Based on a true story
17 Qershor, 2026
Blog: E.Rr
Në vitin 2017, restoranti grek “Gyro II” në Manhattan, New York mbylli dyert pas 45 vitesh aktivitet. Për dekada të tëra, klientët ktheheshin aty për shijen e një salcë të bardhë, receta e së cilës mbahej sekret.
Kur erdhi dita e fundit, pronari mund ta kishte marrë sekretin që i bënte ushqimet e veta të shijshme me vete apo edhe mund ta kishte lënë të zhdukej bashkë me restorantin por nuk e bëri. Në vend të kësaj, ai e ngjiti recetën e salcës në derë, që kushdo që e donte atë ta merrte me vete, në këtë formë sado pak shija që e gjenin në “Gyro”, do ta kishin edhe në shtëpit e tyre apo edhe në një vend tjetër si restaurant.
Pse dua ta ndaj sot këtë me ju? Lexo pak më poshtë:
Shpesh jetojmë me bindjen se vlera jonë qëndron te gjërat që i mbajmë për vete, te sekretet profesionale, te kontaktet, te njohuritë, te “formula” që na bën të dallojmë nga të tjerët.
Nëse nuk kemi vepruar gjithmonë kështu, dikur në jetë ndoshta kur kemi qenë më të ri ka ngjarë të kemi ruajtur diçka vetëm për vetën në ndonjë moment të caktuar. Ndoshta nga eksperiencat jo të mira apo thjeshtë ngase kemi menduar se ashtu duhet.
Historia e “Gyro II”, më bëri t’i rikujtoj vetës diçka “njerëzit nuk kujtojnë atë që ti e fsheh, kujtojnë atë që ti ndanë”.
Pronari i restorantit të historisë në fjalë, kuptoi diçka që shumë njerëz nuk e kuptojnë as pas një jete të tërë pune faktin që “trashëgimia nuk ndërtohet duke ruajtur dyert mbyllur, por duke i hapur ato në fund”.
Në jetën e përditshme e shohim shpesh të kundërtën, dikush largohet nga puna dhe merr me vete gjithë njohurinë që ka fituar. Një biznesmen nuk ia tregon askujt procesin që e ka bërë të suksesshëm. Një prind harron t’u tregojë fëmijëve historitë që e formësuan, një mësues del në pension pa lënë pas metodat që e bënë atë të veçantë.
Me largimin e tyre, një pjesë e asaj që ndërtuan zhduket.
Por në historinë e 2017-ës, kemi një paradoks, në momentin që pronari publikoi recetën, teorikisht ajo humbi vlerën e saj si sekret por pikërisht atëherë fitoi vlerë si histori.
Mijëra njerëz sot flasin për “Gyro II”, sot madje rikthehet si fakt interesant edhe nëpër faqe online të ndryshme me shumë ndjekës, jo sepse salca ishte e paarritshme, por sepse receta u bë e arritshme për të gjithë.
Unë besoj që kjo ndodh edhe me njerëzit, njohuria që ruhet vetëm për vete vdes me ne, ndërsa ajo që ndahet puna, idetë, metodat që kanë rezultuara të suksesshme me ne vazhdojnë të jetojë edhe nëpërmjet të tjerëve.
Askush nuk e kujton një restorant vetëm për një recetë, as një kompani vetëm për fitimet, as një njeri vetëm për sukseset e tij, ata/ne kujtohen/mi për atë që lënë/më pas.
Dhe kjo duhet të jetë arsyeja pse ky lajm i vitit 2017 vazhdon të qarkullojë në internet edhe sot, jo pse ata zbuluan një kombinim të majonezës, uthullës, sheqerit dhe koprës por se nuk e ruajtën avantazhin e tyre, por zgjodhën të ndajë atë që e kishin më të çmuarën.
Njerëzit bëhen besnik jo ndaj atyre që mbledhin por ndaj atyre që kontribuojnë.
Kur dikush ndan kohën, dijen, përvojën apo edhe një mundësi të vetme, krijon besim. E besimi është baza, kur gjithçka mbahet e mbyllur, njerëzit mund të qëndrojnë afër vetëm nga interesi, por rrallëherë nga respekti.
Thellë në vete besoj që ajo që ndahet, shumëfishohet. Ndërsa ajo që mbahet vetëm për vete, shpesh përfundon duke u zhdukur bashkë me ne.
A nuk është i dashur lexues ky edhe testi më i mirë për secilin prej nesh; kur të vijë dita të largohemi nga një vend pune, nga një projekt, nga një rol në jetë, a do të marrim gjithçka me vete, apo do të lëmë diçka që të tjerët mund ta përdorin për të vazhduar më tej?
Trashëgimia, është ajo që u japim të tjerëve. 😉
(dedikuar të gjithë atyre që ndanë me mua pikat e tyre që sollën rezultate për ta e të cilat i panë si diçka që edhe unë e meritoja t’i jetoja)

