Arkiva
June 3, 2024
Në qendrën e galerisë qëndronte i vendosur koleksioni Bryma dhe Geisha. Tri veshje mbi materialin e bardhë të cilat ngjasonin me mjegullën, teksa kostumet me ngjyra të hapura kryesisht gjelbër dhe rozë e hapur dukeshin saktësisht sikur parajsë. Teksa rrugën drejt korridorit të errët artistik të Paper House, e ndriçonin dritat e vendosur mbi xhaketat e zeza të cilat krejtësisht janë të mbuluara nga kopsat e argjendit nga koleksioni “Cage”. Pasi kalonit këtë korridor, ju do të shoqëroheshit nga shkallët për të vazhduar tek bari, në të cilin teksa po shërbeheshin pije, ti përballesh me pamjen e koleksionit tjetër “Gobleni Movement”. Ndonëse sot gjërat tradicionale po tingëllojnë më jo-moderne, ishin goblenët dhe historia e xhubletave 4000 mijë vjeçare shqiptare, ato që morën vëmendjen. Goblenët ishin zgjedhur të përfaqësoheshin vetëm nga korsetë, e mjaftueshme për të argumentuar një arkiv të bukur të historisë shqiptare.
Me pije në dorë vizitorët e shumtë po vazhdonin drejt sallës në xhama, ku po qëndronte koleksioni “Marubi” dhe “Etnikografia”, një ekzekutim artistik i modernes dhe tradicionales, fantastike për t’i veshur në eventet e mbrëmjes.
Paper House, atë natë kishte grumbulluar artdashës të kulturës nga fushat e ndryshme, teksa shkëlqimin ia kishte besuar Etnik Shalës.
Pavarësisht emocioneve që e kishin rrethuar atë natë, mes shkëlqimit dhe gëzimit që kishte në sy, përshkrimin e tij lidhur me ekspozitën, e tha me fjalë të thjeshta.
“Është kënaqësi e veçantë kur vlerësohesh nga njerëzit që dinë ta vlerësojnë artin, nuk më bëjnë shumë përshtypje mendimet e tjera, sepse shija është relative, sidomos në këto ditë kur komercialja na ka kapluar, por sot kam falënderime vetëm për njerëzit që na kanë vizituar”.
Të gjitha veshjet e vendosura në këtë ekspozitë ishin origjinale, të cilat mund të ribëheshin përsëri, edhe pse Etniku nuk tha nëse këto kostume do të shiteshin atëherë, por mbase dëshira e madhe e njerëzve për t’i blerë ia ka ndryshuar mendimin.
Mes njerëzve që shijuan ekspozitën, fjalët që kuratorja Penesta Dika tha për Etnikun, na dhuruan atëherë një këndvështrim tjetër për ekspozitën.
“Çdo detaj ishte i menduar nga artisti, nuk janë vetëm disa pjesë që kreatori i ka bërë spontanisht, por kanë një prapavijë shumë të fortë që kanë tema të veçanta. Etniku ka përdorur materiale që i përshtaten temës, krejt çka ka dashtë të thotë i ka thënë përmes dizajnit, e ka trajtuar të kaluarën dhe të tashmen me kombinimin më të mirë” .
Po të mos e thoshte askush, ne do ta cilësonim vetë si të tillë, mirëpo regjisorja Zana Hoxha e tha para nesh- një EKSPOZITË DRAMATIKE.
“Etniku të qëllon me artin e vete, e pata një udhëtim nëpër kohët e tij, e dallova pjekjen e tij artistike dhe identitetin e tij, në këtë rast Etniku ka përdorë një metodë të ndryshme, por në veçanti për mua si artiste, këto kostume, këto veshje janë shumë teatrale gjë që na mungon në teatër, kostume që i mbijetojnë kohës, secilën veshje do ta kisha përdorur në një nga shfaqjet e mia. Pashë një ndikim të Alexander McQueen, në veçanti tek veshjet me kopsa, sepse nga larg nuk duken që janë kopsa, por po të afrohesh e sheh si e ka shndërruar në një vepër artistike. Kjo është e veçanta e artistëve, shndërrojnë diçka që ndoshta fare nuk ka vlerë, në diçka që më vonë mund të kushtojë me milionë”
Kjo ishte e para ekspozitë fashion në një galeri të artit, realizuar për herë të parë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
“Përveç pjesës artistike që përmban ekspozita, ajo gërsheton një edukim cilësor sa i përket traditës dhe prejardhjes sonë, e përkthyer në veshje”, kishte thën Vullnet Jakupi, koordinator i Paper Gallery.