Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Qershor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Kur je në prag të dorëzimit, mos e merr si rastësi. Ai moment është testi i fundit.
Shumica dorëzohen aty. Por jo ti. Sepse ke ardhur shumë larg për t’u tërhequr tani.
Zgjedhja është e jotja: ose jep gjithçka deri në fund, ose jeto me krenarinë që nuk e le veten të dorëzohesh!
Mos harro, Morgan Freeman nuk e mori rolin e tij të parë të madh në film para moshës 52 vjeçare.

***
Sepse nuk kemi Kuvend, mbetemi pa fondet e Bashkimit Evropian – ndërkohë që Serbia tashmë ka filluar t’i përfitojë ato, me arsyetimin se “është treguar konstruktive në procesin e normalizimit me Kosovën.” Sinqerisht, as vetë nuk e kuptoj çfarë nënkuptohet me “konstruktive” në këtë rast, e as ku qëndron ky konstruktivitet. Por në fund të fundit, nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendojmë ne. Rëndësi ka se çfarë mendojnë ata që ndajnë fondet. Dhe ata, duke na parë nga jashtë, ndoshta mjaftohen vetëm me një seri episodash nga jeta politike kosovare për të konkluduar se sa joserioz jemi. Dhe se, ndoshta, më shumë nuk meritojmë.

***

Dje përfundoi viti shkollor.

Edhe për fëmijët parashkollorë ishte dita e fundit, dita që shënon mbylljen e një etape, nëse jo më të bukurës, atëherë asaj më të pastër dhe më të pafajshmes në jetën e njeriut.

Në programin lamtumirës për fëmijë, nga 20 nxënës ishin mbledhur për të na treguar çfarë kishin mësuar. Formonin grupe nga tre vetë dhe me duart e tyre të vogla e të buta, na demonstruan se si funksionojnë ligjet e fizikës e të kimisë, me pak ndihmë njerëzore. Thuajse edukatoret donin të na kujtonin, nëse ende nuk e kemi kuptuar, se e ardhmja e çdo vendi qëndron mbi dije, mbi shkencë dhe mbi zhvillimet që ajo sjellë. Thuajse donin të na thonin se ky do të duhej të ishte drejtimi ku duhen orientuar fëmijët që, në gjysmën e dytë të këtij shekulli, do ta kenë në duar fatin e këtij vendi.

Një brez i ri, i rritur në liri, që fatmirësisht, përtej lojës së tyre pa shqetësime, është ende i pavetëdijshëm për peshën e jetës që ne të rriturit e jetojmë këtu, në Kosovë.

***

Ndërkohë në botë krisi një luftë e re dhe nuk është edhe një si ato luftërat civile në Afrikë që kryesisht askush nuk i llogarit, përderisa nuk e ka ndonjë interes të madh minerar a financiar.

Të premten para gazetarëve, Trumpi u pyet për një propozim që ai meriton çmimin Nobel nëse arrin t’i jap fund luftimeve Iran-Izrael.
“Epo, është dashur të më jepnin Nobelin për Ruanda-Kongo ose mund të thoni Serbia dhe Kosova… mund të thoni për shumë. E madhja është Indi-Pakistan… por nuk më japin sepse atë ua japin vetëm liberalëve”, ka thënë ai.

E te ne, “krisi” KEK-u dhe rryma. Prap.
Dje, në ditën e parë të verës, KESCO doli për të na thënë se duhet kursyer rrymën, për shkak se prodhimi lokal është në kolaps dhe se rryma tash duhet të blihet nga jashtë. KEK-u doli për të thënë se blloqet po punojnë, por në fund doli se vetëm një bllok po punonte, e ai mjafton për 10% të sasisë që Kosova e konsumon.
Vlerësohet se me çmimet aktuale të tregut, Kosova do të duhet të importojë rrymë në vlerë prej 2 milionë eurosh në ditë, derisa të stabilizohet prodhimi. Çka po ndodh KEK-u nuk ka lajmëru asnjëherë më herët se nuk mund të prodhoj rrymë? Sidomos tash verës!!

Për herë të parë, në këto 25 vjet të pasluftës, KEK-u parashikon që sot mos me e prodhu asnjë KW energji elektrike. Wow!

***

Suksesi nuk vjen gjithmonë herët. Dhe nuk të ndryshon gjithmonë.
Harrison Ford ishte marangoz deri në të 30-at, duke ndërtuar mobilje për regjisorët, pa e ditur se po ndërtonte edhe një shteg drejt famës.
Një ditë u thirr për të vendosur mobilje në shtëpinë e George Lucas dhe përfundoi në audicion për Star Wars. Sot është ikonë, por ka zgjedhur të jetojë larg dritës së famës. Ai është dëshmi që suksesi mund të vijë vonë dhe që puna jote anësore mund të jetë porta për në fatin tënd.