Dje n’Kosovë
21 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Lexues i dashur,
Nëse ndodhë që je duke u përballur me ndonjë ndryshim në jetën tënde, e di çfarë duhet të bësh? Ta marrësh si ndryshim!
Ndryshimi nuk është armik. Ai është mësuesi më i vërtetë që na jep jeta. Asgjë nuk ndodhë që gjërat të bëhen më keq se ç’ishin!
Çka ndodhi dje në Kosovë?
***
Në LVV insistojnë se Haxhiu është kandidatja e vetme për kryeparlamentare dhe thonë se do t’i bëjnë votat për votimin e saj. Opozita nuk ndryshon qëndrim – nuk e votojmë Haxhiun.
Një ditë përpara herës së katërt, për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht qëndron mbi përzgjedhjen e parë – e sado që nuk e votuan, ende qëndrojnë po ashtu edhe partitë opozitare.
Kurse një ditë më herët, kryetari i AAK-së bëri të ditur se do ta votojë Kryetarin e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, nëse të propozuarat do të ishin Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi.
Me moskalimin e Kryetarit të Kuvendit të shtunën – në mungesë të të paktën 57 votave – seanca konstituive e radhës është caktuar për sot (ora 15:00).
***
Si pasojë e zhvillimeve në tregjet globale, 103 milionë euro ka humbur Trusti vetëm për katër muaj. Megjithatë, zyrtarët e Trustit thonë se strategjia e diversifikimit i ka zbutur pasojat.
***
Ramadan Nishori, burri i parë që është rrëfyer hapur për përvojën e tij si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka treguar se rrëfimi i tij publik ka shërbyer si nxitje që edhe të tjerë të ndërmarrin hapin e vështirë për të kërkuar ndihmë.
Në një intervistë për emisionin Interaktiv Talks, Nishori tha se pas daljes së tij publike më 14 prill, dy burra të tjerë – të dhunuar gjatë periudhës së luftës – janë paraqitur në organizatën KCRT për të kërkuar mbështetje.
***
Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Emilja Rexhepi, referuar rivales së saj nga i njëjti komunitet, Duda Balje, ka thënë se si politikane nuk është e atillë që vendos kushte si “formimi i komunës së boshnjakëve” dhe më pas “ndryshimi i qëndrimeve”.
Në një intervistë për Infokus, ajo tha se ka votë për Albin Kurtin për të ndërtuar qeveri.
“Nuk jemi nga ata politikanë që vendosin kushte”, tha ajo.
Deputetja boshnjake Duda Balje të shtunën nuk dha votë “pro” për emrin e propozuar nga partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Madje, në një deklarim për emisionin Kallxo Përnime mbrëmjen e së shtunës, Balje bëri të qartë se do të qëndrojë në opozitë dhe se nuk do të ndryshojë mendje.
“Tash edhe me qenë unë në opozitë, nuk ka me ndryshu asgjë. Unë jam e sigurt që Vetëvendosje ka me gjetë zgjidhje. Ne sot kemi vendosë me shku në opozitë. Ne sot kemi vendosë dhe nuk besoj që ka me ndodhë ndonjë ndryshim”, deklaroi Duda Balje.
***
Besimtarët ortodoksë dhe të krishterë festuan dje festën e Pashkëve. Paqja dhe mirësia qoftë mbi ta.
***
Sot, Paper Play Radio ka filluar transmetimin live me skemë programore edhe në Shqipëri.
Mëngjesi fillon për pak (sepse ora tani është 06:34) në orën 7:00, me Tinën dhe Albanin nga Prishtina, së bashku me Ermirin dhe Matian nga Tirana.
Nga ora 11:00, me Erëzën nga Prishtina dhe Suadën nga Tirana.
Nga ora 15:00 me Uranin nga Prishtina, dhe nga ora 17:00 me Shukin nga Prishtina dhe Redin nga Tirana.
Let’s gooo!
***
Jetën nuk e drejtojmë dot gjithmonë, por mënyrën si e trajtojmë – PO. Sepse në jetë vijnë humbjet, largimet, vonesat, ndryshimet pa paralajmërim. Por ne kemi gjithmonë zgjedhjen se si t’u përgjigjemi atyre. Mund të presim që jeta të bëhet më e lehtë, ose të bëhemi ne më të fortë. Nuk është gjithmonë në dorën tonë se nga ku frynë era, por është në dorën tonë se si ngremë velat.