Dje n’Kosovë
13 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ti je tashmë përditshmëria ime, i dashur lexues/e dashur lexuese, andaj çdo fjalë me të cilën e nis këtë artikull, e shkruaj sikur t’ia thoja vetes. Sot vendosa ta ndaj këtë reflektim me ty: Është plotësisht normale që herë pas here të ndihesh i/e paplotësuar dhe i/e zhgënjyer nga jeta jote. Kjo gjithmonë do të ndodhë. Udhëtimi yt në këtë botë nuk do të jetë i lehtë, por kjo nuk do të thotë që gjithmonë do të jetë i vështirë.
***
Çfarë e karakterizoi të dielën dhe të shtunën në Kosovë?
Qeveria e parë e zgjedhur pas luftës ishte e para legjislaturë që e nisi dhe e përfundoi mandatin e plotë, i cili, sipas Kornizës Kushtetuese, zgjaste tre vjet. Pas kësaj vijuan zgjedhje pas zgjedhjesh, prej të cilave vetëm dy u mbajtën pas skadimit të mandatit “kushtetues” (2004 dhe 2007), ndërsa pesë të tjera u quajtën të parakohshme (2010, 2014, 2017, 2019, 2021).
Zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, po vijnë pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar të kësaj qeverie. A mund të përmendësh, i dashur lexues, ndonjë projekt madhor të kësaj qeverie që ta ka lehtësuar apo përmirësuar jetën?
Pastaj, imagjino një parti që udhëhoqi vendin për një mandat dhe nuk ka program për qeverisje. Premtimet e saja, të përmendura dje në tubimin në Mitrovicë (në cep tjetër), janë ato të njëjtat që pati përmendur në vitin 2021. Për t’i përmendur ato ekziston hezitimi, sepse nuk janë realizuar. Nëse pyet “pse?”, arsyet që do të të thonin me siguri janë mungesa e kohës për shkak të rrëmujës së lënë nga ish-pushteti.
VV e nisi fushatën në Gjakovë. Matematika pas kësaj erdhi sipas sloganit “cep më cep”. Edhe mirë bëri. Në të njëjtën ditë, në një orë të ngjashme, nuk e di nëse do të kishte salla të mjaftueshme për një tubim tjetër.
Befasuese ishte angazhimi i dy partive opozitare, PDK dhe LDK, që mbushën Pallatin e Rinisë dhe sallën 1 Tetori me elektoratin e tyre. Ndërsa ngjarja kryesore e së dielës ishte ajo e AAK-së, e cila zgjodhi ta hapte fushatën me nderime në Prekaz, ashtu siç u takon çlirimtarëve.
Një gjë: Votuesit në Kosovë ndryshojnë mendje shumë shpejt. Ata nuk japin më shanse të dyta si dikur. Me një gjeneratë Z që voton për herë të dytë dhe shumë votues të rinj për herë të parë, probabiliteti për të provuar Lumirin, Bedriun, Ramushin apo edhe dikë nga Koalicioni për Familje është mjaft i lartë.
Nëse VV ka hyrë në këto zgjedhje shlirë, pa program dhe duke llogaritur në 500 mijë zemra, shumë lehtë mund të ndodhë e kundërta, ose mund të na befasojë gjatë rrugëtimit. Ndoshta ndonjë përgatitje e kanë lënë për kah fundi i fushatës? Si dihet…
Kaçaniku dhe Ferizaji nuk janë pikërisht në qendër të Kosovës, anojnë kah cepi, por djathtistët i kishin mbushur mjaft mirë.
Njerëzit duan të dëgjojnë programe, more…
***
Ndoshta, për shkak të zgjedhjeve dhe pak të “bigut”, nuk keni pasur shumë kohë për të menduar se çfarë po ndodh në aspektin kulturor. Vetëm sa për t’ju njoftuar, ndoshta jeni të interesuar për koncertin e Filharmonisë.
Kohët e fundit, ka interesim për programet e orkestrës. Shyqyr që po ka!
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës rikthehet në skenë me koncertin e parë për vitin 2025. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescaseroli, duke sjellë një program romantik.
Programi do të hapet me uverturën “Finlandia” nga Jean Sibelius, për të vazhduar me koncertin për violinë të kompozitorit Max Bruch, interpretuar nga violinistja shqiptare Abigeila Voshtina, dhe do të përmbyllet me poemën simfonike “Isle of the Dead” të Sergei Rachmaninoff-it, një vepër e frymëzuar nga piktura e artistit të famshëm zviceran Arnold Böcklin.
Mos harroni të rezervoni datën: e premte, 17 janar 2025, nga ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
***
Shpresoj që ende mund të shohësh gjithçka si një gotë uji gjysmë të mbushur. Sepse gjithçka do të kalojë. Lufta do të përfundojë. Do të gjesh zgjidhjen shpejt. Dhe jeta jote nuk do të jetë kështu përgjithmonë. Mund të zgjasë pak kohë, por do të jesh mirë.