Dje n’Kosovë
8 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmëngjesi i dashur lexues,
uroj që çdo ditë ta fillosh aq bukur, sa bukuria e zemrës tënde kur diçka e mirë të ndodh. Mos lejo asnjëherë që njerëzit të zbehin dritën tënde, vetëm sepse ata verbohen prej saj. Thuaju të vënë syze dielli 😎
***
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Një fjalë e urtë shqipe thotë, citoj: “miku harrohet, po largohet.”
Në kohë fushate, Kryeministri Kurti thoshte: “Ne e provuam 51 ditë bashkë, nuk bëmë, tash as 5 orë s’mundemi me ta.” E kishte fjalën për LDK-në. E tash, kur numrat e Nismës (nga ajo që po përmendet në media) nuk i kryejnë punët, LDK-ja po bën tash, a? “Tutna” që do t’i nisë letër edhe PDK-së e AAK-së.
Me LDK-në nuk u larguat vetëm ju, por edhe ata nga ju.
Me përgjigjen “jo” që i dha dje LDK-ja pas përpjekjes më të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të rikthyer në tavolinën e bisedimeve Lidhjen Demokratike të Kosovës, u tregua se “miku harrohet, po largohet”. Ju ndoshta do të thoni “nuk ishin miq” – ishin, ishin, derisa Kurti nuk u bashkua me Osmanin.
“Jo-ja”, siç u theksua nga nënkryetari Lutfi Haziri, nuk është e re dhe nuk ndryshon.
“Ne kemi thënë jo. Ne e kemi thënë para dy javësh. Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar,” – tha ai në “DPT me Fidanin”.
Ai kritikoi gjuhën dhe veprimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Kryeministrit Kurti, duke i akuzuar për “polarizim” të popullatës.
Pasojat e asaj çka themi (çfarë hajvanash!), i paguajmë vetë!
Përpjekje pa rezultat
***
Kur krejt sytë duket t’i kenë ngulitur te pyetja “a po formohet Qeveria Kurti 3?”, sigurisht që rol kryesor kanë edhe pakicat.
Deputetja e SDU-së, Duda Balje, në një prononcim gjatë emisionit “Debat Plus”, ka ftuar publikisht kryeministrin Albin Kurti që të marrë pjesë në një dëgjim me qytetarët në Reçan, ku pritet të diskutohet për çështjet që prekin komunitetin boshnjak.
Ajo theksoi se vendimi i saj për të mbështetur ose jo qeverinë e ardhshme do të bazohet nëse plotësohen kërkesat e saj.
“Kam kushte për të votuar qeverinë e Kurtit. Unë do të bëj një dëgjim publik ku është i ftuar Albin Kurti në Reçan, me bisedu me boshnjakët – veç me tregu ditën dhe kohën. 4 vite nuk ka gjetur kohë me vizitu boshnjakët. Nëse boshnjakët thonë jo, do të them edhe unë jo. Nëse thonë po, do të them po. Kam kërkesat e mia, sikurse krejt deputetët e tjerë. Nëse bën barazi mes deputetëve boshnjakë, do ta votoj Kurtin me dy duart,” – tha Balje.
***
Qysh bre “ndalohet me ligj incizimi i një zyrtari publik”, kur vetë i thërrasin gazetarët?!
A keni zëdhënës për media që ua tregon qysh shkon kjo punë, apo jo?
ZRrE-së tentuan t’ua largojnë gazetarët e kamerat nga mbledhja, ku do të flitej për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Zyrtarët që punojnë aty duhet ta dinë që gazetarët kanë të drejtë edhe të zbulojnë informacione konfidenciale, e lëre më në një takim të paralajmëruar si “konsultim me palët e interesit”, nëse përmbushet një kusht.
Ai kusht ‘mbret’ është interesi publik, i paraparë edhe me nenin 200 të Kodit Penal të Kosovës.
E kur jemi te ligjet: zyrtari i ZRrE-së nuk tregoi asnjë ligj që e ndalon këtë xhirimin e takimit.
Cili ligj po u shkelka me incizim, kur bëhet fjalë për interes publik?
***
Nganjëherë prezenca jote është aq qetësuese, sa që ti ndikon edhe në shërimin e personave të tjerë rreth teje.
Dikush i do të gjitha ato që ti nuk i pëlqen tek vetja.