Live Stories from Prishtina

LIVE

September 29, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Njerëzit i gëzohen të mirave që i marrin nga jeta, pastaj vendosin t’i festojnë ato të mira.

I gëzohen shëndetit të mirë, personave të dashur që kanë pranë vetes, ceremonive që kurorëzojnë dashurinë, ditëve me diell që shfaqin bukuritë e natyrës, shiut që lagë tokën e bekuar, ushqimit që shijojnë dhe pasuritë që gëzon një vend.

Me kalimin e dekadave, njerëzit vendosën që gëzimin e tyre ta kalonin diku tjetër, duke organizuar ngjarje të veçanta që festonin karakteristikat e një komuniteti, shoqërie apo edhe një vendi.

Të mirënjohura janë edhe festivalet disa ditore në Evropë, të cilat marrin vëmendje të gjerë. Ato na largojnë nga përditshmëria monotone, duke na afruar me kultura të reja dhe ushqime të shijshme, varësisht nga vendi i përzgjedhur.

Por, cilat festivale mund t’i ndiqni në Evropë, tani që po flasim apo edhe herave të tjera?

Octoberfest, Munich-Germany

Ani pse Belgjika njihet si vendi i birrës, në Gjermani, kryesisht provinca e Bavarisë, organizojnë një ndër festivalet më të mëdha në Evropë, ku pija kryesore është birra dhe ushqimi tradicional gjerman.

Festivali dy javor, përkundër emrit të tij, fillon me 17 shtator dhe mbaron në të dielën e parë të tetorit, nëse dita e 16 e festivalit bie para 3 tetorit atëherë festa zgjatet deri sa të takohemi me datën 3 tetor, e cila përkon me Ditën e Unitetit Gjerman, apo e njohur si dita e bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.

Historia pas kësaj feste filloi me martesën e Mbretit Bavarez Ludwig me Princeshën Therese në vitin 1810, ku familja bujare e tyre e kremtoi këtë datë me shumë njerëz, duke e pasur birrën si pijen kryesore dhe garat me kuaj në shenjë të argëtimit. Edhe pse Octoberfest festohej në tetor, përkatësisht me javën e dasmës, dekada më vonë u zhvendos në shtator, kur vizitorët sa shkonin e rriteshin, moti ishte ende i nxehtë dhe ditët ishin më të gjata.

Ajo çka mund të gjeni në festival është një laramani e ushqimeve bazuar në markat e birrës, sipas rregullores së Octoberfest, ju do t’i keni në dispozicion për t’i shijuar 6 lloje të birrave që i takojnë vetëm prodhuesve nga Mynihut, të njohura si Hacker Pschorr, Spaten, Hofbräu, Augustiner, Paulaner dhe Löwenbräu.

Me më shumë se 20 tenda ushqimi që përfshijnë ushqimin në petë, ushqimet e detit, ushqime me mish pule dhe mish të kuq si dhe një tavolinë kryesore me djathëra. Teksa pjatat që duhet t’i provoni janë gjysmë pula të pjekura, gishtat e derrit të servuara me lakër turshi, lakra e kuqe, petë me patate, sallatë me patate dhe ushqimin më të njohur të Oktoberfest-it – një gjevrek i butë bavarez.

Për shkak të numri të madh të vizitorëve (rreth 6 milionë çdo vit), gjëja e parë që duhet të bëni është të merrni një birrë në dorë dhe të shëtisni përreth, pasi keni shumë për të parë.

Meqë festivali ka hyrjen falas, brenda tij janë të vendosura lojëra nga më të ndryshmet, gara me kuaj, bowling dhe muzikë. Për shkak të numrit të madh të vizitorëve, rezervimi për hotele duhet të bëhet 1 vit më përpara, në mënyrë që të gjeni akomodim.

Festivali i Karnavaleve, Venecia-Itali
Karnavalet e Venecias u bënë të famshme gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, kur aristokratë nga e gjithë bota merrnin pjesë në festivalin tashmë vjetor. Karnavalet ishin forma që festonin ardhjen e pranverës, ndërsa Karnavalet e para të Venecias ishin në vitin 1162 në festimin e fitores së Republikës së Venecias mbi armikun e saj Patriarkun ose Aquileia.

Kur Napoleoni pushtoi Venedikun, karnavalet u ndaluan nga frika e qytetarëve që komplotonin kundër trupave franceze. Festivali u kthye zyrtarisht në vitin 1979 nga qeveria italiane kur vendosi të promovonte kulturën dhe historinë veneciane.

Si mbahet festivali?

Kostumet e veshura në festivale janë fustane veneciane të shekullit të shtatëmbëdhjetë, ngjajnë sikur të ishin nga një pikturë e Canaletto.

Gjatë kësaj periudhe organizohen ngjarje dhe ballo të shumta. Disa prej të cilave janë private dhe për këtë arsye, të vështira për të marrë pjesë, përveç nëse njihni dikë që mund t’iu ftojë. Nëse festat nuk janë private, atëherë ato janë të shtrenjta dhe biletat do t’iu kushtojnë rreth 500 euro.

A vishen të gjithë me kostume?

Shumica e turistëve nuk vishen me kostume gjatë karnavaleve. Ata preferojnë të shëtisin duke shijuar kostumet dhe maskat, megjithëse disa i preferojnë maskat, të cilat i kanë blerë nga stendat e shumta të rrugëve në qytet.

Ideja e përgjithshme është që turistët të shëtisin nëpër qytet dhe të fotografojnë kostumet më të mira dhe maskat më mbresëlënëse. Sigurisht, ka nga ata që shkojnë në Venecia dhe marrin me qira rroba të bukura për këtë rast.

Karnavalet zakonisht zhvillohen midis fundit të janarit dhe mesit të shkurtit. Meqenëse Venecia është kaq afër Alpeve, zakonisht është shumë ftohtë dhe ndonjëherë mund të ketë borë, prandaj sigurohuni që të keni me vete rroba të trasha.

Çfarë mund të hani gjatë Karnavaleve?

Fritelle ose petët me krem pastiçerie janë ëmbëlsira më e zakonshme që lidhet me karnavalin venecian. Ushqimet e shijshme të servuara gjatë kësaj periudhe janë makaronat si gnocchi, lasagna, dhe tortelli.

Karnavalet e Venecias 2023

Datat për karnavalin e Venecias në 2023 do të jenë nga 16 shkurti deri më 21 shkurt.

Si çdo vit, nëse po mendoni të vizitoni Venecian gjatë kësaj jave, do t’iu duhet të rezervoni fluturimet dhe hotelin tuaj sa më shpejt të jetë e mundur. Qyteti është i mbushur me shpejtësi gjatë kësaj periudhe.

Pizzafest, Napoli-Itali
“Pica dhe Napoli shkojnë dorë për dore”, është teksti i një kënge të famshme napolitane drejtuar një gruaje që donte të hante vetëm pica.

E njohur për shumë gjëra autoktone, si salcën, domatet, mishrat, Italia gatuan picat më të mira në botë, prej ku edhe ka rrjedhur origjina e tyre. Pizzafest është festival që zhvillohet në Napoli dhe është festa më e madhe e picës në Itali. Dita e parë e picës u organizua në vitin 1995, prandaj për ta kremtuar këtë ditë, mijëra njerëz vërshojnë rrugët e Italisë për një ndër ushqimet më të shijshme në botë.

Vizitorët në Napoli Pizza Village mund të shijojnë lloje të ndryshme picash, dhe aktivitete të ndryshme në qytet gjatë gjithë ditës dhe natës. Pizzafest festohet për 11 ditë në një hapësirë prej 30 mijë metra katrorë.

E veçanta e festivalit nuk është vetëm të hamë, por edhe të garojmë. Piceritë më të famshme nga e gjithë bota konkurrojnë me piceritë vendase. Në fund të festës një javore, një juri e përcaktuar do të vendosë për fituesit, duke marrë parasysh edhe mendimin e të gjithë atyre që hëngrën në Pizzafest dhe si rezultat shpallin pizzamenin më të mirë në botë.

Picat më të famshme që përgatiten në festival janë ato Margarita tradicionale, me salcë domatesh dhe djathë mocarela, Marinara, Bufala, Capricciosa dhe Diavola.

Gjatë festivalit të picës organizohen shfaqje të ndryshme, koncerte, vallëzime dhe lloje të ndryshme festash. Është një joshje e ushqimeve të shkëlqyera, aromave dhe një atmosferë mahnitëse përgjatë një jave.

Festivali i Livandos, Francë
Livando në gjuhen frënge do të thotë qetësi dhe pastërti. Franca është e njohur për fushat e mbushura me livando dhe kohën e pikut të lulëzimit e kanë në mes të verës. Për t’i folur botës për pasuritë e saj natyrore, çdo vit Franca organizon një festival i cili fillon me shfaqje verbuese të fishekzjarrëve mbi lum, të shoqëruara me parada, marshime, varka të mbuluara me lule ngjyrë vjollce për 4 ditë, me temë kryesore livandon.

Parfumet dhe kremat franceze janë të mirënjohura në botë, meqenëse mbjellja e livandos është e qëndrueshme deri në pesë vjet, përdorimi i saj për parfumeri ka konsum të gjerë.

Festivali zhvillohet në muajin gusht, pasi fillon vjelja. Ky është një nga festivalet më të pëlqyera të Evropës që tërheqë dashamirës të argëtimit nga e gjithë bota.