Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

A nuk është e çuditshme sa shumë versione për veten tonë jetojnë në mendjen e të tjerëve? Për dikë, je personi i qetë që nuk flet kurrë. Për dikë tjetër, je dikush që gjithmonë flet. Të tjerët të shohin si të tërhequr dhe të vështirë për t’u komunikuar, ndërsa disa të shohin si personi më i kujdesshëm dhe më i dashur në botë. Por asnjëra prej tyre nuk është versioni real i yti; të gjitha janë pjesëza të gdhendjes së mënyrës se si këta njerëz e shohin botën. Kështu që, pse të brengosesh nga mendimet e të tjerëve!?

***

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Çka ndodhi? Pse Kurti dhe VV nuk duan të shkojnë në Klan, T7 dhe TV Dukagjini?

AGK ka reaguar ndaj këtij bojkoti dhe ka shprehur shqetësimin në lidhje me nisjen e fushatës që fillon më 11 janar. E ka quajtur zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve.

Qysh me i thënë Asociacionit të Gazetarëve, pa e normalizuar vendimin e VV-së, që prapë nuk e detyron këtë parti edhe nëse reagon?

Pse ky vetëizolim i Vetëvendosjes? Pse jo ndaj Rronit e Shkëlzenit? Thuaj bre paraprakisht: “Vi në debat, por jo me të gjithë gazetarët e analistët përnjëherë përballë!” D.m.th., partia në pushtet nuk po do konfrontim për veprimet që është mburrur se ka ndërmarrë këto 4 vjet?

A e ke parë kur je në opozitë, si s’pranon të shkosh nëpër debate? E tash… pushteti ndryshe, a?

***

Hudhet poshtë!

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që kërkonte të anulohej vendimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas vendimit të publikuar të enjten, ankesa e partisë në pushtet konsiderohet e palejueshme pasi nuk i përmbush kërkesat ligjore.

Le të shpallë shteti Listën Serbe lëvizje kriminale, more! A i keni provat e nevojshme për këtë veprim? Çka po ju ndal? Pse po pritet prej një institucioni tjetër një veprim i tillë, kur nuk e posedon këtë kompetencë?

***

Misioni i NATO-s në Kosovë

KFOR-i ka thënë se çdo dërgim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës kërkon autorizim paraprak nga komandanti i KFOR-it, bazuar në një marrëveshje të vitit 2013 mes NATO-s dhe Kosovës.

Ministri Maqedonci të enjten ka thënë se ai nuk ka bërë rizotim, por thjesht po respektohet zotimi i bërë në vitin 2013.

KFOR-i ka mirëpritur këtë garanci nga Maqedonci! Sigurisht që tash duhet kthyer në diskutim se sa “shokuese” ka qenë kur kjo qeveri ka dëgjuar zotimin e 2013-ës nga ish-kryeministri Thaçi!

***

Seriali me mundësinë e një salle koncertale në Prishtinë

Ka pasur disa episode prej se është hedhur ideja që hapësira e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” të ndërrojë funksion. Tash, sipas kryetarit të Prishtinës, qenkan marrë masa të vendosura karshi Kosovës.

“Kemi pasur zotime nga fondet evropiane IPA për financim deri në 20 milionë. Mirëpo, si rezultat i masave të padrejta të vendosura ndaj Republikës së Kosovës, këto fonde janë humbur”, ka thënë Rama.

Cilin episod e kemi të radhës?

***

Reflektim personal

Ai personi që ti beson se ekziston vetëm në mendjen tënde është i ndërtuar nga kujtimet, nga momentet që ti i ruan brenda vetes. Jo nga ajo çka të tjerët përshkruajnë. Kujtimet e tua kanë krijuar perceptim për botën, njësoj si kujtimet e dikujt tjetër që kanë krijuar perceptim për ty. <3