Dje n’Kosovë
19 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ndoshta nuk duhet të përpiqemi të “jemi vetja”, por të ndalojmë së shpenzuari kaq shumë energji duke u shqetësuar se çfarë mendojnë të tjerët.
Përfaqësuesit partiak nuk kërkuan ndihmën e presidentes për t’i dhënë zgjidhje konstituimit të Kuvendit. Juristët thonë se kontestin nuk mund ta zgjidhë as Kushtetuesja.
Janë kthyer në rutinë krizat institucionale – ato shpërfaqen pas çdo procesi zgjedhor në Kosovë. Një vend që ka kaluar mbi një dekadë e gjysmë të shtetësisë, vijon të ngecë në hapin e parë të konstituimit të institucioneve – këtë herë për shkak të verifikimit të mandateve të deputetëve. Dy seanca radhazi kanë dështuar për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve – një hap procedural që do të duhej të ishte formalitet, por që është shndërruar në arenë përballjeje politike mes dy taborëve në Kuvend.
neni 26 e 29, mollë sherri
(Seanca e parë konstituive e 15 prillit nuk përfundoi me sukses për shkak të mospajtimeve lidhur me raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve. Në të njëjtën mënyrë dështoi edhe seanca e dytë, e mbajtur më 17 prill, duke i shtyrë edhe më tej procedurat e nisjes së punës së Kuvendit të ri.
Në qendër të mosmarrëveshjes janë aktet e dorëheqjes nga funksionet e dyfishta të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë fituar mandat si deputetë, por mbajnë ende pozita qeveritare. Ligjvënësit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë refuzuar të votojnë raportin duke kërkuar që këto dorëheqje të dorëzohen zyrtarisht dhe të jenë të dokumentuara në raport. Në mungesë të kësaj, ata pretendojnë se procesi përbën shkelje të kushtetutës e ligjeve dhe se do të krijonte precedent që në të ardhmen do të kontestohej edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Këto dorëheqje kabineti qeveritar i paraqiti në Kuvend pikërisht në ditën e seancës konstituive. Ligji për Qeverinë në nenin 26 parasheh që nëse anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga kjo pozitë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Por neni 29 i të njëjtit ligj, thekson se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon, nëse ai zgjidhet deputet ose edhe kur i përfundon mandati i rregullt Qeverisë).
Teksa tash, në këto momente (13:28), po mbahet seanca e tretë, me shpresën se do të “zhbllokohet Kuvendi”.
Askush nuk ju drejtua presidentes Vjosa Osmani për takim rreth funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës. Nga Presidenca bënë të ditur se askush nuk shfaqi interesim për zgjidhje.
***
Rrëfimi personal, thellësisht prekës dhe emotiv i një burri tash 48 vjeç, ka shkaktuar tronditje të thellë te gjithsecili që e pati fuqinë për ta dëgjuar Ramadan Nishorin deri në fund – në ato 35 minuta që do t’i jenë dukur si 35 vjet.
Nishori, i pari burrë që doli të tregonte se ishte dhunuar seksualisht nga policia serbe më 1998, me gjithë vështirësinë në frymëmarrje që ja shkaktonte ripërjetimi i poshtërimit më të madh që kishte përjetuar në jetë, foli hapur dhe qartë.
Dje, Vasfije Krasniqin, Shyrete Tahirin dhe Ramadan Nishorin, presidentja Vjosa Osmani i nderoi me titullin “Nderi i Republikës”.
***
Të premten, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi Qeverinë në detyrë dhe ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çekun, se po i përdorin – siç ka thënë – institucionet e pavarura për t’i bllokuar projektet në kryeqytet. Rama mbajti konferencë pasi që të martën e kësaj jave, për herë të dytë janë ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Ai ka thënë se projekti për këtë shesh nuk cenon objektet e trashëgimisë kulturore.
E në përgjigjen e MKRS-së thuhet se Komuna e Prishtinës ka vepruar kundërligjshëm kur ka nisur punimet në zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, pa marrë leje nga institucionet përgjegjëse.
***
Nëse do të jetonim një jetë ku gjithçka shkonte sipas planit, do të humbnim gjithë dramën, trishtimin poetik dhe skenat e mrekullueshme ku ne qëndrojmë në dritaren e dhomës duke parë shiun me një shprehje tragjike në fytyrë.