N’Kosovë
12 Shkurt, 2026
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, shikoje rutinën tënde, ushqimin tënd, shtëpinë tënde, njerëzit që ke përreth dhe pyete veten: a e reflekton personin që dëshiron të jesh?
Nëse jo, fillo të editosh!
Çka ndodhi këto ditë në Kosovë?
Me kuvend e me qeveri jemi bo, qikjo me rëndësi. Kuvendi i Kosovës, në mbledhjen konstituive të mbajtur të mërkurën në mbrëmje (11 shkurt), zgjodhi kryetaren dhe pesë nënkryetarët, ndërsa pak orë më vonë në seancë të jashtëzakonshme votoi edhe Qeverinë e re, duke i dhënë vendit institucione të reja pas gati një viti pa Kuvend funksional dhe me qeveri në detyrë, si dhe afro dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 51% të votave. Albulena Haxhiu (LVV) u zgjodh kryetare e Kuvendit me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Ardian Gola (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Slavko Simiq (nga komuniteti serb) dhe Emilja Rexhepi (nga komunitetet e tjera pakicë).
Pas konstituimit të Kuvendit, u votua Qeveria Kurti 3 me 66 vota pro dhe 49 kundër. Në fjalimin e saj, Haxhiu premtoi paanshmëri, integritet dhe bashkëpunim ndërpartiak, duke ftuar deputetët të tejkalojnë ndasitë politike dhe duke shprehur mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Kryeministri Albin Kurti, në ekspozenë e tij, kritikoi kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për dënime të rënda ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe theksoi se krimet gjatë luftës janë kryer nga regjimi i Serbisë. Ai premtoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të investohen 1 miliard euro në mbrojtje, do të rritet numri i ushtarëve dhe oficerëve, do të zhvillohet industria ushtarake dhe do të prodhohen dronë “Made in Kosova”.
Po ashtu, ai tha se dialogu me Serbinë do të vazhdojë mbi bazën e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, si proces mes dy shteteve, dhe se do të vazhdohet mbështetja për Procesin e Berlinit. Në planin social, premtoi projektin “Superpuna” për gratë, subvencionim prej 500 eurosh për gjashtë muaj për gratë e punësuara dhe 100 euro shtesë mujore për gjyshërit që kujdesen për fëmijët.
LDK u shpreh se do të jetë “zë i arsyes” dhe e gatshme për bashkëpunim në çështje madhore.
PDK paralajmëroi rezolutë për gjykim të drejtë në Hagë dhe mbështetje për çështje të rëndësisë nacionale, por kritikoi premtimet financiare të qeverisë.
AAK kundërshtoi madhësinë e kabinetit qeveritar prej 21 anëtarësh dhe nuk e votoi qeverinë.
Lista Serbe gjithashtu nuk e mbështeti formimin e saj, duke akuzuar qeverinë për shkelje të të drejtave të serbëve. Hapi i radhës për Kuvendin është zgjedhja e presidentit të ri deri më 4 mars, nëse dështon zgjedhja sipas procedurave kushtetuese, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
***
16 burra, 5 gra qe kush e kush:
Glauk Konjufca zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik.
Hekuran Murati është propozuar për Financa dhe Ekonomi,
Andin Hoti për Familje dhe Mirëqenie Sociale,
Ejup Maqedonci për Mbrojtje,
Xhelal Sveçla për Punë të Brendshme,
Lulëzon Jagxhiu për Administratë Publike dhe Digjitalizim,
Arben Vitia për Shëndetësi,
Hajrulla Çeku për Arsim dhe Shkencë,
Saranda Bogujevci për Kulturë dhe Turizëm,
Blerim Gashani për Sport dhe Rini,
Elbert Krasniqi për Administrim të Pushtetit Lokal,
Fitore Pacolli për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor,
Armend Muja për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural,
Dimal Basha për Infrastrukturë dhe Transport,
Mimoza Kusari për Tregti, Industri dhe Integrime Evropiane,
Artane Rizvanolli për Ekonomi,
Nenad Rashiq për Komunitete dhe Kthim dhe Rasim Demiri për zhvillim rajonal.
***
