Live Stories from Prishtina

LIVE

March 2, 2023

Autore: Rozfa Bashota

Note: Mirë se vini në “Botën e Shkrimtarit”, në rubrikën tonë të librave, ku autorë të ndryshëm shqiptarë ndajnë me ju leximet e tyre më mbresëlënëse. Në këtë rubrikë, ju mund të njoftoheni me libra të zhanreve dhe llojeve të ndryshme dhe me botëkuptime të veçanta të shkrimtarëve tanë. Nëse ti je adhurues i librit – sikurse ne – jemi të bindur se do të gjesh të paktën një libër që do të të ngacmojë për ta lexuar. Paper Team

Sali Bashota është autor i veprave me poezi, prozë poetike, studime për letërsinë dhe kritikë letrare. Është profesor në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës dhe është – e them me plot gojë – një poet i shpirtit.

Në librat e tij, ai shkruan më së shumti për ndjenjat, për dashurinë, për atdheun, për të bukurën, për optimizmin, për melankolinë, për kujtimet…

Është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit.

Veprat e tij janë promovuar në festivale ndërkombëtare të poezisë, si dhe është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Sot, në Ditën Botërore të Librit, ne përzgjodhëm shkrimtarin Sali Bashota për të realizuar një intervistë më personale, më të ndjeshme dhe frymëzuese për të gjithë dashamirësit e librit.

Libri, i cili:

E ke blerë të parin:

S.B: Mirë më kujtohet. Ishte vjeshtë. Binte shi. Bëja përpjekje ta fusja në gji një libër që të mos lagej. Ishte libri i parë që e kisha blerë. Pra, ishte libri “Në prehën të gjyshes” i Anton Çettës. Ishte viti 1968. Nga ai çast mendoja se fëmijëria ime ishte e ndërtuar në përralla, edhe pse atëbotë unë nuk e kisha ndjenjën sesi ishin gjyshja apo gjyshi, meqë ata kishin ndërruar jetë pa mbërritur unë në këtë botë. Ashtu duke u rritur çdo ditë më mungonin përrallat më të bukura për fëmijërinë.

Kujtimet për blerjen e librit të parë nuk mund të përfundojnë me një përshkrim të shkurtër. Në kujtesën time gjithmonë jam përpjekur ta gdhend atë çast të lumtur, atë ditë vjeshte me shi, frikën se mos libri do të lagej, si dhe mungesën e gjyshit dhe të gjyshes.

Edhe mungesa po merrka kuptimin e veçantë, sa herë i rikthehem kujtimeve të fëmijërisë dhe mallit kur e bleva librin e parë. Ndoshta nga ky moment i kam besuar edhe frymëzimit tim për për t’u marrë me krijimtari letrare dhe për të shkruar vepra letrare.

Për momentin gjendet në komodinën tënde:

S.B: Nuk di se cilin libër ta përzgjedh si më të veçantin. Ka shumë. Librat e bëjnë jetën e tyre edhe nëpër rafte. Sikur ato marrin frymë dhe vazhdimisht presin dorën e lexuesit që t’i shfletojë, ta ndiej aromën e tyre. Aty brenda është bota e ndjenjave, mendimeve, ideve, shqetësimeve, dhimbjeve, luftërave, kënaqësive, dashurive, ëndrrave, fateve, fshehtësive etj.

Megjithatë, po përgjigjem. Midis shumë librave, në komodinën time vend të veçantë zënë veprat e Mid’hat Frashërit, vëllimet 1-7. Jeta, vepra, kontributi i tij për çështjen e kombit mund të jenë shembuj të pazakontë se si një intelektual i përmasave kombëtare arrin të sakrifikojë çdo gjë për idealin kombëtar. Testamenti i tij është shembulli më i mirë se çka mund të bëjë njeriu për atdheun e tij.

E ka titullin më të bukur:

S.B: Të them të vërtetën ndoshta libri që e ka titullin më të bukur është libri “Lum Lumi” i Ali Podrimjes. Po bëhem pak subjektiv, ndoshta edhe për shkak të miqësisë së gjatë që kisha me poetin. Kur kam shkruar për këtë libër, gjithnjë kam menduar se çfarë domethënie ka dashuria dhe dhimbja për fëmijën.

Librat e tillë apo të ngjashëm që lidhen me historinë e fëmijës së shkrimtarëve apo të familjes së tyre kanë peshë dhe rëndësi për autorin që i shkruan, por edhe janë edhe një përvojë interesante. Është e papërshkrueshme kur portretizon edhe buzëqeshjen e fëmijës tënd apo udhëtimin e tij jetësor para çdo sfide. Është një reflektim midis reales dhe irreales përmes një motivimi të fuqishëm që e ka shenjën më të afërt të trashëgimisë. Është shkrim i përjetshëm.

Kur kam shkruar për këtë vepër, ndër të tjera, kam thënë: se vepra “Lum Lumi” fuqimisht bëhet zotëruese e koncepteve dhe ideve në lirikën shqipe dhe pikë referimi për vlerat e kësaj poezie. Aty shpërthen në trajtën më të përsosur të shqipshkrimit metafora e dhimbjes njerëzore (vdekja e djalit), në njërën anë dhe vetëdijesimi për kolektivitetin, në anën tjetër. Këtu qëndron esenca e inspirimit, modelimit, strukturimit të tekstit të tij poetik.

Në këtë vazhdë të pikëshikimit, për të provuar tragjicitetin e dhimbjes familjare (sëmundja, vdekja e djalit), Ali Podrimja e ka kërkuar formën më të arrirë poetike në shqiptimin lirik të ndjenjave pikëllimtare, duke i konkretizuar ato përbrenda situatave shpirtërore, ku çdo gjë mbaron prapë me dhimbje dhe kujtimi e ëndërrimi mbesin trazim i pandërprerë midis jetë-vdekjes.

Kam shkruar shumë ese, trajtesa, studime për vepra të rëndësishme të letërsisë shqipe apo i kam lexuar e rilexuar edhe për vepra që kanë tituj të bukur, si: “Për ty” (Esad Mekuli), “Tufa” (Latif Berisha), “Net shqiptare” (Mitrush Kuteli), “Imazhi gri” (Milazim Krasniqi) “Aroma e qiellit” (Ibrahim Berisha), “Guri i Vashës” (Binak Kelmendi), “Ulli me dy mijë unaza” (Basri Çapriqi), “Paketimi i mërzisë” (Lulzim Tafa)”, “Flutura mes gjinjve” (Mira Meksi) etj.

Edhe unë kam shkruar shumë poezi për fëmijët dhe familjen time. Gjithsesi, “Vjersha që po jepte shpirt”, ku portretizohen vajzat e mia gjithmonë ngjall në mua çastin magjik të frymëzimit, imazhin më të bukur për një krijim poetik.  

Të ka ndihmuar të bëhesh shkrimtar i mirë:

S.B: Librat sikur e krijonin jetën e vërtetë të njeriut. Ashtu mendoja kur i lexoja librat që më pëlqenin shumë. Ndoshta aty fillonte të thurej edhe malli për njerëzit, dashuria për gjërat e bukura apo pasioni për të lexuar sa më tepër dhe për të pasur afër vetes sa më shumë libra që do të ndikonin në formimin tim.

Veprat e shkrimtarëve të traditës lertrare shqipe më kanë pëlqyer dhe që më kanë ndihmuar shumë në formimin tim intelektual, siç janë veprat e Naim Frashërit, Ndre Mjedjes, Asdrenit, Çajupi, Lasgushit, Kutelit etj. Nga librat e rëndësishëm lexuesi nxjerrë mësime vendimtare për të ardhmen e tij.

Kësaj radhe, do të dalloja romanin “Njëqind vjet vetmi” të Markezit.

E ke lexuar disa herë:

S.B: Disa herë i kam lexuar librat e Jeronim de Radës, të Lasgushit, të Fishtës, të Kutelit, të Konicës etj. Sa herë i kam lexuar veprat e këtyre shkrimtarëve kam mësuar e përjetuar shumëçka të bukur. Gjithashtu, kam menduar se u bëra lexues elitar, sepse po mësoja nga shkrimtarë të mëdhenj të kombit tim.

Disa herë i kam lexuar edhe shumë vepra të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë: veprat e Homerit, Dantes, Gëtes, Borhesit, Markesit, Xhojsit, Kafkës, Kanetit etj.

Kur e kam lexuar veprën “Vetëdija e fjalëve” të Elias Kanetit, përkthyer nga Naim Kryeziu, kam mësuar më tepër se si mund të bëhej portretizimi i shkrimtarëve, i shëmbëlltyrave dhe i veprave të tyre, pastaj i jetës dhe i kujtimeve të tyre, për të nxjerrë në dritë ide, tema, episode, ngjarje të shumta dhe të ndryshme, të cilat dëshmojnë për një periudhë të caktuar kohore, të ndërlidhur me procese socio-politike, kulturore, letrare, etj.

Rileximi i veprave të rëndësishme (mendoj se është gabim të bëhet ndarja në vepra të mira dhe në vepra të këqija), i japin mundësi lexuesit ta kuptojë esencën e jetës njerëzore.

Ia rekomandon një të sapo-diplomuari:

S.B: Të rinjve ua rekomandoj librat që ndikojnë në edukimin dhe në formimin e tyre intelektual. Në secilin libër lexuesi gjen diçka që i lë mbresë; e gjen qetësinë shpirtërore, i zgjedh rrugët e jetës, e pasuron dijen e tij, mëson për gjërat që nuk i ka njohur apo nuk i ka ditur deri atëherë. Ata që kanë përvojë me shkrimet e tyre, pra që shkruajnë dhe mendojnë se si të bëhen si Lasgushi apo si Shekspiri apo si Naim Frashëri apo si Borhesi zgjedhin këtë rrugëtim.

Kjo më ka ndodhur mua. Edhe kur jam takuar me një shkrimtar apo kur i kam lexuar veprat e tij, kam ëndërruar të bëhem si Ai, ndoshta edhe me gjestet, ecjen, veshjen, shikimin, por edhe me artin poetik.

Një ndër librat që do t’ia rekomandoja një të sapo-diplomuari është romani “Don Kishoti i Mançës” i shkrimtarit Servantes.

Është një fakt se para disa vjetësh ka qenë një ambient tjetër kulturor në Kosovë, ku libri kishte një ndikim shumë të madh, sidomos te gjeneratat e reja, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Lexohej më shumë, flitej e shkruhej më shumë për librin…

Duhet të jetë në çdo syllabus të universitetit:

S.B: Nuk e di se cilin libër mund ta propozoja që të jetë në programet mësimore universitare. Sigurisht do të ishin shumë. Libra të ndryshëm të llojeve dhe zhanreve të ndryshme. Libra që kur i lexon përherë ndien kënaqësi, aty ku kulmon vlera e vërtetë e artit të madh letrar.

Sigurisht se do të ishin libra që shquhen me tematikën e tyre, por edhe me stilin dhe gjuhën e tyre. Përse mos të jenë “Komedia Hyjnore” e Dantes, “Emri i trëndafilit” i Umberto Ecos, “Hamleti” i Shekspirit, “Don Kishoti” i Servantes apo “Lahuta e Malcis” e Fishtës. “Prilli i thyer” i Kadaresë etj.

Më pëlqeu një thënie e poetit grek, Odhise Elitis, e cili në vitin 1979 e fitoi çmimin Nobel për Letërsi. Elitis thoshte: “Ta mbash Diellin në duar pa u djegur”. Kjo është fuqia e vargut poetik që mund të ketë qindra e mijëra mendime për to. Disa shkrimtarë gjithmonë kanë menduar se duhet të jenë dëfryes të shpirtit njerëzor dhe jo predikues të idealeve shoqërore dhe politike.

Në çdo syllabus të universitetit do të propozoja veprën “Emri i trëndafilit” të Umberto Ecos.

Do t’ia jap fëmijës tim ta lexojë/ia kam dhuruar fëmijës tim ta lexojë:

S.B: Fëmijëve të mi do t’iu propozoja që të lexojnë libra sa më shumë në mënyrë që t’iu ndihmojnë për ta pasuruar diturinë e tyre. Ky do të ishte optimizmi i pasionit për lexim. Natyrisht, libra të shkrimtarëve që e kanë mbizotëruar edhe qytetërimin e botës në kohë dhe në periudha të ndryshme historike: Homeri, Shekspiri, Gëte, Borhesi, Markezi, Dante, por edhe të shkrimtarëve shqiptarë: Naimi, Fishta, Lasgushi, Konica, Kadare etj.

Padyshim, do t’iu propozoja libra të rëndësishëm dhe me vlerë, të cilët kanë ndikuar dhe mund të ndikojnë edhe sot në perspektivën e çdo shoqërie njerëzore, por edhe librat e mi me poezi të cilët ua kam dhuruar fëmijëve të mi, sidomos “Në fillim ishte Drita” dhe “Lutja e parë e shpirtit”.

Më mbush me shpresë:

S.B: Veprat me vlerë gjithmonë e kanë efektin dhe ndikimin e tyre për të krijuar kënaqësi te lexuesi. Kjo kënaqësi e ka domethënien e vet, se çka bëhet më e dashur apo më e lumtur për njeriun, duke i kërkuar shenjat që e lartësojnë bindjen se aty thuren gjërat e bukura, atëherë kur ato lexohen me vëmendje.

Libri që më mbush me shpresë ndoshta do të ishte “Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit.

Nëse do të kishe mundësi të jetoje në një librari apo bibliotekë, ajo do të ishte:

S.B: Deri më 2 gusht 1998 unë e kisha një Bibliotekë shumë të pasur me libra në vendlindje. Atë e dogjën forcat ushtarake e policore të Serbisë.

Mungesa e kësaj Biblioteke nga ajo ditë e deri më sot ka krijuar tek unë një dhimbje të përhershme, e cila tashmë është shndërruar me diçka që kurrë nuk do të mund të zëvendësohej.

Edhe kur e marr lapsin në dorë apo kur ndodhem para kompjuterit gjithnjë më del përpara imazhi i shtëpisë dhe i bibliotekës së djegur. Imazhi i dhimbjes. Imazhi i shkrumbit. Imazhi i dorëshkrimeve dhe i librave të djegura.

E tash, si do të jetoja në një librari apo në një bibliotekë?

Thënia e preferuar e Sali Bashotës:

“Tërë jetën duhet të mësosh që të mos bëhesh kurrë mosmirënjohës” – S.B.