Dje n’Kosovë
27 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ty, lexues, nuk të duhet ta kesh të sqaruar, të qartë çdo gjë sot. Mbrëmë kisha një mendim nate, të cilin të gjithë duhet t’ia kujtojnë vetes: nostalgjia është provë që keni jetuar dhe po vazhdoni të jetoni një jetë me të cilën jeni krenarë. Rrjedhimisht, kjo do të thotë se ju keni pasur momente në jetë kur jeni ndjerë të lumtur, të përmbushur dhe keni gërshetuar të gjitha! ❤️
***
S’kish rrëshqit edhe bash shumë shumë… Veç qysh bre e ha njeriu foren deri në këtë pikë? Pak si prej dëshpërimit, sikur me mbajt veten brenda shumë, sikur dikë që s’e sheh për një kohë dhe kur e sheh, i tregon gjithçka… Por shokut, jo një të huaji e aq më pak dikujt që ka pozitë shtetërore.
Pranku që i është bërë kryeministrit është skandaloz. Si është e mundur të bisedohet me njerëz pa u verifikuar fillimisht kush janë ata që kërkojnë të bisedojnë me të? Një dështim i madh i ekipit të tij!
Komedianët e famshëm rusë, “Vovan & Lexus”, kanë publikuar të mërkurën një video me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin pretendojnë se ka rënë pre e mashtrimit të tyre. Sipas shkrimit të publikuar, komedianët i janë prezantuar Kurtit si presidenti letonez.
Në videon e publikuar në kanalin e komedianëve, Kurti shihet duke folur anglisht në atë që duket si një bisedë online direkte.
Në video, ai dëgjohet duke u ankuar se ndaj tij është zhvilluar një luftë hibride. Ai pohon se kjo luftë është orkestruar kryesisht nga Serbia dhe Rusia, “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”. Sipas tij, lufta e parë ndaj tij është bërë përmes dezinformatave.
Si pikë të dytë, ai përmend “premtimet irracionale nga opozita, që po flirtonte me luftën hibride”.
Në fund, qëndrimi i qeverisë me një deklaratë online dhe përpjekja për t’u shfajësuar nga ky “incident”, nuk është vetëm turpërues, por një sinjal alarmi për paaftësinë brenda zyrës së tij. Të arsyetohesh me faktin se Rusia është e fiksuar pas Kosovës nuk e zvogëlon problemin, pasi të njëjtat pyetje me “tendenca” u janë bërë edhe të tjerëve.
Si Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë, i cili e pat “sharë” Angela Merkelin. Të lejosh një bisedë të pakonfirmuar me “një president të huaj”, që zgjat mbi dhjetë minuta, pa asnjë verifikim serioz, është një dështim katastrofik i ekipit të tij këshillues dhe të komunikimit.
E njëjta taktikë është provuar t’i bëhet edhe presidentit Hashim Thaçi, por ai kishte treguar muaj më vonë që nuk kishte rënë pre e një “provokimi të tillë”.
***
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke e mbyllur kështu çdo rrugë ligjore për sfidimin e tyre, të cilat më herët ishin trajtuar nga PZAP-i. Me këtë vendim, certifikimi i rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, i paralajmëruar për sot, do të jetë hapi final.
***
Republika e Kenias dje e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, sipas një njoftimi të bërë nga ish-presidenti i vendit, Behgjet Pacolli.
Pacolli, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se pas pesë vitesh nga njohja e Izraelit, Kosova ka marrë një njohje të re nga Kenia.
Ai ka bërë me dije se kjo njohje vjen si “fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”.
***
Teatri Kombëtar erdhi me premierën “Streha e Nemun”, një tragjikomedi me regji të Ilir Bokshit, e bazuar në dramën “Liza në Maj” (Liselotte és a május) nga dramaturgu hungarez Zsolt Pozsgai. Rrëfimi prekës dhe i hidhur ndoqi jetën e një gruaje të vetmuar, e cila kërkonte dashuri dhe shpresë në marrëdhënie të dështuara. Me humor dhe ndjenjë të thellë, vepra eksploroi vetminë, pritshmëritë dhe nevojën njerëzore për lidhje.
Aktorë ishin: Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina, ndërsa premiera u mbajt më 25 mars, në orën 20:00.
***
Nganjëherë, i/e dashur, fjalët: “hajde të përqafoj”, “mbulohu se është ftohtë”, “a je për kafe”, “dëgjoje këtë këngë”, “hajde edhe ti”, “më pyetën të shtëpisë për ty” e shumë të tjera janë nënkuptime të të thënit: Të dua. ❤️