Dje n’Kosovë
31 Dhjetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, në ditën e fundit të këtij viti, përveç se të uroj të kesh shëndet, dua të them: mos vajto për asgjë që ke humbur, sepse çdo gjë kthehet në një formë tjetër. Gjithashtu, ajo që kërkon, të kërkon edhe ty gjithmonë.
***
Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Prokuroria ishte kryefjala e ditës; sikur të gjithë ishin marrë vesh që çdo lajm të përqëndrohej te ajo.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të respektojë thirrjen e prokurorisë për t’u intervistuar. Kurti, ndërkohë, kërkon që intervista të realizohet në zyrën e tij, nën pretekstin se një veprim i tillë ka ndodhur edhe më parë me kryeministra të tjerë.
Si mundet një njeri, që ka ardhur në pushtet duke promovuar ndryshimin dhe duke kritikuar të tjerët për sjellje joligjore, të bëjë të njëjtën gjë?
Isufaj ka deklaruar se asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e tillë, siç pretendon Kurti. Megjithatë, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar, duke thënë se prokuroria po ka në shënjestër qeverisjen e Vetëvendosjes. Gjithmonë dikush tjetër e ka fajin, apo jo, zonja Haxhiu?
Minim i sistemit të drejtësisë së Kosovës nga vetë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës?
Nëse ekziston një faj, ai është kolektiv. Prokuroria nuk e ka luftuar korrupsionin deri tani, por as “qeveria e reformave” nuk e ka bërë!
***
Duke qëndruar te prokuroria…
Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, si dhe ish-shefit të prokurimit, Ymer Dragusha, dhe avokatit Isuf Zejna. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 37 milionë eurosh.
A ka kjo qeveri ndonjë strategji konkrete për luftimin e korrupsionit që është publike?
Ani pse Krasniqi, për aktakuzën e parë, ishte deklaruar i pafajshëm, ai i pati cilësuar akuzat ndaj tij si “gjueti shtrigash.”
Sot kemi një inteligjencë financiare që funksionon me ushtrues detyre. Rrjedhimisht, nuk ka një reformë efektive në hetimin financiar të krimit dhe rrjedhës së parave. Çfarë pritet të jenë rezultatet në hulumtimin e këtyre çështjeve? Natyrisht, të dobëta.
Më vjen keq që, në ditën e fundit të vitit, flasim për të njëjtat probleme me të cilat e filluam, pa asnjë ndryshim të vetëm!
***
Të paktën, në disa fusha, si ajo e kulturës dhe njerëzve që dhurojnë art, kemi diçka që nuk na lë të mërzitemi.
Nata e parë në Zone Club premton diçka të veçantë: performues do të jenë Kadmon, një grup muzikor live i një zhanri organic house-techno. Prisni elemente elektronike si sintetizatorë dhe muzikë ritmike me instrumente të ndryshme, për të ndezur atmosferën në dancefloor.
***
Çfarë do të doje të bëje ndryshe vitin që vjen? Për kë je i lumtur që ke takuar këtë vit? Për çfarë do të doje më shumë kohë? Cila është diçka e vogël që të ka ndodhur këtë vit dhe ka bërë një ndryshim të madh për ty? Gjeji përgjigjet për këto pyetje pa kaluar në vitin e ri, shoqërues!
Unë të dua edhe më shumë pas çdo viti!