Dje n’Kosovë
18 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Edhe nëse humbe një ditë, gjithmonë vjen dita tjetër. Edhe nëse ke humbur një vit, nuk ka rëndësi. Kodrat nuk shkojnë askund. Lulet dhe pemët prap çelin. Dielli vazhdon të lindë, shkurret vazhdojnë të japin fryte.
Puna e konstituimit të kuvendit ka fillu e ka marrë dhenë, sikur kjo situatë as nuk po shpjegohet si duhet për zgjidhjen që mund të ketë.
Po hajde qe edhe dorëheqja s’paska qenë si duhet edhe nenet për qeverisje që vetë i kanë përpilu s’qenkan qysh duhet, gjithçka gabime dhe zero respekt për funksionalitetin e Kushtetutës së Kosovës, por prap një qeveri duhet të zgjedhet, pse kjo “zhagitje”?
Dje në seancë të pranishëm kanë qenë 100 të zgjedhur të popullit, për ta kaluar këtë pikën ku është bllokuar kuvendi në seancë duhet ta votojnë shumica e të pranishmëve.
Vetëvendosja me 48 deputetët e saj, Emilja Rexhepin si ministre të veten, Elbert Krasniqin poashtu bëjnë 50, shto këtu edhe treshen e Nismës, bëhen 53. Pra i kanë pasë më shumë se 51 (mbi gjysmën). Dhe prap është vendosur që të ndërpritet seanca, pra u ndërpre pa trajtuar asnjë pikë të rendit të ditës, për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare.
Tash a është ndërpre se nuk i kanë numrat për ta votuar kryekuvendarin, apo sepse nuk janë dakorduar se kush çka të merr apo se asnjëra palë s’i ka aktualisht numrat për formim të Qeverisë, ende nuk dihet!!
Përparim Gruda i PDK-së dhe Doarsa Kica-Xhelili e LDK-së, dytë nga fusha e drejtësisë i paskan dhanë njëfarë shpjegimi kësaj pune në nacionale.
Ajo që shpjegohet në Kushtetutë si qeveri në dorëheqje është qeveri e cila është shkarku prej Kuvendit, është votu mocioni i mosbesimit ose kryeministri ka dhanë dorëheqje. E tash ky nuk është rasti. Kjo qeveri nuk është qeveri në dorëheqje, por në detyrë. E kësaj qeverie në detyrë, ligji i kërkon me dhanë dorëheqje sepse ato zëvendësohen nga zëvendës ministrat”, tha Gruda.
Kica-Xhelili na thotë se “asnjë anëtar i kabinetit qeveritar të LVV-së” nuk ka dorëzuar dorëheqje formale në Kuvend të Kosovës.
“Kuvendi, si organ legjislativ, ka parakusht verifikimin e mandateve të deputetëve para betimit, që përfshinë dhe (pa)pranueshmërinë e deputetit të certifikuar për betim (e rrjedhimisht, fitim të aftësisë së veprimit/funksioneve legjislative). Gjatë verifikimit u kuptua që dorëheqje formale nuk ka nga asnjë anëtar i kabinetit qeveritar të LVV-së që është certifikuar si deputet”, u shpreh ajo.
Po askush nuk po tregon si zgjidhet kjo çështje!!!
***
Seanca u shtye për 48 orë të tjera, pra për të shtunën.
***
“Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” është titulli i projektit që do ta përfaqësojë Kosovën në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë, Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës. Është një instalacion ndijor i arkitektes Erzë Dinarama, që shpërfaqë një hulumtim kompleks, i cili ndër të tjera, mat pulsin e krizës klimatike. Por shpjegimi që i bëhet projektit, zbërthen edhe “dëshmi” se si po “zhduken” stinët. Ekipi i Pavijonit të Kosovës, të enjten nëpërmjet një komunikate për medie, teksa ka shpalosur konceptin kuratorial, ka zbërthyer detaje të tij dhe rrugën deri te rezultati final. Kanë mbetur edhe 19 ditë deri te inaugurimi i Pavijonit në edicionin e 19-të të Bienales.
***
Vetëbesimin, po e kuptoj tani, është shumë më i thellë sesa thjeshtë të mendosh se je i/e bukur dhe i/e lirë të jesh vetvetja. Vetëbesimi përfshin të jesh i sigurt në vendimet e tua dhe t’i besosh vetes për t’u përkushtuar ndaj gjërave që dëshiron të bësh. Të dalësh jashtë zonës së rehatisë dhe t’i thuash vetes se gjithçka do të jetë në rregull. Ky është vetëbesimi që do të na ndihmojë të shohim suksesin që dëshirojmë…