Një mini thënje për ta nisur javën: bëje nga dashuria jo për dashurinë.
Ja një përmbledhje e shkurtër dhe e personalizuar për ty lexues me disa nga ngjarjet më të përfolura të këtyre dy ditëve.
***
Kryeministri shqiptar, Edi Rama gjatë një samiti në Chatham House në Londër, u vlerësua nga The London Economic për “përmbledhjen më të saktë për Brexit-in”.
Ai lavdëroi qeverinë britanike të Keir Starmer për bashkëpunimin kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm, duke e quajtur atë “fantastik dhe të qëndrueshëm”. Rama kritikoi Nigel Farage për “teatralitet” dhe theksoi ironinë e Brexit-it, që ishte premtuar për të kufizuar emigracionin, por solli të kundërtën:
“Dikush pyet pse e latë Evropën. E latë Evropën, sepse donit më pak anije dhe keni më shumë anije. E latë Evropën, sepse donit më shumë investime. Keni më pak investime. E latë Evropën, sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion”.
Në fund, Rama sulmoi ish-ministren e Brendshme, Suella Braverman për komentet ofenduese ndaj shqiptarëve, duke e përmbyllur me ironi: “Mos u ngatërro me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë, zhdukesh.”
***
Me sa duket, si gjithmonë Rama e respekton ndarjen e pushteteve… sidomos kur i takon drejtësisë të merret me të tjerët.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është thirrur nga SPAK të hënën, sipas burimeve jozyrtare. Nuk dihet ende zyrtarisht arsyeja e thirrjes nga prokurori Dritan Premçi, ndërsa në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë një vizite në Berlin, Rama deklaroi për Deutsche Welle se “drejtësia ka punën e vet” dhe se nuk ka koment për asnjë rast konkret. Ai theksoi se derisa çështjet të marrin formë përfundimtare, të gjithë janë të pafajshëm dhe nuk duhet të gjykohen nga “gjykata popullore, politike apo mediatike”.
***
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Berlin Global Dialogue (BGD), ku ndihmësja e tij virtuale me Inteligjencë Artificiale, Diella, u pyet për mendimin e saj për të.
Me tone të programuara (dhe mbase edhe pak të parashikueshme), Diella e quajti Ramën një “udhëheqës vizionar”, duke shtuar se falë hapjes dhe dëshirës së tij për të eksperimentuar, ajo vetë ekziston.
Rama, si gjithmonë i gatshëm për batuta, u përgjigj me humor: “Është vajza ime besnike.”
Një moment që ndoshta dëshmon se edhe inteligjenca artificiale di ta lavdërojë “babain” e saj më mirë se opozita.
