Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Mars, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mendoj se ka njerëz që të ndihmojnë të bëhesh personi që përfundon të jesh, të bësh, të duash dhe mund të jesh mirënjohës/e për ta, edhe nëse nuk ishin kurrë të destinuar të qëndronin përgjithmonë në jetën tënde. (Prap kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i pyesësh se çfarë po bëjnë dhe si po u ecën jeta.)

***

Çka ndodhi dje në Kosovë?

E di, i dashur lexues, se ka njerëz që nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh në vendin e tyre, çfarë bëhet me institucionet e tyre, me ligjvënien, me rendin dhe nganjëherë mund të mos e kuptojnë që çdo vonesë në krijimin e institucioneve, përmes të cilave kalojnë “vendimet, ndryshimet” që duhet bërë, ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre. Them se është e domosdoshme të dish për krijimin e qeverisë, ndryshimet me rrymën dhe përndjekjen e shkeljes së ligjit.

 

***

Edhe sa do të presim ne, qytetarët, për krijimin e një qeverie, derisa t’u bie tamam atyre që nuk duan të lëshojnë pe nga pozitat?

Dje, pas më shumë se gjashtë javësh prej ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje është certifikuar si fituese e këtyre zgjedhjeve me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind. Ky rezultat ia siguron Vetëvendosjes 48 ulëse në Kuvend.

E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 190.000 vota apo 20.95 për qind (24 ulëse), e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 vota apo 18.27 për qind (20 ulëse). Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind (8 ulëse në Kuvend).

Dhe prap anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ votuan kundër.

Ndërsa Bedri Hamza, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti hoqën dorë nga marrja e postit të deputetit. Muhaxheri dhe Ahmeti, që vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, do të zëvendësohen nga Arben Gashi dhe Paris Guri, ndërsa Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës do të zëvendësohet nga Rashit Qalaj.

Në anën tjetër, të tre do t’i kthehen punëve në kryetarllëkun e komunave që udhëheqin: Mitrovicë, Pejë dhe Lipjan.

Mbrëmë e habitshme ishte deklarata e Ramush Haradinajt në Debat Plus. S’ka faj: a do të kemi qeveri prej opozitës apo prej pozitës me mbështetje të individëve?

Haradinaj e ka konsideruar qëndrimin e LDK-së si pengesë për formimin e një qeverie opozitare.

“Aktualisht, pozicioni i LDK-së është bllokues. Nuk e mundëson krijimin e qeverisë së opozitës,” ka thënë Haradinaj.

Brenda 30 ditëve me afat ligjor, kur do të thirret seanca konstituive?

A e pret presidentja Osmani dikë që e mbështet apo veç vazhdon?

***

S’di çka është duke u bërë me disa nene, 26-shin dhe 29-shin të miratuar e punuar nga pozita, ku paragrafët dhe nënparagrafët e tyre po janë kundërthënës me njëri-tjetrin.

Juristët dhe ekonomistët e LDK-së janë “çu në këmbë” për të shpjeguar për publikun se si qeveria ka shkruar nene që nuk përputhen me njëri-tjetrin.

Mes Doarsa Kica-Xhelilit dhe Hykmete Bajramit, kjo e fundit e kishte shpjeguar më thjeshtë dhe kuptueshëm:

“Albin Kurti po thotë se s’kemi nevojë të japim dorëheqje, po thirret në Nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pyetja është: çka të bëjmë me Nenin 26, par. 1, të po të njëjtit Ligj, ku fjalë për fjalë thuhet:

‘Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.’”

****

Organizata “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” organizoi dhe hapi ekspozitën “TESTAMENT”, një ngjarje që kishte në qendër dëshmitë e identitetit, rezistencës dhe suksesit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Duke bërë një gërshetim të së kaluarës me të tashmen, ekspozita “TESTAMENT” solli në dritë rrëfimet dhe portretet e 20 profesionistëve nga këto komunitete, të cilët, përmes talentit, punës dhe përkushtimit të tyre, kishin sfiduar dhe vazhdonin të sfidonin stereotipet e paragjykimet dhe të kontribuonin për një shoqëri më gjithëpërfshirëse. Hapja e ekspozitës “TESTAMENT” u bë dje (të enjten), më 27 mars, në orën 19:00, në ambientet e Galerisë Qahili.

***

Sonte, i/e dashur, shko për të fjetur duke ditur se je i/e nevojshëm/e, i/e dëshiruar, i/e bukur dhe i/e dashur. Mos ji kaq i/e ashpër me veten; po ja del shumë mirë dhe lumturia jote është prioritet. Ha diçka. Pi ujë. Pusho pak. Të dua. Mund ta kalosh këtë.•