Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi nga toka e shqiponjave lexues dhe urime festa e 28 Nëntorit! Sot kujtohu për luftërat e madhërishme të popullit shqiptar, vullnetin e popullit tonë për pavarësi dhe dashurinë e pakusht për gjuhën shqipe. Gëzuar 112 vite shtet shqiptar!

Çka e karakterizoi ditën e djeshme nga ngjarjet në Kosovë?

Përditshmëri***

Konflikti mbi simbolet kombëtare në shkollë.

Simbolet kombëtare u bënë shkak për sherr në një nga klasat e gjashta në shkollën “Xhemail Mustafa” në kryeqytet. Mësimdhënësi i lëndës së gjuhës angleze akuzohet se përjashtoi një nxënëse që refuzoi ta heqë plisin nga koka, dhe e hodhi në bërllok edhe flamurin kuq e zi.

Zëvendësdrejtori i shkollës, Fatos Berisha, thotë se mësimdhënësi e ka pranuar se e ka larguar nxënësen nga klasa për shkak të bartjes së simboleve kombëtare. Ai theksoi se ka shqiptuar vërejtje ndaj tij dhe rastin e ka raportuar në Drejtori të Arsimit.

A është sjellja e mësimdhënësit profesionale dhe proporcionale?

Qeverisje***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nënshkruar të mërkurën vendimin, përmes të cilit i çelet rrugë hapjes së një fabrike për prodhimin e municioneve dhe krijimin e një laboratori për dizajnim të dronëve. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se vendimi është i koordinuar edhe me aleatët kryesorë në armatosjen e FSK-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ndërsa fizibilitetin për hapjen e fabrikës, sipas tij, e ka kryer Turqia.

Çfarë ndikimi ka ky vendim në politikën e jashtme? Deklaratat për bashkëpunimin me SHBA-të dhe Turqinë janë pozitive, por a mund të ndikojë ky vendim në marrëdhëniet me vende që kundërshtojnë militarizimin e rajonit?

Politikë***

Partia në pushtet i ka quajtur propagandë akuzat e opozitës drejtuar ndaj saj për lidhje të numrit të lartë të kontratave njëburimore. Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje theksuan se numri i kontratave të lidhura me negocim ka shënuar ulje në dy vjetët e fundit. Për ta mbështetur këtë, përdorën të dhëna nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, e në të cilat rezulton se rekordi për kontrata të tilla u shënua më 2020, kur për katër muaj kryeministri ka qenë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pse opozita e quan këtë propagandë? Nëse akuzat janë të pabazuara, a janë të dhënat e publikuara të mjaftueshme për të hedhur poshtë dyshimet?

Kulturë***

Krejt ata që duan të njohin pak nga copëzat e historive të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, adresa tash është në qendër të kryeqytetit. Në dhomën e parë vizitorët do të gjejnë një ambient që paraqet një pyll, e artefakte që janë njëfarë skenografie e tragjedisë. Në muzeun “Çast”, kushtuar të mbijetuarve të kësaj dhune, çdo artefakt mban një histori – një rrëfim të trishtë të luftës.

***

Lexues, duaje veten mjaftueshëm, sa që ta ndalosh konfuzimin mes distancimin me kufinjtë. Njëra është frika ndaj përballjes dhe tjetra është si akt i respektit ndaj vetes.