Live Stories from Prishtina

LIVE

2 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmengjesi i dashur lexues, shpesh mendoj se nuk ka gjëra të bukura në jetë nëse nuk e mendon investimin por poashtu nuk ka investim të sigurt. Të duash, në çfarëdo forme, do të thotë të jesh i cenueshëm. Duaj çfarë të duash dhe zemra jote patjetër në rastet kur je i investuar do të thyhet në çdo raport. Po a nuk është kjo ajo që sjellë shërimin, ndërrimin, evolimin e njerëzve?

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Pakënaqësitë paszgjedhore brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kulmuan me daljen në publik të (jo të gjitha) mesazheve, me akterë hiç më pak se kryetari i subjektit, Abdixhiku, ish-kryeministri Avdullah Hoti e ish-kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e si çështje; “manipulim brenda partisë me vota të diasporës”, nuk kaluan pa reagimin e të parit të kësaj partie.

Abdixhiku paraqitet të jetë i gatshëm dhe këtë ua ka thënë të pakënaqurve, pra, Hotit, Gashit, Selmanajt etj. që t’i nënshtrohet garës së brendshme për kryetar partie. Këtë bile e kishte thënë edhe Kica-Xhelili, në një intervistë në Debat Plus, pasi Abdullah Hoti, e kishte bërë publik shkrimin për “lidership” të ri të LDK-së.

“Hapja e garës” brenda LDK-së për zgjedhje të bredshme, u përmend gjatë ditës nëpër studio televizive, madje për mos me zgjatë kjo “dramë turke”, thanë se le t’i realizojnë zgjedhjet brenda kryesisë.

Një parti kaq demokratike toleron edhe zgjedhje të brendshme demokratike a po?

Këtë bile mundemi me pa edhe me qëndrimin e Abdixhikut, përmes pjesës të II, të bisedave që u publikuan dje.

Abdixhiku fton për “përmbajtje” deri në përfundim të procesit të numërimit ndërsa fton që çdo dilemë dhe dëshmi ta adresojnë në mbledhje të kryesisë dhe në Prokurori e polici e në institucione përkatëse.

***

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në RTK Prime ka folur rreth çështjes së tarifave të reja të energjisë. Rizvanolli për rritjen e çmimit të energjisë, tha se Zyra e Rregullatorit për Energji, si institucion i pavarur, ka publikuar raportet konsultative më 14 mars dhe ka propozuar një rritje mesatare të çmimit rreth 15 për qind. Ajo tha se duhet të shtohet edhe numri i blloqeve të konsumit.

“Ne si Qeveri kemi bërë disa analiza dhe kemi dërguar disa komente gjatë procesit konsultativ të cilat do t’i ndaja me qytetarët. E para: kemi propozuar që rritja (çmimit) të zbutet dhe për këtë kemi dhënë disa argumente në bazë të analizave se si mund të ndodhë kjo (zbutja e çmimit). E dyta: të mos preken nga rritja amvisëritë që konsumojnë nën 800 kilovat orë për muaj dhe e treta, të shtohet numri i blloqeve të konsumit duke shtuar një ose më shumë blloqe të konsumit mbi konsumin 800 kilovat orë që e kemi aktualisht”, tha ajo.

***

Revista “Balkanism” që kohë më parë ishte botuar në Londër, që numri i parë kishte dalë dikur në tetor, por tani po promovohet në Prishtinë, në hapësirën Sekhmet. Revista trajton tema të ndryshme nga Ballkani i larmishëm, me dizajn të bukur dhe redaktim të mirë.

Promovimi do mbahet më 2 prill, në orën 18:00, në Sekhmet, Prishtinë.

***

Unë kurrë nuk zgjohem në mëngjes për ta pyetur veten pse jam këtu. Zgjohem dhe pyes veten pse nuk po e bëj më të mirën vendin ku jetoj.