Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sa dhimbje e bukur është të prekesh nga koha. Në rininë tonë e ndjejmë mungesën e të ardhmes me padurim duke pritur se çfarë do të vijë dhe pastaj qetësisht madje pa e vërejtur fare, bëhet sot. Ditët e djeshme, pa pritur fillojnë të duken larg, por unë e kujtoj të gjithën edhe momentet që ishin të vogla dhe kalimtare. Kur mbyllim sytë mund të ndjejmë gjithçka, ashtu siç ishte më parë.

Çka ndodhi dje ne Kosovë?

Mezi s’presim me ia kthy tjetrit. E mbajmë inatin në frigorifer, e ruajmë të freskët, e kur vjen momenti bumm!

Kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka treguar në emisionin Pressing në T7 për takimet që ka pasur me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Ai madje shfaqi në detaje se si u pajtua me Kurtin që ai të ishte Kryetar i Kuvendit. E që pjesa interesante; tha se këtë po e bënë, sepse Kurti foli në RTK, për atë se çka folën me Limajn, sepse s’do të tregonte për ndryshe. E pse s’ke tregu prej fillimit? Tash që po e dinë që nuk propozohesh nga ta, je edhe ma larg gjykimit të votuesve a po? Na, ashtu-kështu e dimë për këto marrëveshjet e pazëshme, të heshtura.

“Në takimin e parë, diskutuam tema gjenerale. Në takimin e dytë Kurti ka shprehur dëshirë për bashkëpunim, pra për koalicion. Unë i thash çka po kërkoni nga ne, nëse po kërkoni numrat, unë ua jap numrat, nëse e ke veç për numra. Më tha jo, po dua partneritet. Kurti ka ofru një opsion për qeverisje. Që Nisma me qenë pjesë e qeverisë. Unë i kam thënë se jo nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e qeverisë, ne duam partneritet në nivel Kuvendi. Po shkojmë në minimum, i thash. Aktualisht nuk mund të të ndihmoj në qeverisje. Duam i thash partneritet Kuvendi dhe paketë ligjore. I thash se jam i gatshëm ta marrë detyrën e Kryetarit të Kuvendit.” – tha Limaj.

Mos e ke menduar në këtë paketën ligjore edhe propozimin për ndryshimin e përqindjes për pragun zgjedhor?

***
Mbi 600 milionë euro! Mbi 600 milionë lexues! Edhe “ë-ja” i shtohet fjalës “milion”, kur bëhet është shumë! Mbi 600 milionë kanë humbur me projekte të pezulluara ose ato të shtyra në projekte të pezulluara, e 7 milionë janë humbur tërësisht.

Për gati dy vjet, Republika e Kosovës u përball me masat e Bashkimit Evropian, e cila vendosi masa ekonomike, që ndikuan me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore. Instituti GAP ka bërë një raport të detajuar për “Ndikimin financiar të masave të BE-së”.

Fushat më të prekura përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.

Mjedisi edhe mund t’i shohë, nashta në raportin e BE-së me ngjyra.
114 milionë në energji nashta presin t’i nxjerrin me shtrenjtim të rrymës tash.
15 milionë në kulturë janë shndërru në teatre që na mirëpresin në çdo javë, e ku asnjë shfaqje më nuk sabotohet.
E këto 7 milionë janë shndërru në legjendë, garant do të flitet për to edhe ma vonë.

***

Në shtatë ditë, presidentja e vendit mori dy “letra dashnie” të shkruara në dialektin e urrejtjes, me gramatikë të plagosur dhe me fantazi kriminale në krizë identiteti.

Letra e parë mbërriti më 19 maj. E dyta, fiks pas një jave, pra dje. Kjo teknikë quhet “kërcënim me afat mesatar të skadencës”. Nuk është shpejt, por as s’është ngadalë. Është tamam ritmi i dikujt që ka kohë me u marrë me ty, por jo aq shumë sa me dalë prej shtëpisë.

“Jan nis me t’vra k***, edhe shpihunat e serbis polici shka jan me arm kontrabandume”, thuhet në mesazhin e dytë.” Është mesazhi i dytë, që ka marrë presidentja e vendit.

Kjo s’është thjeshtë një fyerje. Kjo është një thirrje për revolucion të shkruara me dialektin e burrave që pinë kafe me katër sheqer dhe i marrin lajmet nga “memes”. Janë edhe më të rrezikshëm, sepse nuk e dinë që “shka” është fjalë që djegë më shumë se një molotov.

***

Tentim për censurë që kulmon me sabotazh nga autoritetet komunale në Ferizaj janë prapaskenat për shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, një satirë politike me tekst të Jeton Nezirajt në regji të Agon Myftarit. Por Teatri i Ferizajt “Adriana” nuk ka ndërmend të dorëzohet. Shfaqja do të jepet më 14 qershor, me tekst të plotë të shfaqjes. Përderisa autoritetet komunale kanë heshtur, në lojë është futur edhe Dega në Ferizaj e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që ka konfirmuar se është kërkuar të hiqen disa pjesë, por se “nuk kanë hequr skena”. “Kjo është skandaloze”, ka thënë dramaturgu Neziraj, për të cilin raste si këto nuk janë të panjohura.

***

Era e freskët e trëndafilave, të vallëzosh me këngën e preferuar në përsëritje vazhdimisht, t’i ndjesh faqet e një libri të mirë në gishtat e tu, të dalësh në xhiro vonë pa destinacion në mendje, flokët e tua që t’i merr era, oqeani në mëngjes, kur dielli zgjohet nga gjumi, lotët kur qave në momentin kur the lamtumirën. Koha është e pafund dhe nuk ndalet për askënd.