Dje n’Kosovë
1 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Bëj atë që the se do ta bëje. Mbaje fjalën tënde, jo vetëm kur është e përshtatshme, por edhe kur është e vështirë, kur askush nuk të sheh, kur askush nuk të duartroket. Integriteti nuk ka të bëjë me përsosmërinë, ka të bëjë me përputhjen, ka të bëjë me zgjedhjen e asaj që është e drejtë, mbi atë që është e lehtë.
Çka ndodhi dje në Kosovë, edhe kur e mbanë, edhe kur se mbanë fjalën?
Gjykata Kushtetuese ka vendosur se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e deputetëve serb. Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të 30 shtatorit.
Deputetët janë të obliguar që gjatë votimit të nënkryetarit serb të veprojnë në interes të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën. Nëse Kuvendi nuk konstituohet në afatin e caktuar, ekziston mundësia e shpërndarjes dhe shkuarjes në zgjedhje të reja.
Çysh ka thanë edhe ai i moçmi: “Vaj halli për ne”.
***
Gara në zgjedhjet lokale po shkon duke u bërë më interesante; dje redaksive të mediave (jo vec asaj që e publikoi) ju paska shku një audio-incizim i kryetarit aktual si dhe kandidatit për Drenas, Ramiz Lladrovcit.
Pas publikimit të një audio-incizimi ku dëgjohet Ramiz Lladrovci duke biseduar me një ndërtues për një objekt në një parcelë komunale, kryetari i Drenasit e quajti këtë publikim “shantazh politik”.
Ai akuzoi kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe drejtues të tjerë të partisë se kanë shpërndarë incizimin për frikë nga humbja në zgjedhjet në Drenas. Lladrovci publikoi edhe një bisedë të vjetër me Vlora Çitakun, ku sipas tij ajo pranon se incizimi pa autorizim është vepër penale dhe dëmton partinë. Ai kërkoi publikimin e plotë të audio-incizimit, duke thënë se pjesët e publikuara janë të nxjerra nga konteksti.
***
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka hedhur poshtë pretendimet se pezullimi i Dialogut Strategjik me Kosovën lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm, duke theksuar se vendimi është i bazuar tërësisht në veprimet e Qeverisë në detyrë.
Zëdhënësi i Ambasadës ka thënë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën, por kërkon nga qeveria një angazhim për stabilitet dhe shmangie të veprimeve destabilizuese. Kryeministri Albin Kurti argumenton se pezullimi lidhet me çështje të sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe refuzon idenë që Kosova duhet të paguaj “çmimin” për përpjekjet amerikane ndaj Serbisë.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përmendur se vendimi është nxitur nga përpjekja e Kurtit për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale.
***
Ti nuk ndërton një jetë të fuqishme duke shkuar rrugëve të shkurtëra, gënjeshtrave dhe premtime të thyera. E ndërton duke u paraqitur me ndershmëri, me vendosmëri dhe me djersë. Ji ai lloj personi që do ta respektoje vetë. Nuk të duhet një audiencë për të qenë i fortë, të duhet vetëm një standard.
Dhe nëse ke gabuar? Mirë. Tani e di ku të ngrihesh. Mbaje vijën. Qëndro i vërtetë. Ti ja del.