Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Mars, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

A keni vënë re ndonjëherë se si mbledhni copa të vogla prej njerëzve pa e menduar? Një frazë këtu, një zakon atje, sikur të jeni një jorgan i madh me lara-lara. Duke qepur brenda të gjithë ata që kanë kaluar në jetën tuaj. Unë/ ti jemi një mozaik – një koleksion i çrregullt dhe shumëngjyrësh i të gjithëve që kemi takuar gjatë rrugës.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit në akademinë përkujtimore për Epopenë e UÇK-së, ka thënë se, luftërat nuk i takojnë veç të kaluarës dhe ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian. Ai ka thënë se rreziku i një agresioni ushtarak s’është larg kufijve të Kosovës.

Kurti ka thënë po ashtu se përpjekja për sigurinë dhe paqen do të vazhdojë me investimet në siguri, me aleancën e palëkundur me vendet demokratike, SHBA-në, vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë e të tjera, e me bashkëpunimin, sidomos me Shqipërinë.

***

A mos po dorëzohet VV-ja?

Kryetarja e grupit parlamentar, ka bërë me dije se VV-ja nuk do ta bëj qeverinë e re me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Në intervistë për “Ditarin Kosova” në A2 CNN, Kusari-Lila ka deklaruar se partia në pushtet nuk hynë në koalicione joparimore.

Pra nuk ka kandidatë fare, a nuk ka qenë kështu edhe me komentet që janë bërë në fushatë ndaj partive opozitare?

***

Organizata Artpolis dje ka mbajtur aktivitetin me leximin poetik “Poezi për Fuqi”, si një “akt revolte, i guximit për tu shprehur e shëruar. Kjo mbrëmje poetike erdhi si një thirrje për të jetuar plotësisht me mosperfeksionin tonë – në perfeksionin tonë për me dashuru e frymëzu njani-tjetrin.” Poezitë janë lexuar në qendrën kulturore / restorantin Menza dhe në të interpretuan: Anisa Ismaili, Arbresha Grabovci Nixha, Bibi Qena, Blerta Syla Surroi, Ergjan Mehmeti, Gili Hoxhaj, Ilire Zajmi, Maja Mitiq, Qendresa Kajtazi, Rudina Dembacaj, Sheqerie Buqaj, Vlora Ademi dhe Xhejlane Tërbunja. Udhëheqjen e kësaj mbrëmje poetike e bëri regjisorja Zana Hoxha.

***

Ne të gjithë jemi si njerëzit me të cilët kemi qeshur, debatuar, mësuar dhe humbur dhe kur tërhiqemi dhe shikojmë të gjithë pamjen – kaosin, të çarat dhe të gjitha ngjyrat prap shohim diçka mjaft të bukur. Unë shoh prova që kam jetuar, njësoj edhe ti lexues.