Dje n’Kosovë
3 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
E bukura e jetës është që asgjë nuk qëndron njësoj; të gjithë ndryshojnë, përfshirë edhe veten tonë. Nesër në mëngjes, merr kohë dhe shijo gjithçka që bën teksa përgatitesh për punë apo për të nisur ditën. Diçka gjatë ditës mund të ndryshojë rrjedhën e jetës suaj dhe asgjë mund të mos jetë njësoj; pastaj edhe guri jashtë derës do t’ju mungojë.
Çfarë i karakterizoi ditët e para të 2025-ës në Kosovë?
Shumë kolona për të dalë nga Kosova, mjegull nga baruti i fishekzjarreve të natës së parë, anulime të fluturimeve për shkak të mjegullës, mungesë rryme për Vit të Ri… por sigurisht që për zgjedhje nuk harrojmë të bëhemi!
***
Si pasojë e mjegullës së dendur, 38 fluturime u anuluan të mërkurën dhe katër të tjera gjatë së enjtes. Në aeroport u tha se kjo ndodhi si pasojë e dukshmërisë së kufizuar, ndërkaq ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili dy javë më parë prezantoi investimet në sistemin e avancuar të aterimit, i bëri fajtor pilotët për mungesën e certifikimit për ta përdorur këtë sistem.
Çfarë ka ndodhur me biletat e personave që u është shtyrë fluturimi? A janë kompensuar apo është shpallur dikush i pafajshëm? Hajde, për sistem nuk qenkan të certifikuar, por për njoftimin në kohë të fluturimit të radhës kush ka faj? Kompanitë e fluturimeve apo stafi i aeroportit?
Sigurisht që fluturimet e shpeshta dhe kolonat e gjata në dalje nga Merdari, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë janë si pasojë e përfundimit të pushimeve nga bashkatdhetarët. Ta shohim tani, a do të jenë kolonat e njëjta në qytet dhe bllokadat nga veturat nëpër rrugë pas orës 15:00.
***
Lajmi më i mirë për Kosovën kohët e fundit është që gjigandi i blerjeve online, Amazon, e ka njohur Kosovën. Kjo do të thotë se tash e tutje mund të bëjmë porosi edhe ne në atë adresë.
***
Njëzet e shtatë subjekte politike dhe 1232 kandidatë kanë nisur, shumë para kohe, garën që në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 të sigurojnë një nga 120 vendet e Kuvendit. PZAP-ja e certifikoi Listën Serbe, ndërsa qeveria ende po e vajton këtë fakt!
Pse? A nuk mund të bëjë asgjë qeveria kur nuk e do garimin e një partie që e cilëson terroriste? Një dëshirë kaq e madhe a duhet të shuhet kështu?
***
Prishtina, shumë dekada më parë, kishte një lagje punëtorësh të ndërmarrjes së atëhershme “Ramiz Sadiku” dhe punëtorët kishin edhe menzën e tyre. Tash e disa vite, Menza është shndërruar në restorant, hapësirë për ngjarje kulturore, koncerte dhe, pas mesnatës së ndërrimit të vitit, edhe një pikë urbane për një festë të mirë për Vitin e Ri me titullin “100% Love”, organizuar nga Disco Grupi, një kolektiv që herë pas here e gëzon Prishtinën me evente të hareshme. Genti, Adriani, Learti dhe Shendi e bënë hyrjen e gëzueshme në Vitin e Ri.
***