Të dashur lexues të jetës politike shqiptare,
Dje u duk sikur korridoret e pushtetit nuk kanë qenë kurrë më të zhurmshme dhe jo për shkak të duartrokitjeve. Vizitat e papritura të krerëve të BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit) në dyert e kryeministrisë kanë ngritur vetullat e të gjithëve, ndërsa kryeministri, sipas zërave që qarkullojnë, ka zgjedhur t’i lërë mysafirët e tij të armatosur në pritje, mjaftueshëm gjatë për të reflektuar mbi arsyen e ardhjes së tyre.
Kush janë këta zëra do të thonit ju?
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka komentuar publikisht në Top Story. Shehaj deklaroi se Rama i ka mbajtur drejtuesit e BKH-së në pritje për rreth dy orë, pasi sipas tij ishte i trembur dhe kërkonte të dinte arsyen e mbërritjes së tyre.
Ndërkohë, arsyeja qëndron tek zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, emri i së cilës përmendet më fort se çdo kush në çdo deklaratë dhe është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, një kujtesë e ftohtë se drejtësia, sado vonë, di të trokasë edhe në dyert më të fortifikuara.
Në anën tjetër të qytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në një situatë po aq delikate, ligjërisht kryetar, praktikisht i munguar.
Bashkia kërkon udhëzim nëse paga duhet të vijojë për një kryetar që nuk mund të paraqitet në zyrë, ndërsa ligji, si gjithmonë, flet me gjuhë të ftohtë dhe pa ndjenja.
E për të shuar zërat e thashethemeve, eksperti Ervin Karamuço kujton publikun se skenat e tensionit mes BKH-së dhe institucioneve nuk janë dramë oborri, por zbatim i rregullores së vitit 2019 sepse edhe në këtë mbretëri moderne, armët, protokollet dhe nervat e tendosura kanë vendin e tyre të paracaktuar.
Ah, të dashur lexues… pushteti mund të veshë kostume elegante, por nën to fshihen gjithmonë frika, pritja dhe vendimet që s’pyesin për reputacion dhe si përherë, kjo kronikë ju siguron se radha nuk pyet për emra, vetëm për kohën e duhur.
Këtu përherë,
paper writer
