Dje n’Kosovë
22 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Hint: duhet ta lexosh deri në fund
Çdo ditë e di saktë si e filloi artikullin ditor! Struktura e tekstit ka këtë përmbajtje:
E filloj me diçka pozitive, me qëllimin që të jem përkujtuese e jotja lexues, se pavarësisht çka ka ndodhur dje në Kosovë, jeta nuk ndalon aty dhe gjërat padyshim shkojnë duke u bërë më mirë se që ishin; tregoj se pavarësisht se konstituimi i kuvendit dështoi prap dje për herë të katërt, një ditë mandatarët do ta vënë në rend të parë, qytetarin. Tregoj që pavarësisht që humbëm një polic hero – kolegët e tij do ta zbardhin rastin dhe do ta dëshmojnë se Kosova ka sigurinë që i duhet. Dhe krejt në fund do të tregoj se kur beson në ëndërrat e tua, ekzistojnë fundet e lumtura! Ja pse (ideja e këtij artikulli, të them të drejtën nuk ishte e imja).
Dje u zgjova në 5:50, nuk kisha gjumë dhe mu duk sikur kisha fjetur një shekull, u pastrova dhe ndjeva freskinë e një fillimi të ri, artikullin ditor që ti e lexon çdo ditë e postova në 6:40, pak minuta më vonë klikova në web faqen e Paper-it, sepse doja ta dëgjoja çdo sekond dhe minutë në vazhdim, fillimin e një date historike, datën që Paper Play Radio do të fillonte transmetimin në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Sarandë, Ksamil e deri në kufirin grek.
Në mendje e kisha Tinën, Albanin, Ermirin, Matian, Uranin, Shukin, Redin, Suadën e më së shumti Erëzën.
S’është që nuk m’shkuan në mendje ekipa teknike; Labi, Fita dhe Meti, sepse për studion në Tiranë brengat e dija që i mbanë Lura.
Sapo e hapa web-in, harrova të aplikoj ikonën e re të zërit dhe panikova duke menduar që nuk po shkonim live. I shkruajta Labit dhe më tha që jemi live n’tana anët, por problemi ishte tek telefoni im.
Nejse, s’vonova shumë dhe u nisa, dje ishte edhe festë zyrtare edhe pushim për institucionet shtetërore për shkak të Pashkëve, por çuditërisht trafiku nuk mungonte.
Sapo erdha në Paper, Albanin e pashë në një siklet, jo nervozë, që kurrë nuk e kisha parë, Tina e ruante stabilitetin (Zoti e di si është ndjerë brenda vetës).
Kishim kohë që e prisnim këtë ditë, andaj gjithçka tolerohej, deri në momentin që pash Valdetin (drejtori). Disponimi i tij dje ndikonte tek gjithsecili (madje kishte ndryshuar edhe diçka në pamjen e tij. Kishte larguar mjekrrën që e bënte të dukej edhe më nervoz. Po t’i thoje “qesh pak”, ishte si ta shaje në formën më brutale), andaj e morrëm si të mirëqenë por kjo nuk nënkuptonte se të tjerët do ta mirëkuptonin dhe nuk do ta merrnin si diçka personale disponimin e tij.
Valdeti, për këdo që nuk e shihte në bar, ia përmendte pozitën e punës dhe thoshte një fjali të tillë: “sot është dita e parë, nëse nuk je sot kur don me kon’ mo. Kam mendu që unë kam ardhë i fundit kur erdha vetëm Kujta ishte këtu”.
Kështuqë secili bënte një tërheqje taktike nga vendi ku ndodhej Valdeti. Ky i fundit dertin e kishte tek ana teknike, e një fjalë e urtë thotë “mos e thirr të keqën se vije”, ashtu edhe ndodhi.
Një andërr kaq e madhe duhet të kishte një fillim magjik, por me sa mua më ka mësuar jeta, gjithçka që bëhet me dashuri është e bërë mirë.
Pak minuta qëndrova dhe shkova tek Labi në teknikë, i cili po e priste sinjalin nga Tirana për të vazhduar me Ermirin dhe Matian.
Sinjali nuk po vinte: pak nervozë, ngritje zëri, të folura me vetën dhe “jazlerin”, pritje…pritje, dhe ja ku erdhi. Në një kamerë të vogël në teknikë, filluam të shohim Matian dhe Ermirin të cilët ende nuk po rahatoheshin në karriget e tyre, që janë pak më të larta se këto në Prishtinë.
Ata nga studio në Tiranë nuk po na dëgjonin por ne po ua dëgjonim edhe frymëmarrjen në mikrofon. U thamë se po ia nisim, Matia dhe Ermiri po bënin me duar në kamerë, duke treguar që nuk po dëgjonin.
Të tjerët që nuk ishin prezent dhe po e prisnin orën 08:00 që ta dëgjonin këtë lidhje historike, filluan të shkruanin.
“çka po ndodh’?”, “pse s’kemi filluar?”, “si jemi teknikisht?”, të cila shkruheshin nga Iliri buzë detit.
Pyetjet nuk po e brengosnin Labin, por Valdetin i cili 60 metrat katrorë të Paper-it, i përshkoi rrafsh gjashtë herë (nuk po i zinte vendi-vend). Minutat u afruan dhe me ato pak probleme teknike që kishim (Ermiri dhe Matia nuk po na dëgjonin në kohë por me pak sekonda vonesë), vendosën të vazhdonin. Fjalët e Ermirit dhe Matias i kam në vesh, mund të jenë fjalitë më të bukura që kam dëgjuar pas atyre “ai është flamuri më i bukur në botë Alban”.
E fjalë për fjalë, Ermiri me timbrin e tij plot emocion tha: “Jam shumë i lumtur që sot jemi bashkuar me ju, ne nuk jemi dy djem por dy zemra që do të rrahin fort….”!
AHHHH…aty përfundoi gjithçka, pashë ëndrrën e prindërve tanë, të ecnin zbathur në tokën e dardanëve, e cila u përkul dhe tha “më duani gjithmonë si sot!”.
Nga ai minut, dita e kreativitetit përkoi me ditën ku historia u shkrua vetë. Paper Play, radio e parë nga Kosova, që u nis për në Shqipëri.
Entuziazmi i Ermirit dhe Matias, bëri që të sinkronizoheshin duke na dëgjuar pa dëgjuese, vetëm që në emision t’i përgjigjeshin Tinës dhe Albanit.
Sekondat dhe minutat, u venitën, nuk i shihja… përveç stresit të Valdetit, që ishte shumë i vërejtshëm.
Gjithçka ishte një katrahurë e vërtetë, të cilën po e shijoja në maksimum, me të mirat dhe mangësitë e veta. Por e dija që sikleti i orëve të para, do të shkarkohej tek dikush. Me faj, pa faj, dikush do ta pësonte!
Kujta, i cili që nga mëngjesi kishte konsumuar dy espreso, ishte më i qeti nga të gjithë, ndoshta sepse ishte i vetmi që kishte lluksin të dëgjonte dhe gjykonte radion. Të tjerëve, patjetër duhej të ju vinte diçka në dorë: të rregullonin diçka, të thonin diçka, të kishin efekt qetësues me fjalët e tyre.
Në 8:30, pothuajse të gjithë erdhën Fita (drejtori i teknikës), Titi (drejtori i radios), Erëza (fytyrës së saj engjëllore, ja kishin marrë anën vetullat e ngrysura), Jeta dhe Dorini, pa të cilët nuk do të ishte i mundur asnjë promovim vizual. Dytë dukeshin të qetë dhe po masnin kohën sa herë që do të bënin “boom”. Nganjëherë e gjithë çka të nevojitet është të kesh afër njerëz që “nuk e shfaqin stresin tek të tjerët”.
Fita morri disa vërejtje të vockëla, të cilave po u kundërpërgjigjej por thellë në vete po ndjente një faj pasi nuk mund t’i kontrollonte emocionet. (Në një ditë të madhe, që Fita po mungonte nga fillimi).
Astriti, pra Titi, me qetësinë e tij që askush nuk ja kalon, dje nuk e kishte vetinë e vetme që e shquante. Nga një e sharë i rrëshqiste shkarazi nga sikleti, por e tha “diçka në zemër m’bëri ‘vërr’, kur u inkuadruan Emiri dhe Matia”.
U përmblodhëm disi dhe meqenëse “problemit herë ekzistues herë jo ekzistues” i frikësoheshim, duhej të ndërmerrnim diçka që do të na bënte të ndiheshim të sigurt. Dy Fitat u nisën për Tiranë, Fita dhe siç i them unë Fidaimi (Fita i teknikës). Në më pak se 2 orë e gjysmë, arritën në Shqipëri.
Erëza dhe Suada me emisionin “N’mes t’ditës”, kishin filluar, tash emocionet e Suadës nuk di t’i përshkruaj se se kisha afër (nga ekrani dukej se po e menaxhonte mirë) por të Erëzës e di saktë: pak siklet, e cila ajo nuk e di por ia rritë koncentrimin më shumë dhe e bënë të jetë prezente në moment. Me shumë pak probleme teknike dhe shumë profesionalizëm, “N’mes t’ditës”, ishte si një lotus cake (e njelmët dhe ëmbël, duo perfekte).
Tash keq me thanë por një ndjenjë brenda non-stop më tha që gjërat do të rregulloheshin për Uranin dhe Shukin.
Sepse që nga fillimi plotësisht besonin që gjithçka do të shkonte pa problem, ndryshe nga ne që frika na bëri të kemi dyshime.
Uranit ja thash “you were screaming confidence”! Pak minuta para orës 15:00, u bëmë dëshmitar të një përplasje të vockël mes Labit dhe Metit, e cila u shkaktua dhe tejkalua nga paniku.
Urani e kreu.
Shuki si e nisi e bitisi. Bashkë me Redin nga Tirana, dashuria e tyre për mikrofonin e inicoi një muhabet që ia ke dëshirën ta dëgjosh përherë. Pak info për Prishtinën, pak sharm për Tiranën, pak hyrje në territorin tim (tendenca për horoskop ha ha ha) dhe u përmbyll si më së miri. Pa probleme teknike, me një përmbajtje të lahtarshme, Drive Time, ishte qershia që të gjithë nguten ta hanë pa e prerë tortën.
Valdeti u qetësua, tek pasi pa që të gjitha emisionet me hyrje nga dy anët u përfunduan, njëjtë edhe Titi. Ishin akulloret me dredhëza dhe karamel që i qetësuan.
☼
Të gjithë u rehatuan! Nuk e mendon asnjëherë, ama gjithçka kalon, pas orës 17:00, të gjithë po komentonim sjelljet e njëri-tjetrit.
Sot në mëngjes po dëgjonim “katërshën e ditës” pa një të keqe, teksa mbrëmjën e mbyllëm duke dëgjuar Anilen me “Fije Jete”, emisioni me natyrë psikologjike, që të hapë ato pikëpyetje që përherë ia fshehim vetës.
Për pak harruam që për këto momente jetojmë: pak emocion, pak siklet, pak nervozë, pak buzëqeshje, kur gjithçka është momentale.
Based on a true story!