Dje n’Kosovë
23 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues dhe ja ku je, duke vazhduar tutje pavarësisht se sa vështirë ka qenë së fundi!
Këto ditë, Kosova ka qenë pjesë e zhvillimeve të rëndësishme diplomatike dhe të sigurisë që lidhen drejtpërdrejt me raportet me Serbinë, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Po e dimë vendin tonë, e dimë sa kemi fuqi por edhe durimi diplomatik ka afat të skadencës.
Së pari, kryenegociatori Besnik Bislimi ka ngritur në Prishtinë dy çështje urgjente në takimin me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen: trajtimin e personave të zhdukur me dhunë dhe bllokimin nga Serbia të fondeve për fermerët në Luginën e Preshevës. Bislimi ka akuzuar Serbinë për pengesa politike dhe ka kërkuar që BE-ja të heqë masat ndaj Kosovës, duke theksuar se Prishtina ka ndërmarrë hapat e kërkuar në veri.
****
Çkado me ndodhë, kush e di me sa vendimet me u marrë në të ardhmen, pa u vendosë drejtësia, as proceset më elegante në Evropën tonë nuk kanë kuptim.
Për shembull në Samitin e Procesit të Berlinit në Londër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka quajtur Serbinë shtet armiqësor, duke paralajmëruar se pandëshkueshmëria e saj për sulmin terrorist në Banjskë mund të nxisë inkursione të reja. Ai ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht, ndërsa ka kërkuar nga Britania e Madhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Kurti ka theksuar edhe përparimet e Kosovës në ekonomi e stabilitet, duke e paraqitur vendin si faktor të sigurisë dhe partner të besueshëm euroatlantik.
****
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur sanksione ndaj “Rrjetit Krasniqi”, një grup kriminal me bazë në Kosovë, i përfshirë në falsifikim dokumentesh dhe trafikim të njerëzve. Ky veprim është pjesë e përpjekjeve britanike për ta mbyllur rrugën kriminale përmes Ballkanit Perëndimor, të cilën qeveria në Londër e lidhë me migracionin e paligjshëm drejt Britanisë.
Në thelb, Kosova po vazhdon me kërku drejtësi dhe trajtim të barabartë. Në Procesin e Berlinit, afirmon pozicionin e saj si pjesë e botës demokratike, ndërsa përmes bashkëpunimit me Britaninë përforcon angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe për sigurinë rajonale.
****
