12 Maj, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, një ndër format më të rrezikshme të “verbërisë” është të besosh se këndvështrimi yt është i vetmi realitet.
Andaj ajo çka për ty mund të jetë e duhura nuk do të thotë që është me ndikimin e njëjtë për dikë tjetër.
Mes arsyejeve të shumta valide për të qenë i nervozuar me situatat e krijuara në vendin tonë, ka edhe shumë arsyeje tjera për të çmuar atë që kemi brenda. Andaj jo çdo situatë e pa këndshme për qytetarët që krijohet nga vendimet politike në Kosovë duhet të ketë përgjigjen se “gjithçka në Kosovë ec mbrapësht”.
Le të fillojmë me këndvështrimin pozitiv atë të shfaqjes së filmit “Dua” të Blerta Bashollit në Kanë, i cili do të transmetohet tri herë në kuadër të “Javës së Kritikës”, seksion paralel i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes. Është brenda konkurrencës zyrtare të filmave të gjatë artistikë në këtë program.
“Java e Kritikës”, e themeluar në vitin 1962, njihet si platformë për zbulimin e talenteve të rinj në kinematografi dhe ka prezantuar ndër vite regjisorë të njohur botërorë si Ken Loach, Alejandro González Iñárritu dhe Wong Kar-wai.
Gjithçka nis me thirrjen “Ikni se policia”, duke paralajmëruar menjëherë atmosferën e tensionit dhe frikës që e rrethon personazhin kryesor. Në “trailerin” e publikuar të hënën zbulohet se klasës së Duas i bashkohen disa nxënës të rinj refugjatë që sjellin me vete histori të rënda dhe një realitet krejt ndryshe. Ngjarjet që pasojnë në klasë janë aq të ndjeshme, saqë edhe vetë mësuesja e ka të vështirë t’i shpjegojë. Xhudoja nuk paraqitet vetëm si sporti që sot e ka bërë Kosovën të njohur në botë, por edhe si mënyrë mbijetese e vetëmbrojtjeje.
Në mendjet e adoleshentëve, ajo shndërrohet në një simbol rezistence përballë frikës nga artileria e forcave serbe, të cilat gjatë asaj kohe dëbuan me dhunë afro një milion shqiptarë nga Kosova dhe vranë rreth 10 mijë civilë vetëm pse ishin shqiptarë ashtu si Dua. Arratisjet nga kryeqyteti dhe përpjekjet për t’u shpëtuar forcave serbe paraqiten në “trailer” përmes një drame rinore të mbushur me ankth e pasiguri. Ndërkohë, izolimi brenda shtëpive gjatë bombardimeve merr formën e një teatri të improvizuar, ku çdo moment sjell një skenë të re të krijuar nga frika dhe instinkti për të mbijetuar.
Me regji të Blerta Bashollit dhe skenar të saj në bashkëpunim me Nicole Borgeat, “Dua” është bashkëprodhim midis Kosovës, Zvicrës e Francës.
Me një kast aktorësh ku spikasin Arben Bajraktaraj, Pinea Matoshi, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Savic, filmi “Dua” e vendos publikun në botën emocionale të një adoleshenteje që rritet mes lajmeve të rënda të luftës. E përballur me pasiguri, frikë dhe dilema të vazhdueshme, ajo përjeton ankthin që do ta ndiente çdo njeri në një realitet të tillë.
Filmi mbart një dimension intim dhe personal, pasi frymëzohet nga përvojat e vetë regjisores. Edhe në këtë projekt, regjisorja e ka vënë në plan të parë ndjeshmërinë njerëzore dhe mënyrën se si lufta prek jetën e përditshme. Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka nga Ikonë Studio, ndërsa si bashkëprodhues janë angazhuar Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga Alva Film, si dhe Amaury Ovise nga Kazak Productions.
“La Semaine de la Critique” materializon çdo vit rolin e saj si zbuluese talentesh përmes një përzgjedhjeje prej 13 filmash të shkurtër dhe 11 filmash artistikë që prezantohen gjatë Festivalit të Filmit në Cannes.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cannes edhe sivjet në edicionin e 79-të sjell filma nga e mbarë bota.
Kinematografia e Kosovës ka sjellë shpesh histori të lidhura me luftën, pasojat e saj dhe traumën që ka lënë te njerëzit. Disa filma e trajtojnë luftën drejtpërdrejt, ndërsa të tjerë fokusohen te jeta pas saj, kujtesa, humbjet dhe përpjekja për të vazhduar përpara. Këta janë disa nga filmat më të njohur:
Hive – me regji të Blerta Basholli, bazohet në historinë reale të grave të Krushës që mbetën pa burrat e tyre pas luftës. Filmi trajton dhimbjen, mungesën dhe luftën për mbijetesë pas masakrave.
Shok – film i shkurtër nga Jamie Donoughue me producentë kosovarë, i bazuar në ngjarje reale gjatë luftës në Kosovë. Tregon historinë prekëse të dy djemve dhe humbjen e pafajësisë gjatë luftës.
Babai – i regjisorit Visar Morina, trajton marrëdhënien baba-bir në vitet ’90 dhe ikjet masive të shqiptarëve nga Kosova për shkak të represionit serb.
The Hill Where Lionesses Roar – nga Luana Bajrami, nuk flet drejtpërdrejt për luftën, por tregon gjeneratën e re që jeton me pasojat sociale dhe psikologjike të saj në Kosovën e pasluftës.
Martesa – i regjisores Blerta Zeqiri, ku trauma e luftës dhe e kaluara ndikojnë në jetën personale dhe marrëdhëniet e personazheve.
Cold November – nga Ismet Sijarina, vendosur në periudhën e viteve ’90 gjatë represionit serb në Kosovë, ku jeta e përditshme e familjeve shqiptare përshkohet nga frika dhe pasiguria.
Three Windows and a Hanging – i regjisorit Isa Qosja, trajton një nga temat më të dhimbshme të luftës: gratë e dhunuara gjatë konfliktit dhe stigmatizimin e tyre në shoqëri.
Zana – nga Antoneta Kastrati, eksploron traumën psikologjike të një gruaje që vazhdon të jetojë me kujtimet e luftës dhe humbjeve.
Këta filma kanë ndihmuar që historia dhe përvojat e Kosovës gjatë luftës të njihen edhe ndërkombëtarisht, duke u shfaqur në festivale të mëdha si Sundance Film Festival, Cannes Film Festival dhe Karlovy Vary International Film Festival.
Çfarë tregon për shoqërinë tonë fakti që filmat më të vlerësuar ndërkombëtarisht burojnë nga kujtimet e luftës dhe pasojat e saj?