëm ky votimi me postë? A janë të sigurta ku shkojnë 84.519 vota?

***

Qendrës Kinematografike të Kosovës s’po i bën punë as teknologjia. Pas deklaratës se “problemet me e-mail” e lanë Kosovën pa propozim për “Oscar”, tash janë “problemet teknike” të platformës që kanë bërë të shtyhet afati i aplikimit për projekte filmike të metrazhit të gjatë. Për këtë arsye, QKK-ja ka shtyrë afatin e aplikimit edhe për një ditë.

“Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë”, shkruhet në deklaratën e QKK-së, përmes së cilës është bërë e ditur se afati për aplikim është shtyrë për një ditë, deri në orën 23:59 të së hënës.

***

Ka vetëm dy mënyra për ta jetuar jetën tënde. Njëra është sikur asgjë nuk është një mrekulli. Tjetra është sikur gjithçka është një mrekulli. Ajo që ndodh mund të të ndryshojë, por refuzo që të ndikojë në zvogëlimin tënd.