Dje n’Kosovë
5 Shkurt, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ndonjëherë, sfidat dhe vështirësitë nuk janë pengesa, por përgatitje për ëndrrat që ke kërkuar. Çdo gjë që po kalon tani mund të jetë një pjesë e rrugës që të çon drejt suksesit, rritjes dhe forcës. Pranoje çdo përvojë si një mësim dhe beso se universi po të përgatit për diçka të madhe.
Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Ani, a keni ju ndonjë grup në WhatsApp, që frikësoheni mos po ua sheh dikush bisedat, a jo? Ndonjë llaf kujt me ia dhënë tenderin, a? Ndonjë grup me kolegë, a?
E kështu… A dëgjuat që Gjermania ishte “buzë recesionit”? Bile… bile njerëzit ishin duke menduar të kthehen për të jetuar në Kosovë.
Para katër muajsh, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitares në rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi – aktakuza ndaj të cilit peshon për dëm prej rreth 37 milionë eurosh.
Sipas gazetës Nacionale, e cila e ka siguruar dokumentin e procesverbalit të marrjes në pyetje të znj. Dejona Mihali, mes të tjerash, konfirmohet nga vetë Mihali se ekzistonte një grup në WhatsApp, ku Nagip Krasniqi, veç të tjerëve, njoftonte Mihalin dhe kryeministrin Kurti për të gjitha lëvizjet në KEK.
Në përgjigje të pyetjes nga prokurori se pse ishte pjesë e këtij grupi, ajo thotë: “Vetëm për shkak të raporteve.”
“Ju duhet të kuptoni se grupi nuk është për shkak të pozitave, por për shkak të raporteve kolegiale ndër vite në fushën e energjitikës, dhe të gjithë njerëzit aty kanë qenë të përfshirë në ideimin e programit tonë për energjitikën.”
Ka mundësi që tash kjo “prokuroria e kapur nga shteti” në një mënyrë edhe e ka orkestruar vetë krejt këto dëshmi dhe këtë ngjarje tragji-komike.
***
Në tubimin zgjedhor në Podujevë, të martën, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se kthimi i diasporës veçse ka nisur dhe se do të rritet në vitet në vijim. E për këtë lëvizje të bashkatdhetarëve, Kurti ka thënë se duhet bërë përgatitje.
Ai është shprehur i bindur edhe për rritjen e numrit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe që do të vijnë në Kosovë për të votuar më 9 shkurt.
Po, po, që tash kanë me rifilluar numërimin e popullsisë edhe një herë.
***
Ulja e angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, a nuk ndikon në rritjen e ndikimeve të tjera?
E njëjta gjë, paska thënë edhe eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, që në rastin e Kosovës, zbehja e ndikimit amerikan e rrit ndikimin rus.