Dje n’Kosovë
17 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Bota nuk është krijuar për të qenë një garë për pamje dhe përshtatje me një standard të caktuar. Ajo është një hapësirë ku secili prej nesh ka mundësinë të shprehë individualitetin e tij/saj, duke kontribuar me historinë e vet. Çdo person është si një paletë ngjyrash që pasuron këtë galeri të madhe, duke krijuar një pasuri diversiteti që e bën botën më të bukur dhe më të pasur.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Edhe pse ky artikull u dedikohet ngjarjeve të një dite më parë në Kosovë, le ta fillojmë duke shprehur ngushëllime familjeve në Maqedoninë e Veriut, të cilat humbën më të dashurit e tyre në tragjedinë në Koçan, ku 59 persona humbën jetën, ndërsa 155 të tjerë pësuan lëndime të rënda pas zjarrit që kaploi diskotekën “Pulse” nga lëndët piroteknike. Qeveria mori vendim që vendi të jetë në 7 ditë zie.
Lehtësim për dhimbjen e atyre që sot janë gjallë. Pushofshin në paqe shpirtrat e viktimave!
Kjo mund të jetë tragjedia më e madhe në Ballkan që nga përfundimi i luftës së fundit. Telegramët e ngushëllimeve nuk munguan nga krerët tanë vendorë dhe të huaj.
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Bie një gur, e lëviz një mur!”. Le të jetë kjo një mësim i nxjerrë nga një tragjedi, ku shteti nuk duhet të lejojë asnjë biznes të operojë pa standarde të plotësuara.
***
“Nëse dëshiron të dish për gjendjen e një populli, shikoje gjendjen në media.”
Në Kosovë këtë muaj bëhen 5 vite pa gazeta të shkruara, që kur pandemia bëri të vetën.
Qysh bre nuk bën diçka shteti karshi kësaj problematike? Gjenerata që rriten pa parë gazeta në raftet e kioskave, pa e parë gjyshin/gjyshen duke blerë gazetën ditore… kjo është një humbje kulturoro-edukative.
Të mbash një gazetë të shkruar, me ndryshimet që ka sjellë pandemia në ekonomi, është e vështirë, por a nuk mund të ndryshojë fare kjo situatë?
E kur jemi tek mediat: në vitet ’80 dhe ’90, kur Zëri i Amerikës ka qenë zëri i shpresës për shqiptarët e etur për informim, po të më kishte thënë dikush se ky medium do të mbyllej nga qeveria e vet, do të hyja në konflikt me këdo që do ta kishte lëshuar këtë llaf. Por çdo epokë e paska fundin, edhe ato më të artat. Vendimi erdhi nga presidenti Trump në vazhdën e ndërprerjeve të financimit të mediave të mbështetura nga SHBA-ja.
***
Meqë e filluam me përkujtime, dje ishte 27-vjetori i protestës me bukë për Drenicën, e organizuar dhe udhëhequr nga gratë e Kosovës. Kjo protestë erdhi si kundërpërgjigje dhe ftesë për ndërgjegjësim pas masakrës në Prekaz dhe rrethimit të Drenicës nga forcat serbe.
Faleminderit ikonave si Flora Brovina, Melihate Tërmkolli, Vjosa Dobruna, Edita Tahiri, Sevdie Ahmeti e Edi Shukriu, që i prinë kësaj proteste.
Jeni rikujtuese të reziliencës shqiptare!
***
Lejo që çdo kujtim për njerëzit e tu të jetojë thellë në ty. Asnjëherë nuk e dimë cila është hera e fundit që i shohim, përqafojmë apo nuhasim aromën e njerëzve më të dashur. Thuaj “të dua” në gjuhën tënde çdo ditë.