Dje n’Kosovë
18 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
“Po kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave më kërko, aty do të jem i fshehur unë. Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë, mjafton që librin pak ta heqësh dhe unë do të zbres, do të vij pas teje; ti, si dikur, me mall do të qeshësh, si një blerim pas një rrëkeje.” Mirëmëngjes lexues, pse mos ta nisësh ditën me këto vargje të Dritëro Agollit?
Sa do të doja të të ftoja në mendjen time për ta dëgjuar këngën që luhet brenda saj përderisa lexoj këta rreshta, por meqenëse nuk je, imagjino edhe ti një këngë… dhe mos e harro diellin.
Këta rreshta kanë hijeshi me rrezet e diellit që të prekin fytyrën. Këto rreze janë njerëzit që nuk janë më me ne, rrezet janë kujtimet e tyre që na ngrohin.
Të dielën vonë ndërroi jetë babai i ish-presidentit, Hashim Thaçi. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) u bë e ditur se Gjykata Speciale ka vendosur të mos e lejojë ardhjen e ish-presidentit në ditën e varrimit.
A ka humbur humaniteti? Kur humbë një anëtar të familjes, a nuk është çdo moment i rëndësishëm për familjarët, njësoj si në lindje? Ramush Haradinajt, kur gjykohej në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, iu lejua ardhja në Kosovë, ndërsa në anën tjetër dikush tjetër ia vrau vëllanë, Enverin. Si ka mundësi që një gjykatë që funksionon me Kushtetutën e Kosovës të jetë më e pa mëshirshme duke mos ia lejuar ardhjen ish-presidentit Thaçi?
Varrimi i Haxhi Thaçit do të bëhet sot nga ora 15:00 dhe ndoshta do të ketë një pjesëmarrje masive për t’i dërguar një mesazh Gjykatës Speciale!
Sido që të jetë, këto informata vijnë nga ajo që ka bërë të ditur OVL-UÇK. Gjithçka mbetet të shihet sot.
***
Dje nuk munguan telegramet dhe letrat e ngushëllimeve për familjen Thaçi, nga presidenca e qeveria.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se për moslejimin e pjesëmarrjes së ish-presidentit në varrimin e babait të tij, do t’i drejtohet gjykatës me kërkesë.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara në respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde ajo që kuptuam nga mediat, se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
“Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara.”
***
Në një grabitje të armatosur dje (të hënën) në “Veternik” të Prishtinës, mbetën të plagosur dy persona. Sipas Policisë, grabitja u krye ndaj një furgoni që transportonte para. Në QKUK po trajtohen dy të plagosur. Sipas burimeve, njëri është pjesë e kompanisë që transportonte paratë, ndërsa tjetri dyshohet se është grabitës.
***
Revista “Me Diell”, me numrat e saj të pandalshëm, ka sjellë freski në peizazhin e shtypit, i cili tash e pesë vite është i mangët sa i përket botimeve ditore. Kjo revistë periodike ka publikuar numrin e tretë, ku ekipi editorial ka sjellë lloj-llojshmëri shkrimesh nga kultura, arti, muzika, ilustrime, recensione dhe tekste më të gjata.
Sara Kelmendi na rikujton poetin e madh Esat Mekuli, Vesa Sahatçiu sjellë një intervistë me artisten Valbona Zherka, por ka edhe shumë shkrime të tjera, si ai nga Uran Haxha. Revistën e gjeni te libraria Dukagjini, Soma dhe Tartine.
***
Ajo që njerëzit kujtojnë është fillimi dhe fundi… si fillojmë dhe si mbarojmë. A duhet të jenë fundet e njerëzve pa më të dashurit? Jo… asnjëherë. “Në gëzim e në hidhërim,” thotë populli, dhe ashtu duhet të mbetet.