Live Stories from Prishtina

LIVE

June 7, 2024

Erletë Rrustemi

Nuk do të kërkoja asgjë më shumë se sa të ndanit të njejtën vëmendje që i kushtuat Manifestës së viti 2022 (që kishte zgjedhur për herë të parë Kosovën) për ekspozitën Reporting House 2024, e cila po hapet të hënën më 10 qershor nga ora 18:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri në shtator të vitit 2024.

1770 metra katror, të mbështjellura me rrëfime lufte kësaj here saktë nga ata që raportuan prej vendeve të luftës pra nga reporterët e huaj.

Lufta, a është e vetmja formë kur dalja e shkatërruar nga një gjendje të dhuron shpresë për përmirësim vetëm pasi ajo të mbarojë? Me sa duket, 25 vite pas përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe në vendin tonë, kjo fjali fillon të merr kuptim kur figurat nga jeta jonë ndërmarrin hapa për ndarjen e historive me masën e gjerë.

Me atë çka arrita të observoj nga konferenca e shtypit, nga intervistat në radio e televizione që dhuruan krijuesja e ekspozitës Jeta Xharra dhe kuratori Gazmend Ejupi, përfituesit më të mëdhenj të kësaj ekspozite do të jenë të rinjtë, njohuritë e të cilëve për luftën veçse kanë filluar të zbehen nga mungesa e dëshmive fizike, monumenteve kulturore të shkatërruara dhe ndërhyrja në hapësirat e monumenteve ekzistuese. 

Në intervistën që Xharra dha në emisionin Debat Plus, ishte kjo deklaratë që tregon për rrjedhën inspiruese deri tek realizimi i kësaj ekspozite: 

 “Ideja ka ardh prej faktit që kur ta kqyrsh rastin e Kosovës edhe intervenimin që u bo, goxha meritë të madhe kanë mediat ndërkombëtare, ku pas asaj që ka ndodh në Bosnje e Srebrenicë, e kanë vendos vëmendjen duke ardh këtu (e ka fjalën për luftën e Kosovës). Kur rrallë ndodh që mediat prestigjioze me hapë zyre në vende tjera, BBC u qu ka qelë zyre në Kosovë. Me idenë që nëse qohemi dhe e ngrisim vëmendjen (pra mediat e huaja)  prej fillimit edhe i thojm liderave tonë siç ishte atëherë Tony Blair; çka ka ndodh në Srebrenicë mos me ndodh prap në Kosovë”

E ndër të tjera ishte edhe kjo deklaratë, e cila të rrënqeth trupin për ndikimin që dijnë të krijojnë mediat (vetëm një person që ushtron profesionin e gazetarisë mund ta kuptojë këtë)

“Mu ndje krenar që për shkak të vetëdijes që është ngrit nga mediat ndërkombëtare, jemi rast unik në Kosovë që është intervenu me na shpëtu neve dhe nuk ka ndodh kurrë që brenda 1 javë me u kthy 1 milion njerëz në shtëpitë e tyre pasi janë largu”, tha Xharra.

25 vjet pas luftës, ta njohim kontributin e mediave ndërkombëtare

Si asnjëherë më parë ish-Shtëpia e Mallrave Gërmia, që më parë është shfrytëzu nga UNMIK-u, pastaj nga Administrata Tatimore, është shndërruar në një hapësirë kulturore dhe për kohë rekord e me shumë orë punë nga Ndërmarrja Publike Banesore ka pësuar ndryshime. 

E shpresëdhënës është vendimi i komunës së Prishtinës për ta ndarë saktë këtë hapësirë kur organizatorët fillimisht menduan që do të marrin vetëm një dhomë.

Duke shënuar një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, ekspozita REPORTING HOUSE i ofron publikut vendor dhe vizitorëve të huaj një pasqyrim të hollësishëm të luftës tonë evropiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Ekspozita është prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Prishtina Biennale dhe Paper Gallery.

Mbi 20 orë material i xhiruar, të dixhitalizuara nga kasetat e vjetra si dhe të filtruara në tri gjuhë.

Pak ditë na ndajnë deri në hapjen e ekspozitës, por cilat ishin sfidat me të cilat u ndeshën ekipi punues.

Sigurimi i të drejtave autoriale për storiet televizive, pra, 150 storie televizive që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television News. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokal që punuan në to.

Ardhja e mjeteve ekspozuese që do përdoren si instalacione. 

Prania e artistëve të famshëm botëror, të cilët me anë të veprave të tyre do të shfaqin eksperiencën e tyre me temat që lidhen me luftën; emigrimin, refugjatët.

Këta janë artistët pjesëmarrës me veprat e tyre: Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova
nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Çka do të keni mundësinë të shihni në këtë ekspozitë madhështore?

Vetëm sa arrita të dëgjoj nga gjërat që treguan në intervistat e tyre Jeta dhe Gazi, gjitha pjesët e ekspozitës janë interesante por këto janë pjesët që unë mezi po pres t’i shoh.

Një fletore me shkrime e vizatime të fëmijëve të familjes Jashari gjatë luftës- të cilën gazetarja Donika Shahini e kishte gjetur gjatë raportimit për masakrën ndaj familjes Jashari. Në fletore është e përfshirë jeta e përditshme e asaj kohe.

Një Land Rover i blinduar, i vitit 1994 të cilin e përdori kameramani Vaughan Smith, që e ka filmuar Prekazin, e i cili edhe u plagos nga forcat serbe, është vozit 2 mijë kilometra nga Anglia për t’u bërë pjesë e kësaj ekspozite- do të vihet si instalacion ku hapësira brenda veturës do jetë ekspozitë në vete me rrëfime për luftën.

Pjesë e ekspozitës do jenë edhe artistët e rinjë vendor, ku veprat e tyre, instalacionet do të vendosen paralelisht me ato të huaja.

Cka mund të shtoj është; vizitojeni vetë dhe sugjerojeni për ta vizituar këdo që e keni në familje. Që çdo të riu/reje, çdo personi që nuk ka shumë njohuri për ngjarjet e luftës apo nuk e ka përjetuar fare, të shoh të bëmat e gazetarëve, artistëve që kanë kuruar në punimet e tyre histori të ndryshme lufte e vuajtje, të vij dhe ta vlerësojë  vetë. 

Reporting House do të hapet në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Shtëpia e Gazetarëve synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë pësuar nga lufta në Kosovë dhe advokon për një të ardhme pa luftë.