Dje n’Kosovë
24 Shkurt, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmëngjesi, lexues! Të uroj javë të mbarë dhe shpresoj që të kesh pranë vetes persona që të bëjnë të ndihesh se vendi i tyre i preferuar në botë është pranë teje. Sepse edhe ditët më të këqija, me praninë e personave të duhur, ndihen sikur më të lehtat.
Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
***
Mandati i presidentes aktuale përfundon në prill të vitit të ardhshëm. Nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri atëherë, qeveria do të jetë jetëshkurtër, meqë moszgjedhja e presidentit imponon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pa kompromis mes partive më të mëdha politike për zgjedhjen e presidentit, qeveria e ardhshme nuk do të mund të mbijetojë më shumë se një vit.
Marrëdhënia Kurti-Osmani nuk është siç ka qenë, edhe pse gjëra befasuese mund të ndodhin përherë. A do t’ia falin kësaj here votat PDK dhe LDK, pasi dallimi nuk është siç ka qenë në 2021?
A është më mirë një qeveri stabile apo krijimi i njërës që e dimë se si e ka fundin? Çfarë thua ti, lexues?
***
Kosova ka zënë vendin e 141-të nga 145 shtete që figurojnë në renditjen për nga fuqia ushtarake të “GlobalFirepower”.
Kjo faqe ka publikuar renditjen e re të këtij viti dhe, nga ato që janë të renditura, pas Kosovës për nga fuqia ushtarake gjenden vetëm Somalia, Republika e Afrikës Qendrore, Benini dhe Butani.
Shqipëria zë vendin e 78-të në renditjen e re të indeksit të fuqisë ushtarake.
Në krye të renditjes gjendet SHBA-ja, pasuar nga Rusia, Kina, India dhe Koreja e Jugut. Në top 10 janë Britania e Madhe, Franca, Japonia, Turqia dhe Italia.
***
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka vazhduar punën me skanimin e listave të votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së, vetëm pas përfundimit të këtij procesi, i cili pritet të mbyllet gjatë kësaj jave, do të nisë numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
***
Asgjë nuk është absolute, lexues. Gjithçka ndryshon, lëviz, fluturon dhe gjen drejtimin e vet. Largoje veten nga narrativa e jetës tënde dhe shih çfarë ndodh.