Java n’Kosovë
8 Qershor, 2025
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ke humbur ndonjë lajm këtë javë? Mos u ndje keq jeta është më e lodhshme se lajmet. Ne i kemi mbajtur disa shënime të rëndësishme. Këtu janë pesë storjet e javës që mund të t’i kenë shpëtuar këtë javë, të kuruara nga redaksia e Paper dhe të personalizuara për ty.
Kurti rrit shtesat, e llogarit derisa të dalin 2,075.4 euro
E di çfarë është lajm i mirë në Kosovë? Ai që nuk vjen veç si status, por ndihmon në fund të muajit. Nëse je nënë e re ose po bëhesh, shteti ka vendosur të të tregojë dashuri në euro dhe jo vetëm me urime. Qeveria në detyrë ka rritur ndjeshëm shtesat për lehonat, të punësuara e të papunësuara.
“Nga 170 euro në 325.9 euro – është një rritje prej 91.7%, apo siç do të thoshte ndonjë, thuajse një dhuratë foshnjore me vlerë dyfish.” Kjo, sipas tij, është pasojë e “reflektimit të pagës minimale të re” – pra, një reflektim më i thellë se çdo pasqyrë filozofike.
Për nënat e papunësuara, kjo do të thotë që për gjashtë muaj do të marrin mbi 1,955 euro, dhe nëse shtojmë edhe 20 eurot për fëmijën çdo muaj, rezultati është një përkrahje me plot 2,075.4 euro. Të paktën matematikisht, kjo tingëllon si një shtet që jo vetëm të thotë “urime për lindjen”, por edhe e shton një transfertë bankare pas saj.
Për lehonat e punësuara, përfitimet janë gjithashtu të majme. Tre muaj me pagesë nga Qeveria në vlerë 319.5 euro në muaj, e më pas tre muaj të tjerë me 325.9 euro dhe kjo është përveç atyre 70% të pagës që u takojnë nga punëdhënësi.
Vendimet e qeverisë në detyrë
Kur mendon që një qeveri në detyrë s’ka më shumë punë veçse të ruajë karriget, kjo e jona i ka marrë të gjitha dosjet e zyrës dhe ka nisur t’i nënshkruajë një nga një. Vendime për paga, për komplekse memoriale, për shpronësime, për rregullore të reja… Si me thënë, punë për një mandat, por të kryera në pritje të zgjedhjeve.
55 euro më shumë për mbi 80 mijë zyrtarë publikë, duke nisur nga muaji korrik. Një rritje e dytë në më pak se gjashtë muaj, për të cilën Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli me qetësi: “Nga 755 euro në 856 euro paga mesatare.”
Plus, ndarje fondesh për projektin memorial në Prekaz, shpronësime në Gjilan e Podujevë, dhe rregullore të reja për administratën. Me pak fjalë: është duke lënë përshtypjen që më shumë punë po bëhen tani, sesa kur kishin mandatin e plotë dhe kjo, disi, flet shumë.
400 fabrika dhe një vendim që po fik dritat e industrisë
Tregu i lirë i energjisë në teori, tingëllon si progres. Por për 400 fabrika në Kosovë, është kërcënim për mbyllje. Vendimi që i detyron bizneset me mbi 50 punëtorë të blejnë rrymën në tregun e hapur, ka sjellë protestë, revoltë dhe paralajmërim për ndërprerje. Përfaqësuesit e odave ekonomike po kërkojnë një fazë tranzicioni të drejtë, ndërsa disa biznese thonë se KEK-u po i detyron të firmosin, ndryshe fiket rryma. Ironia? Fikja e rrymës mund të sjellë edhe fikje të prodhimit.
Kuvendi dhe numri 28 – sezoni që s’ka fund
Seanca e 28-të e Kuvendit për të zgjedhur kryetaren përfundoi si gjithmonë: pa kuorum, pa marrëveshje, dhe me më shumë inate sesa argumente. VV kërkon votim të fshehtë, duke shpresuar për ndonjë rebelim nga opozita; opozita refuzon. Ndërkohë, deputetët i refuzojnë njëri-tjetrit edhe propozimet më bazike, vetëm nga inati. Institucionet janë kthyer në lojë nervash. Dhe qytetarët? Ata presin, shikojnë, dhe ndoshta pyesin: “A kemi Kuvend funksional apo sezon të ri seriali?”
Shqipëri–Serbi, një penallti që nuk hyri, një fitore që nuk erdhi
Air Albania u ndez, rrugët e Tiranës gumëzhinin, dhe Shqipëria pati gjithçka përveç një gjëje: golin. Kundër Serbisë, një penallti e humbur nga Rey Manaj dhe disa raste të shpërdoruara bënë që ndeshja të mbyllet 0:0. Mitaj, Bajrami, Daku luftuan fort, por rrjetat mbetën të paprekura. Serbia pati rastet e veta, por asgjë konkrete. Ishte një ndeshje ku emocionet ishin më të forta se statistikat, dhe ku një gol i vetëm do të kishte ndërruar narrativën. Por kështu është futbolli shqiptar: shpesh, i bukur por jo i mjaftueshëm.