Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Ndryshimi fillon nga brenda. Mendimet tona janë si syzet me të cilat shohim realitetin nëse i ndërron, sheh ngjyra të reja, mundësi të reja. Por shumë herë ndodh që edhe pasi kemi ndryshuar mënyrën se si mendojmë, ne vazhdojmë të qëndrojmë në të njëjtën rrethinë. Kur rritesh si person, mos ki frikë të riformësosh botën tënde të largohesh nga gjërat që s’të përfaqësojnë më dhe të krijosh një realitet që pasqyron versionin tënd më të mirë.

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

Për shkak se Kosova nuk ka institucione funksionale (një luks që e rezervon vetëm për ditë feste) nuk mund të ratifikojë agjendën e reformave dhe rrezikon të humbasë 900 milionë euro që do të vinin nga Komisioni Evropian, sipas planit të rritjes së Bashkimit Evropian.

Thënë ndryshe: Evropa ofron ndihmë për të ecur përpara, ndërsa Kosova… s’ka këmbë për ta bërë hapin.

Ndërkohë, në anën tjetër të realitetit, Banka Botërore në raportin e saj të fundit nënvizon se parashikimi ekonomik për Kosovën mbetet “i ekspozuar ndaj një niveli të lartë të pasigurisë dhe rreziqeve të konsiderueshme”.

Pra edhe kur ka para në horizont, mungesa e funksionimit institucional arrinë t’i bëjë edhe mundësitë të ndihen të pasigurta.

***

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet alternative për të menaxhuar situatën me mbeturinat, duke u shprehur se situata aktuale është kulmi i papërgjegjësisë institucionale nga “Pastrimi”.

Ai ka shkruar në “Facebook” të dielën se prej të hënës shërbimet do të kthehen në normalitet, derisa shtoi se “qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt”.

E çka po presin, që qytetarët të dalin e t’i gëzohen faktit që po kthehen sherbimet për të cilat paguajnë vetë?! Të jenë mirënjohës që po u rikthehen, sherbime të cilat i kanë paguar vetë dhe që paratë e tyre janë keqpërdorur?

***

Disa nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë kanë shprehur si kërkesë që pjesëmarrja e tyre në testin ndërkombëtar të dijes, PISA, të përcillet me ndonjë shpërblim, si motivim për rezultate më të mira. Njohës të arsimit e sociologë theksojnë se pjesëmarrja nuk duhet të lidhet me kurrfarë shpërblimi, teksa e shtruan nevojën për vetëdijësim mbi përgjegjësinë që nxënësit e kanë dhe për rëndësinë e testit.

Ky lloj mentaliteti ku përgjegjësia kolektive ngatërrohet me interesin personal afatshkurtër është pasojë direkte e një sistemi arsimor që për vite të tëra ka mëkuar më shumë nota se dije, më shumë diplomë se kuptim. Në fakt, vetë ideja që dikush duhet të “motivohet” për të përfaqësuar vendin e tij në një test ndërkombëtar është tregues i një brishtësie të thellë në ndërtimin e vlerave bazë shkollore.

PISA është pasqyrë. Por, nëse nxënësit kërkojnë shpërblim për të parë veten në pasqyrë, atëherë ndoshta problemi nuk është vetëm te ata por te mënyra se si i kemi mësuar të shohin vetveten dhe dijen.

***

Pianisti hungarez Istvan Lajko performoi në natën e katërt të edicionit të 15-të të festivalit “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, duke sjellë një recital me vepra të përzgjedhura për publikun artdashës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare.

***

Çdo hap përpara kërkon guxim; guxim për të dalë nga zona e rehatisë, për të thënë të vërtetën, për të jetuar në përputhje me vlerat tona. Të jesh i ndershëm është një nga aktet më radikale që mund të bësh në një botë ku shumëkush mbanë maska. Është rrezik sepse mund të humbasësh përkrahje, siguri apo edhe miq, por është gjithashtu çelësi për një jetë të vërtetë!