Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Prill, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Suksesi, arritjet shpesh shkëlqejnë më fort aty ku kompromiset mbeten të padukshme. Jeta moderne shpërblen shpejtësinë, qëndrueshmërinë dhe dobishmërinë, ndërsa në heshtje merr nga hapësirat e brendshme që i mbajnë njerëzit njerëzor.

Shkurt, shpejt ja çka ndodhi kah Kosova…

Një ndër ligjet më “kreative” që kemi është ai për festat zyrtare. E pak me ra festa në fundjavë, hiç mos u mërzit se në Kosovë e shtyjmë për një ditë pune.

Kështu, java filloi me pushim për Pashkët ortodokse.

Ndërkohë që sot e martë, qyteti po vlon nga veturat, që i çojnë fëmijët deri para derës së shkollës. Aq shumë festa, sa njerëzit këto ditët e pushimit kanë udhëtu jashtë vendit e ja kanë bo një pushim vetes. Plus edhe që ishte pushimi pranveror, e kanë pasë “free” edhe prej shkollave.

Le ta pranojmë që produktiviteti te ne është më shumë koncept teorik se praktik.

E për mos m’i mbetë borxh kësaj teme, në maj na presin edhe tri ditë pushimi. Njëra prej tyre Dita e Evropës, që i bie të shtunën, por natyrisht që do të “rilindë” të hënën.

Sikur te kishim pasë veç këtë.

Pas tri palë zgjedhjeve, ende jemi në fazën “po provojmë me e kuptu si funksionon shteti”.

Ajo që qarkullon prej tetorit që mund të përfundojmë në zgjedhje të reja në maj s’po tingëllon më si teori.

Pas vendimit të Kushtetueses, e cila vendosi një afat për zgjedhjen e presidentit/es, partitë po ta japin ndjenjën në bazë të asaj si po sillen sikur kemi kohë me bollëk. Në realitet, janë veç disa javë. U mbajtën disa takime mes liderëve.

Deri tash, kjo situatë ka ec qishtu:

PDK-ja e do postin, por fillimisht kërkon një marrëveshje me shkrim nga Kurti një lloj “po-je” paraprake për një emër që ende s’është thënë. Pra, kërkohet garanci që do të pranohet çdo kandidat që vendoset më vonë. Mund t’i vësh çfarë etikete të duash kësaj, por “konsensus” nuk tingëllon fort bindshëm.

LDK-ja në anën tjetër, e ka vijën e kuqe: nuk pranon që LVV-ja të mbajë edhe postin e tretë. Argumenti është balanca, shmangia e monopolizimit.

Ironia? LDK-ja ishte po ajo që ndihmoi në zgjedhjen e presidentes në 2021-ën, edhe pse ka pasë kundërshtime të brendshme, pra duke ja mundësu praktikisht tri poste LVV-së. Pra, sot kemi qëndrime të forta, por dje kemi pasur fleksibilitet interesant.

AAK-ja e ka zgjidhjen gati: Ramush Haradinaj për president. Por kjo është më shumë ofertë partiake se kompromis. Lej ti ato deklaratat për tërheqje, lidhja me partinë nuk shkëputet kurrë seriozisht.

Dhe një kandidat “i pavarur” që në fakt nuk është aq i pavarur, nuk e bind askënd që kërkon neutralitet.

Ndërkohë, partitë e komuniteteve joshumicë janë në pozicionin klasik. Ato vendosin në bazë të marrëveshjeve politike, e aktualisht, shumica e tyre janë më afër pushtetit.

Në të njejtën kohë, ideja e ish-presidentes Vjosa Osmani se “të gjithë më donin” bie shpejt në kontakt me realitetin, pasi asnjë parti nuk e propozoi si kandidate të veten. Sepse në politikë, nëse ekziston vërtet një figurë konsensuale, ajo zakonisht bëhet e dukshme shumë shpejt. Këtu, nuk ndodhi.

Sa për “popullin” kjo është pjesa më e lehtë për t’u testuar, por që s’po testohet. Zgjedhjet janë mënyra e vetme për ta matur këtë pretendim.

Inflacioni në mars doli të jetë 6.7% dhe kjo pa përfshirë rritjen e fundit të çmimeve të naftës dhe efektin zinxhir që ka sjellë. Pra, realiteti është edhe më i rëndë se statistika.

***
Një vajzë 13-vjeçare jeton ditët e vështira të Kosovës në vitin 1999, kur pritej ndërhyrja e NATO-s për të ndalur krimet ndaj shqiptarëve. Ngjarja zhvillohet në Prishtinë, sot kryeqyteti i Kosovës. Kjo histori është bërë film dhe do të shfaqet për herë të parë në një nga festivalet më të rëndësishme në botë. Filmi i ri i Blerta Bashollit, “Dua”, është përzgjedhur në “Java e Kritikës” në Festivalin e Filmit në Cannes, në konkurrencën zyrtare. Nga mbi një mijë aplikime nga më shumë se 100 vende, “Dua” është një nga vetëm shtatë filmat në garë.

Me kalimin e kohës, funksionimi i vazhdueshëm mund ta zbehë mrekullinë, ta ngushtojë ndjeshmërinë dhe ta shtypë praninë. Një erozion i qetë ndodh kur vlera kthehet në performancë dhe lidhja në utilitet. Një jetë që funksionon në mënyrë perfekte mund të ndihet ende e paplotë. Uljet dhe ngritjet janë të domosdoshme për jetën❤️