Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

 

 

I dashur lexues, fillimisht uroj që kjo festë e Krishtlindjeve të jetë e begatshme për këdo të besimit katolik. Së dyti, kur sheh njerëzit në borë, duket sikur asnjëherë nuk ka dalë ai fëmijë që kanë brenda.

Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Një konferencë për media e kryeministrit Kurti solli aq shumë deklarata, të cilat pothuajse i kemi ditur gjatë gjithë këtyre ditëve.

Tha se duhet të kujdesemi, sepse pritet të ndodhin sulme dhe provokime të reja nga Serbia, edhe në të ardhmen e afërt, veçanërisht para dhe pas Vitit të Ri. Tutje, bëri thirrje për të mos bërë panik! Si mund të mos panikohet populli kur një deklaratë e tillë del nga vetë kryeministri? A nuk do të duhej një informacion i tillë të mbetej shtetëror?

E pak më vonë tha për thirrjen e prokurorisë: “S’mund të merrem paradite, pasdite, përditë me thirrjen e Prokurorisë; të vijnë në Kryeministri të më intervistojnë.” Si? A nuk është ftuar Kurti si qytetar dhe jo si kryeministër?

Sigurisht që konferenca do të duhej të kishte edhe një deklaratë rreth mosçertifikimit të Listës Serbe. “Nuk mund të pritej qëndrim tjetër nga LVV,” tha ai. E dimë, e kemi kuptuar! Nëse jo veriu, atëherë kush?

***
KOSTT, çka po ndodh me rrymën???

Kështu as pas luftës nuk e kemi pasur! As dy orë gjatë ditës dhe pastaj ndalet! Jo paralajmërim për reduktime, por sabotimi i ditës së qytetarit!!!

***
Koncerti me të cilin Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” shënoi jubileun e 60-të ka qenë një shpalosje e imazhit të tanishëm, duke prezantuar rrugëtimin dhe kontributin e atyre që e sollën deri këtu. Gjashtë dekada më pas, imazhi dallon fort, por jo krejtësisht. Skenën e denjë për të interpretuar nuk e ka as pas një çerekshekulli prej çlirimit, e koncerti të hënën mbrëma u mbajt në një sallë dasmash.

***
I dashur lexues, bëhu ndryshimi që dëshiron ta shohësh në botë! Mos kërko gjëra që vetë nuk do t’i toleroje, bëji dhe ndryshoji!