Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Ti je i mjaftueshëm edhe kur nuk e ndjen kështu. Edhe në ditët e tua më të errëta, e di, ato kur nuk ke as dëshirë të ngrihesh nga shtrati, je i mjaftueshëm edhe në ato ditë. Ti je i mjaftueshëm edhe kur zemra jote është lënduar nga dikush që e do dhe kujdesesh për të.

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Lexues, a e keni analizuar programin e ndonjërit prej partive politike? Nëse po, cili të bënë të ndihesh si qytetari që e do jetën e promovuar në ndonjërin prej programeve?

Në debatin zgjedhor Rubikon, mbrëmë ishte i ftuar kandidati për kryeministër i PDK-ës, Bedri Hamza së bashku me ekipën e tij që kanë punuar në program.

Përparim Gruda, kandidat për deputet, deklaroi diçka për herë të parë publikisht;

“Komisioni i Venecias në koncept-dokumentin për Vettingun ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk e kupton fjalën Vetting, e përzien me mekanizmat e brendshëm të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Dmth, nëse mekanizmat e brendshëm janë vlerësimi mujor i gjyqtarëve, vlerësimi i disiplinës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias ka thënë se mekanizmat vlerësues të gjyqtarëve dhe prokurorëve i keni ngatërruar me Vetting??

Teksa, Abdixhiku i LDK-ës, e quajti Kurtin “krinxhi politik”, pas ofendimeve që ua bëri Kurti për mizën. A ka naj denim prej PZAP-ës për këtë krahasim morbid?

***

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, me tre mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 12 mijë euro për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.

Arsyeja për dënim ka qenë se kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xheneta Syka, ka publikuar video në Facebook ku e krahason kryeministrin Albin Kurti me nazistin Adolf Hitler.Ndërsa për AAK, se Lëvizja Vetëvendosje është ankuar se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të pabaza dhe të pavërtetuara kundrejt kryeministrit Albin Kurti, ashtu si edhe kandidati për deputet i AAK-së, Ardian Gjini.

E akuzat e të tjerëve qenkan vërtetu najherë a?

***

Minibiblioteka në “Taukbahçe” duket një pamje idilike, midis parkut. Por në fakt, ajo “fsheh” historinë e një projekti jetëshkurtër e refuzimin e ftesës për të lexuar.

Rrugëtimi i tyre nisi më 2019 me ftesën “Sill një libër – merr një tjetër”. Kapitulli i të tjerave u mbyll dy vjet më pas kur u tërhoqën prej lagjeve ku ishin vendosur e kjo që ka mbetur, ka mbijetuar pasi atë e ka marrë nën mbrojtje pronari i një kafeneje aty pranë.

Ku janë 11 tjerat që gjendeshin gjithandej Prishtinës?

***

E di ato ditë kur qëndron përballë pasqyrës dhe nuk ndihesh si vetja? Je i mjaftueshëm edhe në ato ditë. Kur je i rraskapitur, i përhumbur dhe nuk e ke përfunduar gjithçka që të duhej atë ditë, je i mjaftueshëm edhe atëherë. Ti je i mjaftueshëm. Gjithmonë ke qenë dhe gjithmonë do të jesh. Ji i mirë me veten. Sot dhe përherë.