Arkiva
17 Janar, 2023
Autore: Rozafa Bashota
Note: Mirë se vini në “Botën e Shkrimtarit”, në rubrikën tonë të librave, ku autorë të ndryshëm shqiptarë ndajnë me ju leximet e tyre më mbresëlënëse. Në këtë rubrikë, ju mund të njoftoheni me libra të zhanreve dhe llojeve të ndryshme dhe me botëkuptime të veçanta të shkrimtarëve tanë. Nëse ti je adhurues i librit – sikurse ne – jemi të bindur se do të gjesh të paktën një libër që do të të ngacmojë për ta lexuar. Paper Team
Arbër Selmani është shkrimtar i librit “48 Piano”, moderator i emisionit “Qite n’letër”, në Paper Radio, dhe një entuziast i madh i notit.
Arbëri është person që inspirohet nga çdo gjë: nga familja, nga natyra, nga mungesa, nga tepria, nga mërzia, nga lumturia e të tjerëve, nga mjerimi, nga burrat që e kanë braktisur, nga gratë që iu kanë gjendur pranë.
Gjatë tërë jetës së tij, ai ka punuar në radio, në televizion, në gazetë dhe në një portal kulturor. Pra, i ka eksploruar të gjitha mediumet e gazetarisë në një periudhë prej 12 viteve.
Arbëri është aktivist i të drejtave të njeriut dhe ai niset në çdo gjë me parimin se secili njeri duhet ta jetojë jetën ashtu siç ka dëshirë dhe se bota ka nevojë për të gjitha ngjyrat, dhe si rrjedhojë njerëzit duhet të jenë më mendjehapur dhe duhet t’i pranojnë ndryshimet që ndodhin në kontekstin shoqëror.
Arbëri ka botuar 4 libra, dy me poezi dhe dy të tjerë me intervista gazetareske.
Në këtë rubrikë të re, ne përzgjodhëm shkrimtarin Arbër Selmani për të realizuar një intervistë më personale, më të ndjeshme dhe frymëzuese për të gjithë dashamirësit e librit.
Libri, i cili:
Të ka lënë zgjuar deri vonë:
A.S: Ka shumë libra të cilët më kanë lënë zgjuar deri vonë, por këtu po e përmendi librin “Letër Babait”, nga Franz Kafka – për arsye të ndryshme, por më shumë për faktin se është me plot konflikte dhe është i shkruar në mënyrë shumë të sinqertë për një njeri që ka vuajtur shumë në raportin qe e ka pasë me prindërit e tij. Më pëlqen fakti që është një letër (të cilën realisht babai i Kafkës nuk e ka lexuar kurrë). Më ka bërë shumë ta mendoj letrën si një zhanër interesant letrar dhe ndoshta me kalimin e kohës do të filloj të shkruaj një letër për dikë, pasi që mendoj se është një mënyrë e mirë për me i “shpraz” mendimet.
Të ka bërë të qash në mënyrë të pakontrollueshme:
A.S: Ndoshta jo në një mënyrë të pakontrollueshme, mirëpo libri “Moderniteti dhe Holokausti” I Zygmunt Bauman – i cili ka qenë studiues dhe e ka shkruar këtë libër se si moderniteti edhe sot mund ta lejojë të bëhet një holokaust. Ajo çka po ndodh në Ukrainë na tregon që sot edhe moderniteti ta lejon luftën, por, më ka bërë pak të qaj për faktin se si njerëzit kanë ndërruar mendime për Zotin. Bile, është një pjesë ku viktimat në holokaust e pyesin njëri-tjetrin: “Ku është Zoti që s’po e ndalon çka po ndodh në holokaust?”, dhe njëri prej njerëzve thotë: “Zoti është aty në flakët ku po digjen fëmijët tanë”. Është goxha poetike dhe goxha i thellë fakti se si njerëzit kanë besuar shumë në Zot dhe kanë pritë prej Zotit për ta ndaluar holokaustin, por Zoti në të cilin ata kanë besuar, nuk ka bërë asgjë që ta ndalojë atë që ka ndodhë.
E rekomandon vazhdimisht:
A.S: Mund të them se i rekomandoj dy autorë vazhdimisht, të cilët janë autorë shqiptarë. Anton Pashku dhe Azem Shkreli, mendoj se janë dy shkrimtarë shumë të nënvlerësuar nga gjeneratat e reja, prandaj edhe këtu dua ta rekomandoj lexuesin e Paper Blog dhe dëgjuesin e Paper Radio që të lexojnë çfarëdo lloj letërsie, të shkruar nga Anton Pashku dhe Azem Shkreli.
E ke lexuar për një ditë, aq i mirë ka qenë:
A.S: Prapë dua të them “Letër Babait”, nga Franz Kafka, pasi që është një libër më i shkurtër, i cili i ka ndoshta nja 80-90 faqe. Po ashtu, edhe një libër të Oscar Wilde e kam lexuar për një ditë, i cili është po ashtu një letër sikurse “Letër Babait”, i titulluar De Profundis. Këta të dy i kam lexuar për një ditë. Përndryshe, Oscar Wilde ka qenë homoseksual – në atë kohë nuk ka ekzistuar termi LGBT – por ai ka vuajtur shumë gjatë jetës së tij, i cili e ka përjetuar një dashuri të pamundur. Letra De Profundis që shqip do të thotë “Nga Thellësitë”, e përkthyer nga gjuha latine, është libër i cili tregon kohën kur Oscar Wilde ka qenë në burg dhe është një letër, në të cilën ai iu drejtohet plot njerëzve, ku i fajëson por edhe mundohet t’i arsyetojë disa veprime. Është një libër shumë i thellë…
E ka fillimin më të bukur:
A.S: Librat që jam befasuar që e kanë një fillim shumë të mirë dhe ngacmues janë librat e Adem Demaçit, romanet e tij por edhe esetë. Krijimtaria letrare e Adem Demaçit mua më pëlqen shumë dhe disa libra të tij që i kam lexuar i kanë fillimet goxha të forta dhe mendoj se kjo është aftësi e shkrimtarit se qysh në fillim të të bëjë për vete.
Janë dy libra të Adem Demaçit, ku njëri nga ta është normalisht romani që e ka bërë të famshëm dhe për të cilin ka vuajtur shumë gjatë jetës së tij, romani i quajtur “Gjarpinjtë e gjakut”, si dhe romani “Dashuria kuantike e Filanit”. Të dy librat më kanë pëlqyer shumë. Të dy librat kanë fillime të forta – gjë që të bën ta lexosh krijimtarinë e Adem Demaçit.
Të ka thyer zemrën:
A.S: Ka disa libra që mendoj se ma kanë thyer zemrën, ose më kanë bërë të ndihem pak më i dobët emocionalisht. Së fundmi, e kam lexuar një libër nga shkrimtari japonez Kazuo Ishiguro – është libri “Klara and the sun”. Klara është një prej personazheve në libër, e cila shoqërohet me një shok artificial që është në formë të një roboti, pra nuk është njeri. Por në fund ajo heq dorë nga ky roboti, anipse ky robot bën gjithçka për të…
Spoiler alert: Është një libër që tregon shumë për emocionet e njerëzve dhe mënyrën se si ne i lejojmë njerëzit të largohen prej nesh, edhe pse kemi shumë ndjenja për ta, por në fund bëjmë zgjedhje jetësore. Është shumë i dhimbshëm si libër, dhe mund të them se më ka bërë të reflektoj shumë mbi emocionet njerëzore.
Të ka ndihmuar gjatë humbjes së një personi:
A.S: Librat e parë që i kam lexuar pasi që e kam humbur një person të rëndësishëm në jetë janë librat e Milan Kunderas. Mund të them që janë librat e parë me të cilët jam rikthyer në lexim. Ndoshta 8-9 muaj nuk kam lexuar asgjë, pastaj jam rikthyer me librin “Shakaja” të Milan Kunderas, dhe më pas i kam lexuar edhe disa libra të tjerë, siç janë: “Identiteti” dhe “Mosdija”.
Ka formësuar botëkuptimin tënd:
A.S: Ka plot libra që më kanë ndihmuar mua në botëkuptimin tim, mbi çështje të ndryshme, por po i përmendi tre: “Letër Babait” nga Kafka, “Mami, unë dhe mami”, nga Maya Angelou, dhe do të doja t’I përmendja edhe librat e Elena Ferrante, një shkrimtare italiane, ndër të preferuarat e mija, e cila ende nuk dihet kush është si person.
E ke blerë në udhëtimin tënd të fundit:
A.S: Librin të cilin po e lexoj momentalisht, e kam blerë në aeroport, i cili quhet “Beautiful World, Where Are You”, nga Sally Rooney – shkrimtare nga Dublini, 31 vjeçare, e cila i ka bërë disa bestsellers dhe po bëhet një shkrimtare shumë e mirë.
Nëse do të kishe mundësi të jetoje në një librari apo bibliotekë, ajo do të ishte:
A.S: Do të ishin shumë prej tyre, jo vetëm një. Libraria Dukagjini dhe Buzuku në Kosovë. Në një librari në Londër apo në Strasburg. Realisht, nuk është vetëm një librari në të cilën do të jetoja, por do të levizja kohë pak kohe… Ndoshta, edhe në librarinë më të vjetër në botë, që ndodhet në Portugali.
Thënia e preferuar e Arbërit:
“Respektoje çdokënd – secili njeri po kalon një betejë të brendshme” – A.S