Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Mars, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

 

I dashur lexues, kur e sheh këtë artikull dhe zgjedh ta lexosh për arsyet e tua (pa marrë parasysh cilat janë ato), uroj që sado pak fjalitë hyrëse të rezonojnë me realitetin tënd dhe ta kuptosh që çdo gjë që sot shkakton dhimbje dhe pakënaqësi, nesër do të jetë më e vogël.

Në një botë plot me njerëz të mrekullueshëm, të lutem mos harro se edhe ti je një prej tyre. Është normale të ndihesh i vogël, madje edhe i parëndësishëm, kur takon njerëz të rinj. Është e lehtë të njohësh sa të mahnitshëm, të bukur dhe të talentuar janë të tjerët dhe të harrosh pikat e tua të forta, por ti ke vlerën tënde.

Çfarë ndodhi dje në Kosovë?

Dje u thirr një konferencë për media nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Serbia ka ndikuar në zgjedhjet e 9 shkurtit përmes metodave të ndryshme, përfshirë ofrimin e përfitimeve financiare, kërcënimeve dhe shantazheve në favor të votimit të Listës Serbe. Ai theksoi se cak i kërcënimeve ka qenë edhe vetë ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Sipas tij, jo vetëm që serbëve iu imponua votimi i Listës Serbe, por pati imponim edhe mbi kandidatët që duhej të votonin.

Kurti ka theksuar se për të arritur një rezultat të favorshëm për Listën Serbe u përdorën kërcënimet, ku mori pjesë edhe udhëheqësi në terren i sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiqi. (E ju, ku ishit kur ka pasur ndërhyrje të tilla?)

E pabesueshme se sa joserioze duket kjo konferencë kur bëhen pohime të tilla.

Për çdo ndërhyrje të kujtdo qoftë, sidomos të Serbisë si një agjent armiqësor, a nuk i bie përgjegjësia qeverisë aktuale për t’u përgjigjur nëse veçse ka ndërhyrje të tilla? Përmes kësaj konference, kujt po i kërkohet llogari për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjen e deputetëve të Kosovës, sipas shijes së Vuçiqit? Ku ka qenë KQZ? Ku ka qenë policia dhe shërbimet? Ku ka qenë Ministria e Drejtësisë?

***

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka refuzuar si të pasafatshme ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje për anulimin e rezultateve të votimit me postë dhe përsëritjen e votimit.

Ndërkohë, PZAP-i e ka pranuar ankesën e LVV-së lidhur me rinumërimin e 1,631 votave të shpallura si të pavlefshme nga votimi nga jashtë vendit, ashtu siç ishte edhe propozimi i Sekretariatit të KQZ-së.

Ankesa e Vetëvendosjes është aprovuar me arsyetimin se është e bazuar.

****

Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë do të nisin shumë shpejt, pasi gjatë fundjavës janë vendosur edhe rrethojat që ndalojnë kalimin në këtë zonë. Ky projekt, i cili në tender parashihet të ketë vlerën prej mbi 18 milionë eurosh, po konsiderohet si shumë i kushtueshëm nga opozita në kryeqytet.

Ato rrethoja, për të cilat duhet të ecësh metra më larg për të arritur tek destinacioni që ke në mendje, janë një problem. Sepse, siç dihet, “sheshi” ka dy hapësira ballë për ballë. Ata që e njohin zonën e dinë se, për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, duhet të shkosh deri te “Grand Hotel” vetëm për të arritur tek “Beni”. Dhe kështu, kush nuk ka nerva, nuk shkon fare.

Se sa për plan, si do të duket e çka do të bëhet, gjithmonë “befasohemi për të mirë”… le ta shohim!

***

Filharmonia e Kosovës është në një festë të dyfishtë, duke çuar traditën muzikore të vendit në Bernë. Ky është udhëtimi i parë i institucionit muzikor për këtë vit. Koncerti organizohet për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Zvicër.

Sikurse në Prishtinë, koncerti pritet të nisë në orën 19:30 dhe të përfundojë dy orë më pas.

***

Lexues, thjesht dua të të kujtoj se, edhe pse ka 7.9 miliardë njerëz në këtë botë, ti je ende unik. Ti ke rëndësi. Dhe ekzistenca jote është e rëndësishme. Zërat në kokën tënde mund të thonë gjithçka, por nuk janë të gjithë të vërtetë. Ti je kaq i veçantë. Ka ardhur koha ta njohësh më në fund vlerën tënde.