Dje n’Shqipëri
15 Prill, 2026
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, ti gjithmonë e bën zgjidhjen e duhur, ti gjithmonë ja del. Është brenda teje dhe sa herë sfidohesh më shumë, aq më shumë e zbulon fuqinë tënde🤍
Çfarë po ndodhë në Shqipëri?
Një hulumtim i bazuar në të dhënat e Eurostat tregon se Shqipëria ka shënuar rritjen më të shpejtë të çmimeve në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së fundit, duke kaluar nga vendi me çmimet më të ulëta në rajon në vendin më të shtrenjtë.
Në vitin 2015, niveli i çmimeve në Shqipëri ishte 48.3% e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa në vitin 2024 arriti në 70.6%, duke shënuar rritjen më të madhe në rajon. Në të njëjtën periudhë, Serbia kaloi nga 51.4% në 67%, Mali i Zi nga rreth 56% në 64.2%, Bosnjë-Hercegovina në 58.4%, ndërsa Maqedonia e Veriut mbeti vendi me koston më të ulët me 54% të mesatares së BE-së.
Sipas hulumtimit, rritja e çmimeve në Shqipëri është përshpejtuar sidomos pas vitit 2021, e ndikuar nga shtimi i turizmit, kërkesa më e lartë për banesa, qira, ushqime dhe shërbime.
Ndërkohë, pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Në vitin 2025, paga mesatare bruto në Shqipëri ishte 860 euro, më e ulët se në Serbi me 1290 euro, Bosnjë-Hercegovinë me 1245 euro, Mal të Zi me 1206 euro dhe Maqedoni të Veriut me 1100 euro. Vetëm Kosova mbetet më poshtë me 639 euro.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria po afrohet me Evropën në nivel çmimesh, por jo në nivel të ardhurash, duke rritur presionin ekonomik mbi familjet dhe duke shtyrë shumë qytetarë të bëjnë blerje në vendet fqinje ku produktet dhe karburanti kushtojnë më lirë.
***
Shoqatat e transportit publik në Shqipëri kanë njoftuar reduktimin me 40% të numrit të autobusëve në Tiranë dhe të mjeteve të transportit në rrethe, duke nisur nga 15 prilli, si reagim ndaj mungesës së mbështetjes nga institucionet për përballimin e rritjes së çmimeve të karburantit.
Vendimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme për subvencione dhe pas një takimi me autoritetet më 1 prill 2026, i cili sipas operatorëve nuk solli asnjë zgjidhje konkrete. Shoqatat deklarojnë se nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për karburantin, nuk ka plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare, nuk është caktuar afat për ndërhyrje dhe nuk ka nisur rishikimi i taksave që ndikojnë në kostot operative, si akciza, TVSH-ja dhe taksa e qarkullimit.
Sipas tyre, kjo situatë ka rënduar ndjeshëm gjendjen financiare të sektorit dhe i ka detyruar të marrin masa emergjente për të vazhduar aktivitetin. Operatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe planifikim të kohës së udhëtimit, duke theksuar se reduktimi i shërbimit nuk është vullnet i tyre, por pasojë e mungesës së reagimit institucional.
Ndërkohë, shoqatat shprehen të gatshme për dialog, por kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.

