Dje n’Kosovë
12 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ne mbajmë kaq shumë gjëra brenda zemrave tona të vogla. Një këngë është thjeshtë një këngë, por jo kur është ajo që dikur e ndaje me një mik që e ke humbur tashmë prej shumë kohësh. Një vizatim është thjesht një vizatim, derisa të varet në shtëpinë ku je rritur, në të cilën nuk qëndron më.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në një vend ku, përtej pragut të derës, edhe guri bëhet lajm. Ku vizita e sekretarit të NATO-s bie në hije kur del një lajm i thjeshtë, i cili shfaqë edukatën e të rinjve tanë.
Disa nxënës kanë hedhur gurë në drejtim të veturave në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë të martën, bazuar në një video që një qytetar ia ka dërguar koha.net.
Në video shihen nxënësit tek ndalin veturat në rrugën “Enver Maloku” dhe i gjuajnë me gurë. Në një moment, ata shihen edhe duke ikur pas gjuajtjeve.
A e bëjnë mend që njerëzit marrin kredi për vetura? Po sikur vetura që e kanë goditur të kushtonte 100 mijë euro, e dëmi më i vogël të ishte 10 mijë?
Ju lutem, tregoni fëmijëve tuaj që nuk preken apo cenohen gjërat e askujt. Ose, nëse veçse bëhet një gjest i tillë, mësojuni që për gjithçka që bëjnë dhe shkaktojnë, përgjegjësia është vetëm e tyre.
***
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj çertifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, sigurt, e udhëhequr nga Vetëvendosja dhe unë,” tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para dy ditësh.
***
Siguria nga KFOR-i dhe NATO-ja u konfirmua nga Rutte.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka qëndruar të martën në Kosovë. Gjatë vizitës së tij, ai ka takuar udhëheqës shtetërorë dhe përfaqësues diplomatikë. Qëndrimi në Kosovë, sipas Ruttes, është dëshmi e përkushtimit të NATO-s për siguri afatgjatë në Kosovë.
Duke thënë se aleanca që ai udhëheq mbështet dialogun me Serbinë, ai ka folur edhe për mënyrën se si duhet vepruar për të ecur përpara.
“Kosova dhe Serbia duhet të jenë fleksibile dhe të bëjnë kompromise që të ecin përpara në dialog,” ka thënë të martën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
***
Harmonius 8 është një ansambël vokal i përbërë nga tetë gra, të bashkuara rreth pasionit për muzikën me harmoni vokale. I themeluar në tetor të vitit 2024, ky oktet synon të kultivojë dhe promovojë interpretimin vokal në një nivel të lartë artistik, duke ofruar, siç edhe vetë e pohojnë, “një qasje të sofistikuar dhe të rafinuar ndaj muzikës.”
Repertori i koncertit të parë ka përfshirë vepra të zgjedhura, kryesisht hite evergreen, por edhe zhanre të tjera, të interpretuara me dashuri ndaj harmonisë.
Koncerti është mbajtur dje, më 11 mars (e martë), në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Ulpianë të Prishtinës.
***