Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Gusht, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!


Dita e mirë shihet në mëngjes, sidomos kur një natë përpara ke dëgju lajme të mira. Atëherë e ndjen lirinë të dashurosh edhe natën e edhe ditën.

E hëna në Kosovë i ka shku tamam për shtati përfundimit të verës e pothuajse fillimit të shtatorit që e konsiderojmë si një lloj fillimi i “vitit të ri”. Ja shpjegimi i Kosovës n’24 orët e fundit:

***

Melankolia më shtin me qenë e dhimbshme!  15 minuta me hy në Merdare? 10 minuta me dal nga Merdarja? 1 orë pritje tek Dheu i Bardhë? 30 minuta dalja prej aty? Më vjen me qajt tash që nëpër asfalte veçse ka nis mos me u ndi zhurma e veturave të diasporës. N’markete u zvogëlu radha. Shporta e konsumatorit edhe naj ditë fillon me pas zbritje tash. U bënë vite që në çdo fund të muajit gusht dëgjojmë për torturat që secili prej diasporës i duron për me ardhë në “tokën e tyre të premtuar”, e tash minutat qenkan zvogëluar, se kanë nisë me mësu për atë ide që ua patën kriju deri sot. Më nuk ka grumbuj të veturave, se nuk e kanë prit të gjithë orën 06:00 të mëngjesit edhe ditë e fundit të gushtit për me u nis!!! Pare kanë lanë mjaftushëm… veç rinia mos të mashtrohet me u largu.

***

S’ka më patentë shofer ilegal serb!? A është përnjëmend apo vetëm një rregull tjetër që kur prap nuk ju pëlqen ndërkombëtarëve dhe kur duket që vendimet të tilla po e përshkallëzojnë situatën me komunitetin serb, ndërrohet kthehet qysh ka qenë? Me një vend që ka ligjin edhe kushtetutën e vetë, a kemi me pas ende nevojë më na e rujt shpinën Amerika e ndërkombëtarët, a po duhet ende me ju përshtatë 4 përqindëshit, të komunitetit jo-shumicë serb?

***

Prindërit tashmë ua kanë mësyrë librarive për t`i blerë për fëmijë – disa qenkan anku që ende nuk u kanë dal mjetet finaciare! Çka nëse ju tregoj që ka prind që s’u janë kompenzuar as paratë e mjeteve prej vitit të kaluar! Bota ka qenë “drejtë”, kur librat menjëherë pas pavarësisë kanë qenë pa para!!!

***

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe deklaratat e saj rreth Trepçës “si objekt i keqpërdorimit” e së fundmi edhe skemës për efiçeiencë. Ah Kosovë…vend ku burokracia është sport ekstrem. Qysh mundet një person me elegancën e zakonshme politike me fol aq shumë por me jap gjithmonë shumë pak??

***

Kosova sikur ka një superfuqi në vete që e ruan për raste të veçanta, sidomos në kulturë dhe sport. Dokumentari “Krahët e punëtorëve” nën regji të Ilir Hasanajt ka fituar çmimin kryesor “Grand Prix” dhe “Si e verdhë e sëmurë” nën regji të Norika Sefës, fituese e çmimit të jurisë ndërkombëtare për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Lubjanë

***

Edhe sot mos ki frikë të ulesh së bashku me hijet tua. Tento të krijosh dhomë për dritën dhe errësirën tënde, kjo të bën si person më të matur. Duaje veten tënde, vizitues i kësaj jete.